Maqedonia e Veriut e ka marrë pavarësinë në mënyrë të qetë duke shmangur edhe gjakderdhjen e shumtë të ish-Jugosllavisë, kurse lufta e vitit 2001 në mënyrë të arsyeshme e ka prishur mitin për Maqedoninë si “ishull i stabilitetit”!
Periudha mes vitit 1991 dhe 2001 nuk ka rezultuar me përfshirje substanciale të popullatës shqiptare në administratën publike, në polici, ushtri, gjykata dhe institucione tjera dhe shteti ka vepruar kryesisht si shtet nacional i shumicës maqedonase.
Shqiptarët kanë qenë të përfshirë në qeveri, por sistemi qeveritar nuk mund të konsiderohet si formë e ndarjes së pushtetit, por si një përpjekje për përfshirjen e elitës shqiptare në pushtetin politik. Shteti në asnjë rrethanë nuk e braktisi favorizimin e përhershëm ndaj shumicës maqedonase.
Lufta e 2001 solli ndryshime në vetë kuadrin kushtetues të vendit. Me këto ndryshime i jepet status zyrtar gjuhës shqipe, inkorporohet sistemi i shumicës së dyfishtë (që përbëhet nga shumica e votave në Kuvend dhe shumica e votave të pakicave) për fushat kryesore të legjislativës, inkorporohet përfaqësimi i barabartë për
administratën publike në nivel kombëtar dhe lokal, vendoset decentralizimi dhe
reforma e pushtetit lokal, si dhe përcaktohet rruga për krijimin e policisë multietnike.
Pas luftës për barazi, vendi duhej të kalojë në një radhë të ndërlikuar procesesh, për t’i përmbushur kushtet e kompromisit për emrin.
Marrëveshja e Prespës është ngjarja më e rëndësishme që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut duke zgjidhë një kontest 27 vjeçar me Greqinë. Në maj të vitit 2020 vendi bëhet anëtare e NATO-s.
Ndërkaq, më 19 korrik të këtij viti u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare, në të cilën Maqedonia e Veriut zyrtarisht i hapi negociatat për anëtarsim në Bashkimin Europian.
Sot, synimi ynë është “shteti i së drejtës”, dhe kjo do të ishte e arritura ideale!