Komuna e Çairit në Manifestimin që u mbajt me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, nderoi 12 mësimdhënësit më të dalluar të Çairit, sikurse edhe 33 pensionistë, në mesin e të cilëve ish-drejtorin e SHFK “Jashar Bej Shkupi”, Muzafer Rexhepi, si dhe post mortem u nderua njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj të arsimit në këtë komunë, ish-drejtori i SHFK “Vasill Gllavinov”, Qamuran Kuçi.Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu me këtë rast theksoi se arsimi është vlera e vërtetë dhe unike e një kombi, është fryma, ekzistenca, shtylla kryesore e tij. “Mësimdhënësit secilën ditë janë tejet të rëndësishëm për të gjithë ne, mirëpo sot në veçanti shënojmë këtë ditë për të përkujtuar rrugëtimin e arsimit shqip, për t’i ngritur sa më lart traditat dhe arritjet e shkollave, për të çmuar e të nderuar figurat e mësuesve dhe punonjësve të arsimit”, ka thënë Ganiu.Ai ka përkujtuar se sot, 135 vjet nga themelimi i mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, procesi edukativo-arsimor në Komunën e Çairit po zhvillohet përkitazi me standardet bashkëkohore, me shumë rezultate të shkëlqyeshme të nxënësve nëpër gara vendore e ndërkombëtare dhe e gjithë kjo si rrjedhojë edhe e punës së palodhshme të gjithsecilit prej mësimdhënësve dhe edukatorëve.“Nëse drita e diturisë është më e ndritshmja, atëherë mësimdhënësit janë burimi i kësaj drite”, ka theksuar kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Në Manifestimin e sotëm ishin të pranishëm veteranë të arsimit, mësues, punonjës të arsimit, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, ish-kryetari i Komunës së Çairit dhe deputeti, Izet Mexhiti, deputetja dhe ish-drejtoresha e shkollës “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku.