Përballja me krizën, vazhdimi i reformave dhe ruajtja e nivelit të rritjes

Pas tre dozave të vaksinave, javën e kaluar dola pozitiv me kovid, me ç’rast një javë kalova në izolim në shtëpi dhe shkrova këtë kolumnë dhe falë teknologjisë nuk pati ndërprerje të punës dhe të gjitha takimet e planifikuara i realizova virtualisht. Komplimente për të punësuarit në Ministrinë e Financave që ishin gjatë gjithë kohës në krye të detyrës, si dhe për udhëheqësnë me të cilët funksionojmë si një ekip. Por qëllimi im është në një aspekt tjetër, ne tashmë po përballemi me një krizë tjetër, krizën energjetike dhe inflacionin si dhe pasiguritë e mëdha në tregje nga lufta në Ukrainë, ndërsa ende nuk ka përfunduar kriza e mëparshme, përkatësisht kriza e kovidit është ende e pranishme. Pra, kemi përkim të krizave, njëra pas tjetrës, kjo në aspektin kumulativ e bën situatën më të vështirë që nga Lufta e Dytë Botërore.     Përkimi i krizave, njëra pas tjetrës   Aftershock – goditje, efekt nga goditjet e madha paraprake ose thënë më mirë përkim krizash – njëra pas tjetrës. Kjo përshkruan më së miri atë që po ndodh me ekonominë botërore aktualisht. Ky është Aftershock-u i krizës së shkaktuar nga pandemia kovid-19, i stimuluar më tej nga zhvillimet gjeopolitike që kulmuan në luftën në Ukrainë. Kriza e koronës është kriza më e madhe ekonomike me të cilën është përballur bota që nga Depresioni i Madh. Megjithatë, ekonomia botërore shumë shpejt arriti të ngrihej në këmbë. Pas rënies së ekonomisë globale në vitin 2020 prej -3.1%, në vitin 2021 pasoi rimëkëmbja e shpejtë me rritje të fuqishme të PBB-së prej 6.1%. Falë reagimit pa kompromis dhe të fuqishëm të hartuesve të politikave, bota arriti ta kapërcejë këtë krizë shumë më shpejt dhe në mënyrë më efektive sesa kriza financiare globale. Ekonomive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim iu desh vetëm një vit për t’u rikthyer në nivelin para krizës, në krahasim me krizën globale financiare, ku goditja ishte më e lehtë, por zgjati më shumë.   Por, ndërsa bota dhe ekonomia u rikuperuan me sukses nga pandemia, u shfaq një kërcënim i ri – aftershock-u. Si pasojë e ngadalësimit apo ndërprerjes së tërësishme të aktivitetit ekonomik, oferta lidhur me mallrat dhe shërbimet në tregjet botërore pësoi rënie. Gjatë hapjes së sërishme të ekonomisë, oferta nuk arriti t’i përgjigjej rritjes së shpejtë të kërkesës dhe si rrjedhojë pati rritje të çmimeve në bursat botërore, veçanërisht të energjisë dhe disa prej produkteve primare. Sigurisht, ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar lidhur me këtë. Kishte një sërë zhvillimesh rajonale që kontribuan në mungesën e energjisë, duke përfshirë përpjekjet e Bashkimit Evropian për zvogëlimin e emetimeve të CO2.   Rritja e çmimit të energjisë në bursat botërore, duke përfshirë edhe produktet e tjera primare, kanë nxitur presionet e përgjithshme të çmimeve, të cilat përmes tregjeve ndërkombëtare janë përhapur në ekonomitë nacionale. Këto presione arritën kulmin pas fillimit të invazionit rus në Ukrainë, duke pasur parasysh rëndësinë e Rusisë dhe Ukrainës në zinxhirët evropian dhe botëror të furnizimit. Evropa pothuajse 40 për qind të gazit natyror dhe 25 për qind të naftës i furnizon nga Rusia, ndërsa një e treta e eksportit botëror të grurit vjen nga Rusia dhe Ukraina, si dhe një e pesta e eksportit të misrit dhe 80 për qind nga eksporti i vajit të lulediellit.   