Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu bashkë me nënkryetaren e kësaj komune, Sermine Purrini, qëndruan sot për vizitë në Haraçinë, ku realizuan takim pune me kryetarin, Ridvan Ibraimi.
“Fillimisht z.Ibraimin e përurova për mandatin që mori në zgjedhjet e fundit lokale për të udhëhequr Komunën e Haraçinës. Ndërkohë, në fokusin e bisedës sonë ishte vendosja e një bashkëpunimi më të fuqishëm mes Çairit dhe Haraçinës, gjë që konstatuam se do të jetë tejet i mirëseardhur duke patur parasysh edhe afërsinë dhe lidhjet familjare që kanë banorët e të dyja komunave”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Ai ka sqaruar se me nikoqirin janë zotuar që përmes projekteve të përbashkëta do të mundohen të ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së banorëve të të dyja komunave.
“Kryetarin e Haraçinës e përkujtova se Komuna e Çairit, por edhe unë si kryetar i saj gjithmonë kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi të gatshëm dhe të hapur për të vendosur raporte të mira bashkëpunimi me komunat e tjera në mbarë vendin, por edhe më gjerë”, ka thënë mes tjerash Ganiu.
—