Takimi i Ademit dhe anëtarëve të KÇE-së me Delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës

Integrimi në BE tani është qëllimi ynë i përbashkët, ndërsa për Republikën e Maqedonisë së Veriut tashmë është absolvuar anëtarësimi në NATO, prandaj edhe nga ky pozicion mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Aleancë, tha kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane (KÇE) Arbër Ademi, në takimin e sotëm me Delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryetarja e këtij trupi të punës, Arbëresha Kryeziu – Hyseni.

Në takimin me deputetët e Kosovës në Kuvendin e RMV-së, ku morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të KÇE-së, Ademi theksoi se Maqedonia e Veriut e mbështet anëtarësimin e Kosovës edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare në të cilat vendi ynë tashmë është anëtar, sepse, siç tha, ne jemi pjesë e Evropës.

Deputetja e Kosovës, Kryeziu – Hyseni, në fjalën e saj theksoi se Kosova për momentin është në një situatë specifike, përkatësisht në një lloj udhëkryqi politik, por që përveç kësaj, shoqëria duhet të orientohet edhe në çështjet e tjera që janë në interes të shtetit.

Kryeziu – Hyseni tha se pret mbështetje nga RMV-ja në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Besoj, tha ajo, se do t’ju ndjekim në rrugën drejt BE-së, si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare ku tashmë jeni anëtarë.

Deputeti Halil Snopçe tha se Maqedonia e Veriut dhe Kosova si shtete janë në pozicione të ndryshme, por nga ana tjetër, të ngjashme në procesin integrues, veçanërisht nga aspekti i marrëdhënieve me disa nga vendet fqinje.

Deputetja nga Kosova, Time Kadrija vuri në dukje se përkundër sfidave me të cilat përballen të dyja vendet në rrugën integruese, Maqedonia e Veriut është në pozitë më të favorshme për shkak të anëtarësimit në NATO.

Bahrim Shabani, si përfaqësues i boshnjakëve në Kuvendin e Kosovës, theksoi se komunitetet joshumicë atje i mbështesin institucionet e Kosovës dhe janë të integruara në sistem nga të gjitha aspektet.

Në këtë kontekst, deputetja Sanella Shkriel vlerësoi se edhe përvoja e RMV-së dëshmon se përfshirja e komuniteteve më të vogla është me rëndësi të veçantë për zhvillimin e proceseve demokratike dhe për relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike. Avancimi i të drejtave të të gjitha komuniteteve, tha ajo, në fakt është një nga segmentet thelbësore të procesit interaktiv.

Deputetja Zhaklina Peshevska vlerësoi se presioni i jashtëm ndaj vendeve tona lidhur me integrimet ndoshta do të ishte më i dobët nëse do të kishte konsensus të brendshëm. Ajo gjithashtu vuri në dukje se zvarritja e procesit të anëtarësimit në BE kontribuoi në rritjen e euroskepticizmit në vend.

Deputetja Monika Zajkova, nga ana tjetër, tha se do të ishte mirë që Ballkani Perëndimor të integrohet në një pako në BE, sepse në këtë mënyrë do të shmangen pengesat me të cilat ballafaqohen disa vende për shkak të marrëdhënieve me fqinjët.

Related posts

Reagim plotësues nga Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me incidentet e fundit

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër edhe aktin e djegies së flamurit shqiptar, që përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj simboleve dhe…

Ali Ahmeti uron 28 nëntorin: Përjetësi Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar kombin shqiptar me rastin e 28 nëntorit duke thënë që liria nuk…

Ali Ahmeti takon shoqatat e shqiptarëve në Kroaci: Mirënjohës Amerikës për jetë të jetëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, ka takuar të gjitha shoqatat e shqiptarëve në…