Kjo rezultoi në rritjen e normave të inflacionit, të cilat për shumicën e ekonomive thyejnë rekordet e vendosura dekada më parë. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILOSTAT), norma vjetore e inflacionit në nivel global, e matur me indeksin e çmimeve (CPI) në muajin mars u rrit në 9.2%, që është rritje në krahasim me muajin shkurt kur i njëjti indeks ishte 7.5%, në muajin janar 6.8%, ndërsa në muajin dhjetor të vitit 2021 ishte 6.4%. Si përkujtesë, në dekadën e kaluar norma e inflacionit ishte e ulët në mënyrë konstante, madje shumë e ulët dhe për disa banka qendrore ishte sfidë për arritjen e targeteve. Pritshmëritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë që në muajin prill tek ekonomitë e zhvilluara norma e inflacionit këtë vit të jetë mesatarisht 5.7%, ndërsa për vendet në zhvillim 8.7% ose 1.8 dhe 2.8 pikë përqindjeje më e lartë se projeksionet e muajit janar.   Njëkohësisht, me rritjen e presioneve të çmimeve, të nxitura kryesisht nga rritja e çmimeve të energjensave, ushqimit dhe disa produkteve të tjera primare, përkeqësohen perspektivat edhe për rritjen e ekonomisë globale. FMN-ja pret që rritja globale të ngadalësohet nga 6.1% e rritjes së PBB-së në vitin 2021 në 3.6% në vitin 2022 dhe 2023. Ky është rishikim në rënie me 0.8 dhe 0.2 pikë përqindjeje në krahasim me projeksionin e muajit janar, përkatësisht pas fillimit të luftës në Ukrainë. Megjithatë, skenari bazë është që këtë vit ekonomia të jetë pozitive, siç është rasti i aftershock-ut, që është një goditje më e vogël se goditja paraprake.     Trekëndëshi i paevitueshëm për hartuesit e politikave ekonomike   Lufta në Ukrainë solli një dilemë të rëndësishme për hartuesit e politikave. Nga njëra anë është ballafaqimi me inflacionin dhe nga ana tjetër është mospengimi i rimëkëmbjes së ekonomisë. Gjithashtu, nga njëra anë janë masat dhe përkrahja e kategorive të ndjeshme dhe nga ana tjetër përforcimi i baferëve fiskalë, konsolidimi dhe stabilizimi i borxhit.   Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore këshillojnë se politika fiskale duhet të adaptohet sipas shkallës së ekspozimit ekonomik ndaj luftës në Ukrainë, gjendjes së pandemisë dhe rrjedhës së rimëkëmbjes së ekonomisë. Nga njëra anë, për shkak të ekspanzionit të domosdoshëm fiskal në shumicën e vendeve gjatë pandemisë, borxhi arriti një rekord të lartë. Gjithashtu, si rezultat i reagimit të bankave qendrore ndaj presioneve të çmimeve përmes ngushtimit të politikës monetare, qeveritë përballen me norma të larta të interesit në tregjet e kapitalit. Megjithatë, nevoja për konsolidim nuk duhet t’i pengojë qeveritë që t’u japin prioritet masave të duhura për përkrahjen e standardit të kategorive të ndjeshme të qytetarëve, sensitivë ndaj presioneve të çmimeve dhe mbrojtjen e ekonomisë.   Përballë krizave njëra pas tjetrës dhe përballë sfidës që të mos devijojmë nga ambicia e përcaktuar për rritje dhe zhvillim, trekëndëshi imponohet në mënyrë të paevitueshme në arritjen e këtyre tre qëllimeve: përballimi i krizës, ruajtja e nivelit të rritjes dhe konsolidimi fiskal. Njëkohësisht, kriza kërkon reagime të shpejta dhe krijon kosto shtesë për buxhetin, ndërsa ruajtja e nivelit të rritjes kërkon politika dhe reforma konzistente që do të japin efekt në periudhë afatgjate dhe konsolidimi fiskal është “conditio sine qua non” (kusht pa të cilin nuk mundet) në periudhë afatmesme.   Nga aspekti i menaxhimit të financave publike, arritja e qëllimeve të trekëndëshit të paevitueshëm trajtohet nga tre anët e buxhetit: ana e shpenzimeve me shkurtime dhe riproritizim, ana e të hyrave me reforma për efikasitet dhe konsolidim më të madh dhe ana e financimit me instrumente të qëndrueshme.     Rishikimi i buxhetit: Mjete për masa të reja dhe shkurtime kudo që lejohet   Ekonomia jonë, si e vogël dhe e hapur (me 140% të PBB-së), i nënshtrohet zhvillimeve ekonomike globale, veçanërisht zhvillimeve në ekonominë e BE-së. Kriza ruso-ukrainase, në mënyrë indirekte, përmes ekonomisë evropiane u reflektua edhe në vendin tonë. Kanalet përmes së cilave tashmë ndihet kjo krizë është rritja e çmimit të produkteve primare, veçanërisht të ushqimeve dhe energjensave. Resprektivisht, inflacioni në muajin prill shënoi normën më të lartë (10.5%) që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë. Kanalet e tjera përmes së cilave kjo krizë mund të ndikojë në ekonominë tonë janë tregtia, rënia e besimit të konsumatorëve dhe kështu edhe konsumi dhe ngushtimi i tregjeve financiare ndërkombëtare.   Sipas kësaj, pritshmëritë për rritje gjatë këtij viti nuk mund të korrespondojnë me rritjen e projektuar të PBB-së në buxhetin e këtij viti, që u miratua para ngjarjeve në Ukrainë dhe arriti në 4.6%. Pritshmëritë e institucioneve financiare ndërkombëtare për këtë vit për ekonominë tonë janë rreth 3% rritje e PBB-së (FMN-ja me projeksion prej 3.2%, BERZH-i me projeksion prej 3% dhe Banka Botërore me 2.7%). Si do të jetë rezultati, do të varet vetëm nga ajo që do të ndodhë më tej në Ukrainë, çfarë sanksionesh të reja do të vendosen ndaj Rusisë dhe se si do të reflektohet e gjithë kjo tek partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë të BE-së.   Megjithatë, një gjë është e qartë, nevojitet ristrukturimi i buxhetit në mënyrë që të reagojë në mënyrë adekuate ndaj situatës së re. Në Ministrinë e Financave tashmë zhvillohen konsultime me institucionet për nivelin e realizimit të projekteve dhe shpenzimet rrjedhëse. Atë që mund të them me plot siguri si ministër i Financave është se do të jemi maksimalisht konservatorë, kudo që lejohet – do të shkurtojmë. Kjo do të krijojë më shumë hapësirë ​​për reagime dhe masa të reja, të cilat në bazë të situatës ndoshta do të nevojiten sërish.   Që nga fillimi i krizës, reagimi i qeverisë ka qenë 615 milionë euro për masa lidhur me përkrahjen e ekonomisë dhe qytetarëve. Kjo vlerë është ndër reagimet më të fuqishme ndaj krizës në rajon. Kroacia ka ndarë rreth 635 milionë euro, Greqia 500 milionë euro, Sllovenia dhe Shqipëria parashohin rreth 200 milionë euro, etj. Qëllimi ynë si Qeveri është që t’i përkrahim qytetarët, kategoritë e ndjeshme në radhë të parë, për ta ruajtur ekonominë dhe për ta tejkaluar këtë krizë, e më pas t’i kthehemi rrugës dhe qëllimit drejt të cilit jemi të orientuar – norma më të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike.     Financimi i deficitit dhe konsolidimi në periudhë afatmesme   Do të shtoj se angazhimi ynë për konsolidimin fiskal mbetet edhe më tej. Në periudhën afatmesme, pas tejkalimit të krizës dhe rimëkëmbjes së tërësishme të ekonomisë, deficiti fiskal do të ngushtohet gradualisht, për të mos penguar rritjen, për t’u ulur në nivelin e përcaktuar nga kriteri i Mastrihtit.   