Reflektimi mbi financat dhe ekonominë në kohë krizash të shumta: Më e vështira është pas nesh

Në fillim të vitit të ri, kontabilistët fillojnë t’i përpilojnë raportet financiare, ku do të pasqyrohen rezultatet e kompanive, me ç’rast statisticienët përgatisin llogaritë vjetore nacionale. Në një mjedis demokratik, bartësit e funksioneve publike rishikojnë arritjet, duke zhvilluar parimet e transparencës dhe llogaridhënies. Ky përfitim demokratik dhe civilizues sigurisht që hap mundësinë e kritikës, por mundëson edhe përmirësimin e performancës në të ardhmen. Ky është rregull i përgjithshëm edhe në jetë, jo rastësisht dhe në kulturat e ndryshme të civilizimit tonë gjatë historisë ekzistojnë periudha festash kur pas periudhave intensive dhe të stuhishme gjatë vitit, si lloj konsensusi bëhet pauzë e përgjithshme dhe reflektim mbi atë që kemi kaluar dhe çfarë kemi mësuar prej saj për ta projektuar të ardhmen më mirë. Sipas këtij këndvështrimi, këtë kolumnë në këto periudha festash e destinova për të reflektuar mbi atë që na ndodhi në këto vite të krizave të shumta në suaza globale të shkaktuara nga turbulencat e pandemisë dhe atyre gjeostrategjike në nivel global, por edhe në Kontinentit Evropian me risqe serioze të sigurisë, risqe dhe pasoja energjetike dhe ekonomike. Jemi dëshmitarë se edhe në historinë e kohëve të fundit ka pasur shumë ngjarje të paprecedentë në këto vite, për të cilat ka shumë për të thënë, por edhe për të mësuar. Pavarësisht dëshirës për të përcjell gjithçka që kemi kaluar dhe kemi bërë në këto vite krize, veçanërisht në fushën e financave publike, duke iu referuar hapësirës në këtë kolumnë dhe me respekt për kohën e lexuesve, vendosa të shkruaj vetëm për një pjesë që konsideroj se do të jetë ende e dobishme si përvojë, por njëkohësisht edhe mundësi për kritika dhe debate se si të përballemi më mirë me sfida të ngjashme në të ardhmen.

Financat SMART

Që nga dita e parë që kam marrë postin e ministrit të Financave jam angazhuar për financat SMART, ose sistemin e zgjuar të menaxhimit të financave publike. Ky sistem bazohet në strategji të qartë, qëndrueshmëri, përgjegjësi, reforma dhe transparencë (S-strategical, M-maintainable, A-accountable, R-reform-oriented, T-transparent). Kur zbatohet një proces i gjerë reformash, me të cilin vendoset sistemi i ri si bazë e sektorit publik, ekonomisë dhe shoqërisë, adekuate është që gjatë procesit të rikthehemi, të shohim se nga kemi nisur, çfarë kemi arritur dhe nëse jemi në rrugën e duhur për arritjen e qëllimeve. Në fakt, gjatë menaxhimit, kontrolli është pjesë thelbësore e procesit të udhëheqjes.

Në tre vitet e fundit u zbatuan disa reforma sistemore në financat publike, përkatësisht u krijua korniza për menaxhimin strategjik të përgjegjshëm, të qëndrueshëm, efikas, llogaridhënës dhe transparent të financave publike. Me këtë ndërlidhen reformat për përshpejtimin e rritjes dhe përforcimin e konkurrencës dhe rezistencës së ekonomisë vendase. Për një periudhë relativisht të shkurtër kohore është vendosur korniza e re afatmesme për buxhetimin, rregullat për menaxhimin prudent fiskal, masat për shpërndarjen optimale të burimeve në funksion të qëndrueshmërisë, si dhe mekanizmat për avancimin e realizimit të buxhetit. Respektivisht u vendosën zgjidhje ligjore sistemore për përcaktimin e drejtë të pagës minimale dhe harmonizimin e pagave në sektorin publik, si dhe harmonizimin e pensioneve në përputhje me rritjen e pagës mesatare dhe kostos së jetesës. U krijua korniza strategjike për politikën tatimore për tatimim më të drejtë, më efikas dhe efektiv, që është edhe funksion i qëndrueshmërisë fiskale. U përcaktua korniza strategjike, plani dhe masat për reduktimin e ekonomisë gri. U miratuan reforma për avancimin e procesit të decentralizimit fiskal, me llogaridhënie më të madhe dhe nxitje të mirëqeverisjes. U vndosën instrumente të reja financiare për diversifikimin e portofolit të borxhit dhe për mobilizimin e kapitalit në vend në funksion të rritjes dhe zhvillimit. U përcaktuan mekanizma për nxitjen e financimit të gjelbër për përballimin me ndryshimet klimatike. Disa projekte zbatohen në drejtim të përmirësimit të shërbimeve publike, nëpërmjet dixhitalizimit të proceseve.

