Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot mori pjesë në ngjarjen e nivelit të lartë për shënimin e 75 Vjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku i prezantoi edhe angazhimet e Maqedonisë së Veriut në lidhje me të drejtat e njeriut.
Në këtë ngjarje të nivelit të lartë, para përfaqësuesve të lartë qeveritarë të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, Osmani theksoi se shënimi i 75 Vjetorit nga miratimi i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të OKB-së duhet të shërbejë jo vetëm si rikujtim për rëndësinë, veçantinë dhe vlerën e përjetshme të këtij dokumenti, por edhe si një inkurajim shtesë për t’i rritur përpjekjet tona në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Njëherit, Osmani bëri thirrje që të bëhen përpjekje për revitalizimin e vlerave të Deklaratës.
“Duhet të dërgojmë mesazh që secili prej nesh duhet të angazhohet për kauzën fisnike të të drejtave të njeriut”, tha Osmani.
Ministri Osmani i prezantoi 5 angazhimet nacionale për të drejtat e njeriut, për realizimin e të cilave Maqedonia e Veriut punon me përkushtim.
“Rritja e besimit të opinionit në sistemin e qeverisjes duke avancuar transparencën dhe llogaridhënien e Qeverisë, me miratimin dhe zbatimin e një Strategjie të re të Transparencës deri në vitin 2026; Përshpejtimi i transformimit digjital për të përmirësuar më tej shërbimet, të fokusuara te njerëzit dhe shërbime cilësore deri në vitin 2027. Me këtë do të përforcohet qëndrueshmëria ndaj kërcënimeve kibernetike dhe do të punohet për të rritur ndërgjegjësimin për sigurinë kibernetike; Ballafaqimi me korrupsionin dhe përmirësimin e integritetit në mënyrë sistematike, si dhe përforcimin e koordinimit dhe shkëmbimit ndërinstitucional ndërmjet institucioneve të ndryshme qeveritare, prokurorisë dhe gjyqësorit; Ndryshim transformues në jetën e personave me nevoja të veçanta, përmes politikave dhe shërbimeve gjithëpërfshirëse, punësim dhe transformim të të gjitha institucioneve; Arritje e reformave të qëndrueshme në drejtësi përmes zbatimit të një Strategjie të re për Reformën në Drejtësi deri në vitin 2027” tha Osmani duke theksuar se synimi ynë është të forcojmë pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin e gjyqësorit.