
Shkodrane Zenuni Dardhishta ka lindur më 29 janar 1983 në Kumanovë, në një familje të persekutuar politikisht, e cila më vonë u bë bartëse e luftërave çlirimtare. Pas burgimit të babait, familja e saj emigroi në Zvicër, ku ajo nisi shkollimin fillor, ndërsa vazhdimin e arsimit e ndoqi në Kumanovë pas kthimit.
Shkollimin e mesëm e filloi në Kumanovë dhe e vazhdoi në Deçan, Pejë, Prishtinë dhe Shkup, për ta përfunduar në Gjilan, për shkak se në Maqedoni ende nuk kishte amnesti për ish-ushtarët e UÇK-së. Ajo ishte ushtare e dy luftërave çlirimtare, në Kosovë dhe në Maqedoni, dhe mbeti e plagosur gjatë luftimeve në Sllupçan.
Studimet universitare i kreu në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës, ku edhe magjistroi. Gjatë kohës së studimeve u dallua për angazhimin e saj aktiv, duke qenë udhëheqëse e protestave për legalizimin e universitetit, të njohura si “Marsi i Studentëve” në vitin 2003. Në vitin 2016 fitoi titullin Doktore e Shkencave në fushën e financave dhe kontabilitetit.
Angazhimin profesional e nisi që si studente, duke punuar si këshilltare në Ministrinë e Kulturës në vitin 2004, pozitë nga e cila u distancua pas dy vitesh, kur në pushtet erdhi një parti kundërshtare që nuk njohu statusin e saj si ish-ushtare e atdheut. Pas një ndërprerjeje dyvjeçare, karrierën e vazhdoi si drejtoreshë në Qendrën Klinike Universitare, institucion ku aktualisht punon si revizore e brendshme e një instituti publik nga lëmia e shëndetësisë.
Paralelisht, ajo vepron si eksperte ligjore-ekonomike në Byronë për Ekspertiza në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe është anëtare e Dhomës së Ekspertëve Ligjorë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ka qenë anëtare e bordit të drejtorëve në Telekom, deputete në mandatin e vitit 2014, si dhe anëtare e bordit ekzekutiv në Federatën e Karatesë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Është bashkëpunëtore e jashtme e Universitetit ECPD në Shkup, karateiste me Brez të Zi 3 Dan dhe kryetare e klubit të karatesë “Forca” në Çair. Është botuese e shumë artikujve shkencorë, anëtare e Kryesisë së Bashkimit Demokratik për Integrim dhe autore e librit “Me tri shkronja lidha shtigje”.
Ajo është nënë e Jonit, Janinës dhe Vraninës.

1 Comment