Në këtë drejtim janë edhe njoftimet për financimin rrjedhës së deficitit nëpërmjet instrumenteve që sjellin kosto më të ulët për ne. Siç e përmenda edhe më lart, çmimi i kapitalit në tregje do të vazhdojë të rritet si rezultat i ngushtimit të mëtejshëm të politikës monetare me insistim që të ulen pritshmëritë inflacioniste dhe që të stabilizohen normat e inflacionit. Banka Qendrore Evropiane njoftoi në mënyrë diskrete rritjen e normës bazë të interesit që nga muaji korrik, ndërsa Rezervat Federale të SHBA-së, Banka e Anglisë dhe disa banka qendrore në Evropë kanë rritur tashmë disa herë normën bazë të interesit.   Prandaj, edhe pse në konstruksionin fillestar ishte planifikuar që Republika e Maqedonisë së Veriut të emetonte eurobond, duke marrë parasysh zhvillimet në tregun e kapitalit (Kroacia gjatë muajit prill emetoi eurobond prej 1.25 miliardë eurove për 10 vjet me interes kuponi pothuajse 3%), shkojmë në financim përmes instrumenteve të dedikuara të institucioneve ndërkombëtare.   Linja kreditore për përkujdesje dhe likuiditet të FMN-së (PLL) është në drejtim të sigurimit të mjeteve me kosto më të ulët të mundshme, gjë që është gjithashtu sinjal pozitiv në tregjet financiare. Është vlerësim për ekonominë tonë që ajo është stabile dhe e bazuar në fundamente të shëndosha makroekonomike, sepse fondi ua cakton këtë linjë vetëm ekonomive të shëndosha. Resprektivisht, gjatë procesit të aprovimit të këtij instrumenti, përveç faktit që vendi duhet të ketë vlerësime pozitive gjatë misionit të fundit të Fondit, gjithashtu bëhet vlerësim shtesë për politikën monetare, politikën fiskale, stabilitetin dhe supervizionin e sektorit financiar, si dhe përshtatshmërinë e të dhënave statistikore. Nëse vendi ka ndjeshmëri të dukshme në ndonjërën nga këto kategori, atëherë ai nuk mund të ketë qasje në këtë instrument.   Gjithashtu planifikohet sigurimi i mjeteve përmes kredive për projekte të dedikuara nga Banka Botërore dhe BERZH-i. Të gjitha këto instrumente dhe linja janë burime shumë të favorshme të financimit, më të lira se kushtet aktuale në tregun ndërkombëtar të kapitalit, ku si duket do të duhet të qasemi me eurobond. Ndërkohë, me kujdes e përcjellim nivelin e borxhit publik në afatmesëm dhe afatgjatë, qëndrueshmërinë e tij, dhe gjithësesi, didikimin e mjeteve. Paratë e huazuara duhet te drejtohen te fushat prioritare për rritje dhe zhvillim ekonomik (për të cilat shkuaj me poshtë), me çka do të gjenerohen efekte pozitive multiplikative (të shumëfishuara) në ekonominë vendore.     Strategjia për përmirësimin e anës së të hyrave të buxhetit   Në drejtim të realizimit të konsolidimit fiskal, pas tejkalimit të krizës, përveç anës së shpenzimeve, do të veprohet edhe në anën e të hyrave përmes zbatimit të Strategjisë së reformave tatimore. Qëllimi kryesor i kësaj strategjie është të ofrojë sistem tatimor të drejtë, efikas, transparent dhe modern, me teknologji moderne dixhitale dhe inovacione në tatimim, në funksion të arritjes së rritjes ekonomike të përshpejtuar, inkluzive dhe të qëndrueshme.   Kjo strategji përfshin pesë prioritete. Prioriteti i parë i referohet drejtësisë më të madhe në tatimim, me qëllim që të sigurohet që secili t’i përmbushë detyrimet e tyre shoqërore dhe ta paguajë pjesëmarrjen e tyre të drejtë në tatimim. Nga kjo pritet një model i ri i projektuar për tatimim të drejtë. Përveç kësaj, prioriteti i dytë është efikasiteti dhe efektiviteti më i madh i sistemit tatimor për arkëtim më të mirë të të hyrave, përmes luftës më efikase ndaj veprimtarive të paregjistruara dhe evazionit tatimor si dhe përforcimit të kapaciteteve institucionale, analizës dhe rregullimit të mëtejshëm të bazës tatimore si dhe uljes së detyrimeve të prapambetura. Prioriteti i tretë është rritja e transparencës tatimore, e cila përfshin përmirësimin e shkëmbimit të informacioneve ndërmjet organeve tatimore dhe subjekteve të tjera, që do të bazohet kryesisht në shërbimet elektronike dhe dixhitalizimin e proceseve. Prioriteti i katërt është cilësia më e mirë e shërbimeve dhe prioriteti i pestë është vendosja e tatimimit ekologjik (“të gjelbër”), me qëllim të stimulimit të obliguesve tatimorë që të reduktojnë sjelljen dhe/ose aktivitetet e tyre që kontribuojnë në ndotjen.     Kriza si mundësi: reformat strukturore, tranzicioni i gjelbër, dixhitalizimi dhe kapitali njerëzor   Vazhdimi i reformave strukturore edhe gjatë përballjes me krizën është diçka që rekomandojnë si Banka Botërore ashtu edhe FMN-ja. Reagimi ndaj sfidave aktuale, por edhe krijimi i ekonomisë që do të jetë rezistente ndaj sfidave të ardhshme është e vetmja mënyrë për arritjen e rezultatit të dëshiruar – norma më të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e standardit dhe zhvillimin ekonomik.   Në këtë drejtim u zhvillua edhe debati lidhur me platformën për zhvillim të zgjidhjeve SEFF ose Forumi Ekonomik i Shkupit, që do të mbahet në fund të muajit. Tema e diskutimit të SEFF-it do të jetë “Ruajtja e nivelit të rritjes ekonomike në kohë pasigurie dhe përtej”, dhe do të bazohet në katër shtylla: 1. Sfidat makroekonomike në kohë krize, 2. Qëndrueshmëria, konkurrenca dhe bashkëpunimi rajonal, 3. Energjia, tranzicioni i gjelbër dhe infrastruktura dhe 4. Pas krizës: reformat strukturore, kapitali njerëzor, inovacionet financiare dhe investimet.   Qëllimi i këtij Forumi është t’i inkurajojë të gjithë pjesëmarrrësit, nga hartuesit e politikave, përmes zbatuesve të politikave e deri te palët e tanguara – të gjithë së bashku, me mendimin e tyre të kontribuojnë në zgjidhje që do të jenë reagim i duhur si për krizën ashtu edhe për atë që vijon.   Për kënaqësinë time, folësi kryesor i Forumit do të jetë fituesi i çmimit Nobel në ekonomi, profesori amerikan Paul Krugman, i cili me analizat e tij do të kontribuojë në këtë diskutim shumë kompleks, që padyshim do të sjellë përfitime.   Edhe pse kjo do të jetë periudhë shumë e ngarkuar e vitit, duke pasur parasysh që në të njëjtën kohë punohet edhe në drejtim të rishikimit, pres me padurim, sepse vetëm përmes luftës së ideve dhe mendimeve mund të arrihen zgjidhje reale.   Në fund dua të theksoj gjithashtu se – vetëm me strategji të mirë dhe plan të mbështetur mirë mund të arrihen rezultate. Strategjia ekonomike që kemi zbatuar deri më tani na nxori me sukses nga kriza e pandemisë, për të cilën kemi marrë mirënjohje nga të gjitha organizatat relevante financiare ndërkombëtare. Jam i bindur se do ta kapërcejmë me sukses edhe aftershock-un. Do të nërtojmë të ardhme më të mirë!

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…