Ndërkohë që po zbatohej ky proces i madh reformash në financat publike, ekonomia globale dhe e brendshme kaluan në disa kriza, të cilat u ndërlidhën njëra me tjetrën, madje edhe u ndërthurën. Ministria e Financave kishte rol aktiv në përballimin e krizave nëpërmjet financimit të pandërprerë të të gjitha funksioneve të shtetit, nëpërmjet pjesëmarrjes në hartimin dhe zbatimin e masave antikrizë, si dhe zbatimin e politikave për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Axhenda reformuese, krahas turbulencave më të mëdha që kanë ndodhur në ekonominë globale në gjysmën e shekullit të kaluar janë sfidë e madhe për çdo institucion, jo vetëm në vendin tonë, por në përgjithësi në nivel ndërkombëtar.

Do të përpiqem t’i jap shkurtimisht kontekst këtij shtjellimi, në të cilin u zhvillua procesi më i madh reformues në financat publike në dy dekadat e fundit.

Konteksti ekonomik global dhe i brendshëm

Në tremujorin e parë të vitit 2020 filloi kriza më e madhe me të cilën është përballur ekonomia globale në njëqind vitet e fundit, e njohur si kriza e COVID-19 ose “Izolimi i madh”. Gjatë vitit 2020, kriza i përfshiu të gjitha ekonomitë në botë me rënie të mprehtë të çmimit të naftës dhe kolapsin e disa degëve industriale, të cilat ishin të ekspozuara drejtpërdrejt ndaj masave shëndetësore, siç është shumica e industrisë së shërbimeve. Ndalimi i plotë i aktivitetit ekonomik në degët e caktuara ndikoi në rritjen e shpejtë mbi papunësinë, pastaj mbi konsumin, duke rezultuar me rezultat ekonomik global në vitin 2020, me PBB prej -2.8%.

Si rezultat i pandemisë në vitin 2020, ekonomia jonë shënoi rënie të PBB-së për 4.7%, që është e barabartë me mesataren në rajonin e Evropës Juglindore, ekonomi që janë në mënyrë gjeografike, institucionale, kulturore dhe strukturore afër nesh. Megjithatë, nëse nuk do të ishte siguruar reagimi fuqishëm fiskal, në trjtën e gjashtë pakove të masave antikrizë (gjithsej nëntë pako të masave të miratuara antikrizë), institucionet ndërkombëtare vlerësojnë se rënia do të ishte pothuajse dy herë më e lartë. Reagimi qeveritar kontribuoi në ruajtjen e vendeve të punës, likuiditetin e kompanive, sigurinë sociale dhe stabilitetin makroekonomik.

Një vit më pas, me zbatimin e procesit të imunizimit dhe me hapjen e ekonomisë, aktiviteti ekonomik global kishte rimëkëmbje solide. Ekonomia jonë shënoi rritje prej 4.5% në vitin 2021. Qeveria vazhdoi përkrahjen financiare për qytetarët dhe kompanitë për ruajtjen e stabilitetit social dhe ekonomik, si dhe rikuperimin e ekonomisë.

