Ministria e Financave është në proces intensiv të krijimit dhe përgatitjes së masave për përkrahjen e qytetarëve dhe ekonomisë, që do të zbatohen në gjysmën e dytë të vitit. Në këtë proces, konsultohen institucionet financiare ndërkombëtare, merren parasysh përvojat e vendeve të tjera, ndërsa sot në Ministrinë e Financave, ministri Fatmir Besimi me ekipin e tij gjatë takimit të përbashkët me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, diskutuan për masat dhe politikat që planifikohen, si dhe pikësynimet e rishikimit të Buxhetit për vitin 2022, që u miratua nga Kuvendi.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se kjo krizë ka ndikim të madh dhe se çdo kush duhet ta shqyrtojë atë në mënyrë reale dhe të marrë përsipër një pjesë së pëgjegjësisë. Kjo është një garë ku nuk duhet nxituar, por duhet gjetur zgjidhje të qendrueshme në periudhë afatgjate, u theksua në këtë takim. Prandaj, masat duhet të jenë të targetuara dhe orientuara drejt kategorive më të godituara nga kriza.
Para të pranishmëve, ministri Besimi prezantoi pikësynimet e Rishikimit të Buxhetit, me ç’rast theksi u vëndos mbi përkrahjen e ekonomisë dhe përpjekjet që do të ndërmerren në periudhën e ardhshme, me qëllim që të reagohet ndaj sfidave që kriza ka shkaktuar përmes masave të targetuara.
“Me këtë Rishikim, parashihen mjete financiare në vlerë prej 4.7 miliardë denarëve për masat antikrizë të cilat synojnë dhe targetojnë përkrahjen e kategorive më të prekura të qytetarëve, si dhe ndërmarrjeve më të goditura. Përkrahja shtesë, që nënkupton hyrjen e mjeteve financiare në ekonominë është vlera më e madhe që parashihet për përkrahjen e investimeve, mjetet financiare në dispozicion të kompanive me kushte të favorshme nga linjat kreditore të Bankës Zhvillimore, mjetet financiare në vlerë prej 100 milionë eurove për të cilat bisedohet aktualisht me Bankën Investuese Europiane, por gjithashtu, edhe programet në ZZHIT, Ligji për përkrahje financiare të investimeve, si dhe realizimi i investimeve të parapara kapitale në Buxhet, që planifikohen në nivel prej 520 milionë eurove dhe janë në nivel historikisht më të lartë” theksoi ministri Besimi.
Ministri Besimi, shtoi se sa i përket kahjes në të cilën ministria orientohet gjatë krijimit të polikave, rëndësi të jashtëzakonshme ka bashkëpunimi me sektorin privat me të cilin së bashku duhet të reagojmë ndaj sfidave të krizës energjetike.
Përfaqësuesit e odave ekonomike më të mëdha në vend, mirëpritën masat dhe politikat që ndërmori Qeveria deri më tani në ballafaqimin me krizën dhe porositën se përkrahja e kompanive ka rëndësi të veçantë, sidomos në periudhën që vijon, sepse ato janë burim i të hyrave edhe për qytetarët, të cilët punojnë për ta, por edhe i të hyrave për buxhetin.
Theksuan se fukusi duhet të vendoset sidomos në përkrahjen e fushës së energjisë elektrike, sepse siç thanë, kompanitë nuk mund ta përballojnë për një kohë të gjatë goditjen energjitike. Në takim u diskutua edhe për politikën tatimore, presionin për rritjen e pagave, ndërsa u potencua dhe rëndësia e sektorit të TI-së, i cili shënoi rritje në kushtet e krizës.
Në takimin, i cili u iniciua nga ana e ministrit të Financave, të pranishëm ishin përfaqësuesit nga Oda Ekonomike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veripërendimore, MASIT dhe Lidhja e Odave Ekonomike, si dhe drejtorët e Drejtorisë së të Hyrave Publike dhe Drejtorisë Doganore, si dhe përfaqësuesit nga Kabineti i Kryeministrit.