Aktivitetet për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit vazhduan sot me panel diskutimin “Decentralizimi fiskal” në Komunën e Çairit që është njëra nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit. Pjesëmarrësit në këtë panel diskutimi, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, ministri i financave Fatmir Besimi, ministri i pushtetit lokal, Goran Milevski dhe kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu bashkërisht konstatuan progresin e arritur në Çair dhe në të gjitha komunat tjera në shërbim të jetës cilësore të qytetarëve duke e theksuar si sfidë të përbashkët të “Pas Ohrit” fuqizimin e kapaciteteve lokale për efikasitet më të madh veprues dhe avancimin e procesit të decentralizimit si njëra nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit. “Zanafilla e Marrëveshjes së Ohrit ka qenë dhe duhet të jetë për këto tre gjëra, se si ti mundësojmë çdo qytetari e para të drejta të barabarta, liri në aspektin shumë të gjërë dhe këtu lehtësisht mund ta themi me katër liritë e Bashkimit Europian dhe e katërta se si tju krijojmë një jetë më të dinjitetshme. Në vitin 2021 është momenti më i fundit për të folur se jo a mund ta arrijmë decentralizimin total fiskal për komunat, por cilat janë limitet maksimale që mund ti arrijmë sot, të mundësojmë në 20 vjeçarin e ardhshëm që diskrepanca dhe dispariteti mes komunave, por edhe rajoneve mes qytetarëve që jetojnë në ato rajone të jetë sa më e vogël. Thelbi i decentralizimit është në thelb pavarësi në veprim të komunave, shërbime më të mira për qytetarët dhe gjithsesi satisfaksion më i lartë i qytetarëve nga shërbimet të cilat i marrin nga ana e komunës. – deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi. Ministri për Pushtet Lokal Goran Milevski elaboroi masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë për avancimin e decentralizimit institucional dhe fiskal duke potencuar edhe masat e definuara në Programin për zhvillim stabil. “Sot ne po diskutojmë për decentralizimin dhe mund të vlerësoj se kjo është një fushë që është një nga më me sukses të implementuara me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Marrëveshja nënkuptonte përfundimin e konfliktit, një angazhim serioz për paqen, stabilitetin, drejtësinë dhe prosperitetin për të gjithë qytetarët, përmes demokracisë më të madhe në shoqëri dhe qeverisjes së decentralizuar dhe zhvillimit të balancuar rajonal. Praktikisht tek ne decentralizimi filloi në vitin 1997 kur u pranua Koventa Europiane për vetëqeverisje lokale nga ana e Kuvendit, por në thelb filloi të zbatohej pas Marrëveshja Kornizë dhe një nga ligjet e para, pra ligji i parë i miratuar nga Kuvendi pas ndryshimeve kushtetuese ishte praktikisht Ligji për Vetëqeverisjen Lokale në Janar 2002, i cili nisi këtë proces të decentralizimit. Në vitin 2004 u miratuan Ligji për Organizimin Territorial, Ligji për Financimin e njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Ligji për Qytetin e Shkupit dhe 40 ligje të tjera, të cilat mundësuan fillimin e bartjes reale të kompetencave deri te komuna. Ministri i Financave Fatmir Besimi në fjalimin e tij prezantoi planin e Qeverisë për avancimin e procesit të decentralizimit. “Komunat gjatë kësaj periudhe u pa nevoja, jo vetëm që të kenë më tepër financa, kapacitete financiare por të kenë edhe më tepër autonomi financiare. Karakteristikë e kësaj periudhe është se dominojnë transferet në strukturën e buxhetin e Komunave dhe në periudhën që vjen me avancimin e decentralizimit fiskal po i shikojmë disa aspekte të decentralizimit të mëtutjeshëm, edhe atë kryesisht në 3 shtylla, rritja e kapaciteteve financiare apo fiskale, rritja e disciplinës financiare dhe rritja e transparencës në menaxhimin me financat e komunave. – deklaroi Besimi. Kryetari Ganiu falenderoi panelistët për pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e avancimit të decentralizimit. “Gjithmonë parashtrohet pyetja pse në fakt është kaq i nevojshëm decentralizimi fiskal? Përgjigja do të ishte shumë e thjeshtë, sepse transferohen kompetencat e pushtetit sa më afër qytetarët, shërbimet bëhen më efikase, zhvillohet ekonomia, pra sa më të decentralizuar do të jemi shumë edhe më të zhvilluar ekonomikisht do të jemi si komuna. Pse do të ishte kaq i rëndësishëm decentralizimi fiskal.” – deklaroi Ganiu. Ky panel diskutim dëshmoi përkrahjen e Qeverisë, vizionin dhe gatishmërinë e përbashkët për avancimin e procesit të decentralizimit si njëra nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit.