Sot Këshilli Komunal i Çairit në një seancë të jashtëzakonshme vendosi për ndarjen e ndihmës financiare për familjet, familjarët e të cilëve kanë humbur jetën në aksidentin tragjik që ndodhi një ditë më parë në Bullgari. Këshilli njëzëri miratoi vendimin për ridedikimin e mjeteve që janë të parapara për dekorimin e territorit të Komunës së Çairit për festat e fund-vitit dhe këto mjete do t’u ndahen familjarëve të atyre që kanë ndërruar jetë në aksidentin tragjik në Bullgari. “Kjo do të thotë nga kontoja 425990, programi E0 i marrim 1.200.000 denarë dhe të njëjtat i shtojmë në konton 412110 Programi A0, rezervat e përhershme”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.Këshilli formoi edhe komision me përfaqësues të të gjitha partive në Këshillin komunal të Çairit si dhe një i punësuar nga administrata e Komunës të cilët do të vendosin për ndarjen e këtyre mjeteve.”Shpresojmë që me këtë akt tonin të sotëm t’ju dalim sado pak në ndihmë dhe t’ua zbusim dhimbjen familjarëve që humbën të afërmit e tyre në aksidentin tragjik. Qoftë dheu i lehtë për ata që humbën jetën, e familjarët e tyre, miqtë, kolegët të rrojnë e t’i kujtojnë”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.