Në objektin e Komunës së Çairit u lëshua në përdorim kulmi fotovoltaik

Në objektin e Komunës së Çairit sot u lëshua në përdorim kulmi fotovoltaik i përbërë nga 70 panele solare dhe që është investim i Ministrisë së Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë ngjarje morën pjesë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti sikurse edhe anëtarë të kabinetit qeveritarë, deputetë të zonës, udhëheqës të institucioneve dhe qytetarë. Gjatë fjalimit të rastit kreu i Komunës së Çairit Visar Ganiu, theksoi se sot në komunën që ai drejton po hapet një kapitull tejet i rëndësishëm dhe se me panelet e vendosura në objektin e institucionit komunal në momente të caktuara do të ketë kursime të energjisë elektrike deri në  50 %.“Në Komunën tonë të Çairit po hapim një kapitull të ri dhe tejet të rëndësishëm, jo vetëm për banorët tanë por edhe më gjerë. Në fakt po bëjmë hapat e sigurt drejt implementimit të agjendës së gjelbër, agjendë për të cilën u zotuam dhe sot po e zbatojmë pikërisht në Çair. Në këto kohëra kur natyra kërkon kujdes më të madh nga ne duke patur parasysh ndotjen globale të mjedisit jetësor, në këto kohëra të krizës së përgjithshme energjetike në mbarë botën ne po ngjallim shpresë dhe njëkohësisht po japim shembull se mund t’ia dalim të ulim ndotjen, por edhe të minimizojmë harxhimet përmes burimeve të ripërtëritshme dhe të pastra energjetike. Dhe po nisim nga vet insitucionet tona publike”, ka thënë Ganiu.Ai ka sqaruar se panelet fotovoltaike të instaluara në kulmin e Objektit të Komunës së Çairit kanë fuqinë e prodhimit të energjisë elektrike deri në 20 kWh aq edhe sa janë ligjet ekzistuese. Ganiu ka theksuar se me këto panele dukshëm do të shkurtohen harxhimet e objektit të Komunës së Çairit në aspektin e energjisë elektrike, sepse me to në nivel vjetor pritet të prodhohen mbi 26 mijë kWh energji elekrike. “Do të kemi 0 ndikim negativ tek mjedisi jetësor. Pa ndotje. Ndërsa dukshëm do të kemi edhe zvogëlim të emetimit të gazrave të dëmshme në atmosferë. Ajo që është njëkohësisht e rëndësishme, se do të kemi rritje të përdorimit të teknologjisë së gjelbër, sigurim të tranzicionit në energji të pastër, pra do të mund të ndikojmë të jetojmë një jetë më të shëndetshme dhe mjetet nga kursimet që do t’i bëjmë rreth harxhimit të energjisë elektrike do të mund t’i alokojmë për zhvillim të mirëqenies së banorëve tanë të dashur në të gjitha aspektet ku është e nevojshme”, ka shtuar Ganiu.Ai më tej ka sqaruar se ky kulm fotovoltaik i Komunës së Çairit do të jetë vetëm një fillim i mbarë, sepse tanimë janë instaluar edhe 180 panele të njëjta fotovoltaike në 4 objekte edukativo arsimore të kësaj Komune.Së shpejti shkollat fillore “Adem Jashari”, “Ismail Qemali”, “Kongresi i Manastirit” dhe Kopshti për Fëmijë “Vesëza” do të fillojnë të prodhojnë 100.000 kWh energji elektrike brenda një viti. Dhe investimi edhe në këto objekte është realizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor që në total kap shifrën prej rreth 9 milionë denarëve.Ndërsa ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, gjatë fjalimit të tij përkujtoi se ky projekt që u promovua sot ka shumë përfitime, duke filluar nga pikëpamja financiare që i jepet një përgjigje adekuate krizës së përgjithshme energjetike që redukton shpenzimet e komunës, nga pikëpamja shëndetësore redukton ndikimet negative në shëndetin e njerëzve, por dhe kontribuon në reduktimin e ndotjes lokale dhe globale si dhe reduktimin e ndryshimeve klimatike.

Related posts

Projekti “Be Clean, Be Green” bashkon Haraçinën dhe Rahovecin për zgjidhje rajonale në fushën e mjedisit jetësor

Sot, Komuna e Haraçinës në kuadër të projektit “Be Clean, Be Green”, organizoi me sukses konferencën ndërkufitare duke bashkuar autoritetet lokale, ekspertët…

Ambasadori i Shqipërisë Fatos Reka takoi kryetarin e Çairit Visar Ganiu

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në vend, Fatos Reka ka vizituar sot Komunën e Çairit, ku ka realizuar takim me kryetarin Visar…

Komuna e Çairit ndan 20 bursa për studime në lëndët deficitare në Universitetin “Nënë Tereza”

Në prag të fillimit të afatit të dytë të regjistrimit në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, që do të jetë ditën e…