Në suaza të pjesëmarrjes në Forumin e sivjetëm të Dubrovnikut, Ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani mbajti fjalim në panelin e ministrave të jashtëm, me temë “Komuniteti Ndërkombëtar dhe Ballkani Perëndimor: Si t’i japim fund karantinës?” Në fjalimin e tij, Osmani iu referua Forumit të Prespës për Dialog të mbajtur ditë më parë në Ohër, kontekstin e përgjithshëm reformues të lidhur me fillimin zyrtar të negociatave me Bashkimin Evropian si dhe marrëdhëniet dhe pritjet e vendeve aspirante për anëtarësim në BE. “BE-ja duhet ta gjejë një mënyrë për ta integruar Ballkanin Perëndimor, gjë e cila do ta nënkuptonte konsolidimin gjeografik dhe politik të kontinentit Evropian. Ky proces është në interes strategjik të të dyja palëve dhe kërkon përfshirje më të madhe të vendeve nga rajoni në debatin mbi të ardhmen e BE-së, në atë mënyrë që u inicua përmes panelit “E ardhmja e Evropës” gjatë Forumit të Prespës”, theksoi Ministri Osmani. “Në afrimin e rajonit me BE-në, Brukseli do të duhej patjetër të garantonte një proces të parashikueshëm dhe të besueshëm, përmes të cilit të dy palët do t’i përmbaheshin obligimeve të pranuara – realizimin e reformave për fillimin formal të negociatave për anëtarësim, si për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nuk ekziston mënyrë tjetër që Evropa të jetë e plotë, përveç integrimit të pjesës që i mungon”, shtoi Osmani. Në panel morën pjesë edhe Zv.Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Gërvalla-Schwarz, Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi Radulloviq, Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë Xhaçka, Ministri i Republikës Çeke Kulhanek, i Greqisë Dendias, Zv/Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje dhe Herzegovinës Bërkiq, i Dërguari Special i BE-së për Ballkanin Perëndimor Llajçak, anëtari i Parlamentit Evropian Zovko, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën Shmid dhe Sekretari shtetëror në Ministrinë për Punë të Jashtme të Serbisë Staroviq.