Eurodeputeti nga Bullgaria Ilhan Kyçyk ka qëndruar në Komunën e Çairit, ku edhe realizoi takim me kryetarin Visar Ganiu.
“Eurodeputeti nga Bullgaria Ilhan Kyçyk na nderoi me vizitën e sotme në Komunën e Çairit. Për ne kjo vizitë paraqet një mbështetje të fuqishme nga Parlamenti Evropian“, ka deklaruar Ganiu pas takimit.
Ai më tej ka dhënë sqarime se Z.Kyçyk e ka informuar lidhur me Komunën e Çairit, projektet e kaluara, ato që po i realizon dhe për të cilat synon kjo komunë.
“Gjithashtu potencova se bashkëpunimet dhe vizitat e tilla si kjo e sotmja janë mënyra më e mirë e mundshme që bashkërisht të ecim përpara dhe mbi të gjitha të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve”, tha kreu i Çairit, Visar Ganiu.
Ganiu bashkë me eurodeputetin Kyçyk morën pjesë edhe në ekspozitën që u organizua në Shkollën Fillore “Ismail Qemali”, ku nxënës nga kjo shkollë dhe nga SHFK “Bela Blagoeva” të Veliko Tërnovës së Bullgarisë prezantuan punimet e tyre artistike në Çair.
“Në këtë event përgëzova fëmijët për bashkëpunimin që e nisën disa muaj më parë në Bullgari dhe po e vazhdojnë sot në Çair dhe i inkurajova të vazhdojnë në këtë drejtim sepse vetëm me këmbim të përvojave të ndërsjella dhe bashkërisht mund të arrijnë majat e suksesit arsimor”, tha Ganiu.