Megjithatë, rruga e rikuperimit ekonomik ishte me pengesa, të cilat pasuan kryesisht nga çrregullimi i ekuilibrit të tregut për shkak të rënies së theksuar të kërkesës dhe ofertës së ekonomisë globale dhe nacionale. Si rezultat i çrregullimit të marrëdhënieve të tregut të shkaktuara nga kriza e Covid-it, kriza energjetike ndodhi në fund të vitit 2021. Karantina gjatë vitit të kaluar dhe kufizimet e udhëtimeve ndikuan në uljen e theksuar të kërkesës për karburante, si dhe çmimeve të tyre, të cilat ranë në nivelin më të ulët në dekadat e fundit. Por gjatë realizimit të kufizimeve, kërkesa për energji u rikthye dhe ndërkohë që shfrytëzimi u rrit, dërgesat vazhduan të hasin në pengesa, duke ndikuar mbi çmimet. Si përmbledhje, kriza energjetike ishte rezultat i mungesës globale të energjisë, e cila u transformua në rritjen e çmimeve të larta. Në fillim të vitit 2022, me fillimin e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, situata me ofertën e energjensave u përkeqësua më tej. Duke marrë parasysh që çmimet e energjensave janë input në pothuajse çdo produkt, rritja e tyre bëri presion mbi inflacionin. Në krizën e çmimeve, gjithashtu kontribuoi edhe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore si rezultat i luftës në Ukrainë, një nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë.

Reagimi i Qeverisë sonë përmes masave antikrizë vazhdoi gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo u zbatua me subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike dhe lehtësimin e pasojave të çmimeve të larta të produkteve ushqimore, përmes masave për fiksimin e çmimeve të produkteve bazë, rritjen e pagës minimale, pensionet, pagat në sektorin publik, si dhe shtesat financiare të njëhershme për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve.

Në vitin 2022 dhe 2023, rikuperimi i ekonomisë vazhdoi, megjithëse jo me normat e dëshiruara të rritjes ekonomike, që në masë të madhe ishte si rezultat i mjedisit të jashtëm, ndaj të cilit, si ekonomi e vogël dhe e hapur (me ekspozim tregtar prej 140% të PBB-së) ne jemi më të prekur.

Luftimi i krizave i kushtoi buxhetit 2.7 miliardë euro

Gjatë periudhës së kaluar, në disa raste u prezantua sesi kemi reaguar ndaj krizave me disa masa dhe politika, si dhe me pako të veçanta të masave antikrizë që i kushtuan buxhetit gjithsej rreth 2.7 miliardë euro, të projektuara në nëntë pako. Këto përfshijnë masa të ndryshme në varësi të goditjeve të jashtme dhe kategorive të qytetarëve dhe kompanive. Me ç’rast mbrojtja ishte e domosdoshme në këtë drejtim. Grupi i masave për të reaguar ndaj pandemisë kushtoi gjithsej rreth 1.2 miliardë euro, me qëllimin kryesor mbi shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ruajtjen e vendeve të punës dhe gjallërimin e ekonomisë e cila hibernon. Grupi i dytë i masave, respektivisht grupi i masave si reagim ndaj krizës energjetike dhe më tej asaj të çmimeve, kushtoi rreth 760 milionë euro, kryesisht për absorbimin e ndikimit të krizës ndaj kategorive të ndjeshme sociale të qytetarëve dhe ekonomisë. Pakoja e fundit e masave arrin në 662 milionë euro dhe është kryesisht reagim ndaj efektit të zgjatur të krizës së çmimeve, që konsiston në masat për mbrojtjen e standardit të qytetarëve, ndihmën për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, por edhe përkrahjen për ekonominë me kredi të favorshme në kushtet e normave të larta të interesit, aspekt vendimtar ky për likuiditetin, por edhe për investimet në ekonomi me komponentin zhvillimor për rritje të qëndrueshme, tranzicion të gjelbër dhe transformim dixhital. Duke pasur parasysh faktin se krizat ishin të shumta dhe të ndërthurura me implikime të ndryshme në disa fusha dhe me vetë faktin se paparashikueshmëria bëhej më aktuale dhe në rritje, ndërkohë që hapësira fiskale ngushtohej, strategjia e projektimit të masave antikrizë u zhvillua nga ndërhyrje të përgjithshme dhe të shpejta, drejt ndërhyrjeve selektive, më të targetuara dhe më të kujdesshme për të mos cenuar parimet e tregut dhe për ta ruajtur hapësirën fiskale për të reaguar ndaj situatave të paparashikueshme të krizave në të ardhmen, por njëkohësisht për t’i përkrahur investimet dhe reformat strukturore për arritjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe të përshpejtuar në periudhën afatmesme dhe afatgjate.

Qasje strategjike për kosolidim fiskal

Por, më lejoni t’i rikthehem temës kryesore, përkatësisht reformave të realizuara në financat publike dhe efekteve të tyre. Krizat sollën më shumë sfida në ekonomi, disa prej të cilave kërkonin zbatim më të shpejtë të procesit reformues. Si pasojë e pandemisë dhe reagimit agresiv për ruajtjen e aktivitetit ekonomik dhe vendeve të punës, shumica e ekonomive në zhvillim përjetuan thellim të borxhit publik. Me fillimin e krizës energjetike dhe inflacionit, gara e qeverive u kthye në maratonë, ndërsa hapësira fiskale për reagim ngushtohej gjithnjë e më shumë.

Nëpërmjet planit konsistent për konsolidimin fiskal të përfshirë në strategjitë fiskale, strategjitë e menaxhimit të borxhit publik, por edhe planit për qëndrueshmërinë fiskale (me masa konkrete në anën e të hyrave dhe shpenzimeve) arritëm ta ruanim stabilitetin për të gjithë periudhën e krizës, si dhe gradualisht ta reduktojmë deficitin fiskal dhe borxhin publik. Konkretisht, nga viti 2021, borxhi publik dhe ai shtetëror është në rënie të vazhdueshme, kështu që sipas të dhënave më të fundit për tremujorin e tretë të vitit 2023, ato reduktohen në 55.3%, respektivisht 47.8% të PBB-së, që është për 4.4, respektivisht 3 pikë përqindje më pak krahasuar me vitin e pandemisë. Njëkohësisht, deficiti buxhetor është reduktuar nga 8% në vitin 2020, në 4.6% në vitin 2023.

Angazhimi për konsolidimin e mëtejshëm fiskal vazhdon me buxhetin e vitit 2024. Për këtë vit, deficiti buxhetor parashihet në 3.4% të PBB -së, përkatësisht zvogëlohet me pothuajse një të tretën krahasuar me vitin e kaluar. Duhet të theksohet se gjysma e deficitit destinohet për pagesën e interesit për borxhin e akumuluar nga e kaluara. Sipas projeksioneve afatmesme të përfshira në Strategjinë fiskale deri në vitin 2028, deficiti buxhetor në vitin 2025 dhe 2026 duhet të reduktohet në 3% ose në përputhje me kriteret e Mastrihtit, ndërsa në vitin 2027 dhe 2028 ai duhet të bjerë nën 3% të PBB-së, përkatësisht në 2.8 % dhe 2.5 % të PBB-së.

Dua të theksoj se zbatimi i konsolidimit fiskal nuk është vetëm në drejtim të racionalizimit të anës së shpenzimeve të buxhetit, por edhe përmirësimit të arkëtimit të pjesës së të hyrave. Këtu do ta përmend reformën tatimore për zgjerimin e bazës tatimore, e cila përmirësoi arkëtimin e të hyrave pa rritur asnjë tatim. Në drejtim të përmirësimit të pjesës së të hyrave të buxhetit është edhe luftimi kundër ekonomisë gri, që kryhet në mënyrë strategjike dhe planifikuese, sistemore, nëpërmjet një sërë masash, ku përfshihet dixhitalizimi i proceseve, si dhe forcimi i moralit tatimor.

Ulja e kostove të interesit pavarësisht shtrëngimit të tregjeve financiare

Një nga reformat kruciale të zbatuara në financat publike në drejtim të qëndrueshmërisë fiskale është vendosja e rregullave fiskale dhe themelimi i Këshillit Fiskal që do ta mbikëqyrë zbatimin e tyre. Me miratimin e Ligjit reformues të Buxheteve në vitin 2022 u vendosën rregullat numerike për vlerën e borxhit publik dhe deficitin buxhetor në përputhje me kriteret e Mastrihtit. Ndryshe, Kuvendi përzgjodhi anëtarët e organit të pavarur që kryen mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave fiskale, gjegjësisht Këshillin Fiskal i cili aktualisht është plotësisht operativ.

Këshilli Fiskal, sipas mendimit të tij për buxhetin e vitit 2024, bëri observim shumë domethënës, i cili është një tregues tjetër i efekteve të menaxhimit të borxhit publik. Përkatësisht, ata theksojnë se “të gjitha analizat lidhur me koston e financimit të deficiteve aktuale, si dhe pagesën e borxheve dhe interesit të përllogaritur, tregojnë se gjatë 2-3 viteve të fundit është vërejtur përmirësim, pavarësisht situatës së përkeqësimit, krizave dhe mundësive në tregjet e kapitalit, që është tregues inkurajues i politikës prudente fiskale dhe menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike”.

Menaxhimi i përgjegjshëm zvogëlon koston e interesit të paguar nga shteti. Kjo është në fakt strategjia jonë e qëndrueshmërisë së borxhit – nga njëra anë, për ta reduktuar gjithnjë e më shumë hendekun midis të hyrave dhe shpenzimeve në buxhetin që do të financohet, si dhe njëkohësisht për ta optimizuar koston e huamarrjes dhe afatizimin. Kontribut i rëndësishëm këtu është norma më e ulët historike e interesit për euroobligacionin e emetuar në vitin 2021 me1.65%, si dhe portofoli i përkrahjes buxhetore me programet e nënshkruara me institucionet financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka e Zhvillimit të Gjermanisë, OPEC-u, Banka e Këshillit të Evropës, si dhe Korniza Makrofinanciare nga Bashkimi Evropian dhe financimi i projekteve infrastrukturore me kredi të favorshme nga BERZH-i, BEI-ja dhe institucione të tjera. Qasje e ngjashme është shfrytëzuar për sigurimin e huave të favorshme për ekonominë nëpërmjet Bankës sonë Zhvillimore me hua nga institucionet financiare ndërkombëtare të mësipërme.

Ndryshimi i strukturës buxhetore: qëndrueshmëri dhe zhvillim

Aspekti i tretë i qëndrueshmërisë fiskale lidhet me faktin se ku shpenzohen paratë. Rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ka forcimi i komponentit investues të buxhetit, respektivisht ndryshimi i strukturës së tij. Domethënë, dy buxhetet e fundit janë përshtatur sipas rregullit të artë në financat publike, që huamarrja të bëhet vetëm për investime, të cilat më pas do të sjellin vlerë të shtuar në ekonomi. Shuma për investime kapitale qeveritare është rritur dukshëm, respektivish u dyfishua krahasuar me periudhën trevjeçare. Shpenzimet kapitale vitin e kaluar tejkaluan shumën e deficitit buxhetor, ndërsa realizimi i tyre ishte 707 milionë euro, që është realisht realizimi më i lartë historik, si në vlerë nominale ashtu edhe në atë relative. Realizimi në raport me planin është 97%. Për krahasim, realizimi i shpenzimeve kapitale ndër vite ka lëvizur rreth 70% (për shembull, në vitin 2005 ishte 69%, në vitin 2016 ishte 76%). Në raport me vitin 2022, shpenzimet kapitale janë 52% më shumë dhe arrijnë 4.9% të PBB-së për ndryshim nga mesatarja paraprake prej 3% të PBB-së.

Përmirësimi i realizimit të investimeve kapitale, si pjesë zhvillimore e buxhetit është për shkak të disa mekanizmave të vendosura gjatë tri viteve të fundit. Një prej këtyre mekanizmave është “ndëshkimi” dhe “shpërblimi” i institucioneve, sipas performancës gjatë realizimit të shpenzimeve kapitale, i njohur si CAPEF. Me këtë mekanizëm u tajkalua problemi i rëndësishëm që ekzistonte në buxhet vite me rradhë, gjegjësisht problem i shpenzimeve kapitale “vetëm në letër”. Ky problem zgjidhet edhe përmes buxhetimit afatmesëm, të cilin e prezantuam me miratimin e Ligjit të ri të Buxheteve, me të cilin përforcohet procesi i planifikimit sipas treguesve të performancës, që është veçanërisht i rëndësishëm për projektet e mëdha kapitale, të cilat zbatohen në disa vite fiskale. Përforcimi i realizimit të shpenzimeve kapitale është edhe për shkak të vendosjes së njësive për planifikim dhe kontroll të investimeve publike, përkatësisht Njësisë së Vlerësimit të Investimeve Publike (PIMA), si dhe Komitetit në nivel qeveritar për përcaktimin e projekteve prioritare.

Mbi një miliard euro përkrahje buxhetore për kompanitë

Kur flasim për strukturën e buxhetit dhe në kuadër të komponentit zhvillimor, dua ta nënvizoj faktin se ofrohet përkrahje e konsiderueshme për sektorin privat dhe investimet private edhe përmes përkrahjes direkte buxhetore, e cila në tre vitet e fundit arrin në 550 milionë euro. Këtu përfshihen masat dhe aktivitetet e Bankës Zhvillimore, Fondit të Inovacionit, Drejtorisë së ZZHTI-së, si dhe përkrahja sipas Ligjit të Përkrahjes Financiare të Investimeve. Gjatë tri viteve të fundit, me këto mjete u përkrahën 11.491 kompani me 119.000 të punësuar. Kjo ka nxitur investimet prej 2.1 miliardë eurove nga kapaciteti afarist në ekonominë tonë. Kur në këtë drejtim shtohen edhe mjetet e parapara nga buxheti i vitit 2024 dhe pakoja e fundit e masave antikrizë, përkrahja për kompanitë nga mjetet buxhetore dhe huatë e favorshme tejkalon një miliard euro.

Gjithashtu do të theksoj se me emetimin e instrumenteve të reja financiare në tregun e kapitalit, mobilizohen mjete shtesë në fonde të ndryshme (si Fondi i Investimeve të Gjelbra etj.) që do të shfrytëzohen për përkrahjen e aktivitetit investues të sektorit privat. Gjithashtu, ka pasur përkrahje të vazhdueshme për sektorin privat përmes programeve të tjera qeveritare, si dhe masave aktive në tregun e punës përmes Agjencisë së Punësimit.

Sistem i qëndrueshëm i pagave dhe pensioneve

Në drejtim të qëndrueshmërisë së financave publike, në tre vitet e fundit u realizuan reforma sistemore për përcaktimin e pagës minimale, si dhe sistemi për harmonizimin e pensioneve dhe pagave në sektorin publik. Këto sisteme u vendosën mbi baza të qëndrueshme për sigurimin e qëndrueshmërisë, si dhe drejtësisë dhe mbrojtjes së standardeve të qytetarëve. Si rezultat i tyre kemi rritje të vazhdueshme të pagës minimale, pensioneve dhe gjithashtu në disa raste në mënyrë sektoriale, si dhe me rritjen e fundit lineare vitin e kaluar sigurohet rritja e vazhdueshme në pagat e të punësuarve në sektorin publik. Ajo që nuk duhet të lihet me këtë rast është fakti se në të ardhmen është domethënëse që të përkrahen reformat strukturore që do të kontribuojnë në rritjen e produktivitetit dhe kështu konkurrencën e ekonomisë sonë në mënyrë që këto politika të përmirësimit të standardit të qytetarëve të jenë të qëndrueshëm në periudhë afatmesme dhe afatgjate.

Avancimi i decentralizimit fiskal

Një nga reformat sinjifikative, të cilën e lashë për përmbylljen e këtij prezantimi është avancimi i decentralizimit fiskal, që ka rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik. Reforma përbëhet nga tre shtylla – përmirësimi i kapaciteteve fiskale dhe rritja e të hyrave të komunave, rritja e disiplinës fiskale, si dhe transparenca dhe llogaridhënia në punën e tyre. Në kuadër të reformës vërehet rritje e mjeteve të alokuara për komunat nga detyrimet e arkëtuara në buxhetin qendror, por edhe rritje e të hyrave vetanake të komunave, si dhe fondeve që përkrahin performancën e mirë, përkatësisht Fondi i Performacës dhe Fondi i Barazimit. Komunat që tregojnë rezultate pozitive dhe që kanë realizim më të lartë të të hyrave vetanake do të sigurojnë mjete nga Fondi i Performancës, ndërsa mjete nga Fondi I Barazimit do t’u sigurohen komunave që kanë të hyra më të ulëta, por që tregojnë përpjekje fiskale dhe rezultate të mira në arkëtimin e të hyrave vetanake.

Me buxhetin për këtë vit dhe dy vitet paraprake bazuar në rritjen e planifikuar të përqindjes së të hyrave nga TVSH-ja për komunat, shuma është rritur nga 4.5% në 6% të shumës së TVSH-së së arkëtuar në vitin paraprak. Kjo qasje për rritjen e të hyrave për komunat u zbatua edhe për tatimin mbi të ardhurat personale, ku pjesëmarrja që destinohet për komunat në tre vitet e fundit është rritur nga 3% në 6%. Këtu përfshihen edhe fletobligacionet strukturore të komunave, me të cilat lehtësohet menaxhimi me likuiditetin dhe borxhet komunale.

Për t’i përmbledhur më gjerësisht të gjitha reformat e realizuara gjatë tri viteve të fundit në financat publike, do të më duhej shumë më tepër hapësirë. Por qëllimi i kësaj kolumne nuk është të përmbledh gjithçka që është bërë, por të merren në konsideratë efektet aktuale të reformave që duhet të japin kontribut afatgjatë në zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë fiskale.

As viti 2024 nuk paralajmëron “lundrim të qetë

Jetojmë në kohë shumë të paparashikueshme për ekonominë globale, ku siç konstatohet në prospektet e vitit 2024 të Kombeve të Bashkuara, ajo “nën ndikimin e rezistencës së ulët, përballet me risqe ndjeshmëri”. Në raport paralajmërohet për risqe të kushteve të zgjatura kreditore më të shtrënguara, investime të dobëta dhe gjeofragmentim kundrejt globalizimit, me ç’rast tregtia globale po humbet rolin e saj si nxitëse e aktivitetit ekonomik. Hapësira fiskale e shumicës së vendeve është mjaft e ngushtë, fakt ky që i bën ato të ndjeshme ndaj goditjeve eventuale. Ekonomistët i lokalizojnë risqet në vazhdimin e luftës në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, krizën që rezultoi nga tregu i patundshmërive në Kinë, industrinë gjermane, përkujdesin e bankierëve qendrorë etj. E gjithë kjo na tregon se edhe në vitin 2024, në nivel global nuk mund të presim “lundrim të qetë”, e përveç kësaj, tek ne gjatë muajit maj kemi zgjedhje parlamentare dhe presidenciale, të cilat sigurisht do të kenë ndikim në dinamikën e aktiviteteve ekonomike.

Vazhdimisht i cekim normat e rritjes ekonomike prej 5% në mënyrë që ekonomia jonë të arrijë më shpejt konvergjencën drejt ekonomisë evropiane dhe që qytetarët t’i ndjejnë përfitimet e rritjes. Këto norma nuk janë të paarritshme, përkundrazi besoj se nëse konteksti global do të ishte i ndryshëm edhe nëse nuk do të ishim përballur me kriza të paprecedentë, siç shihen ndoshta një herë në shekull, ka shumë mundësi që ato norma të ishin realizuar. Në këtë kolumnë kam pasqyruar bazat dhe në kolumnën e ardhshme do të ndërlidhem me krijimin e ekonomisë që sjell zhvillim të shpejtë, inkluziv dhe të qëndrueshëm, që na nevojitet për sigurimin e jetesës më me prosperitet për qytetarët. Evaluim, strategji e duhur, plan solid, qasje inkluzive,masa të detajuara dhe të konstruktuara, si dhe realizim. Kjo është rruga drejt zhvillimit ekonomik.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…