
Xhemil Qamili ka lindur më 6 prill 1979 dhe jeton në fshatin Cërnilisht, Komuna e Dollnenit. Është Magjistër i Shkencave Juridike, me një përvojë të gjatë profesionale në institucionet shtetërore dhe në udhëheqje lokale.
Karrierën profesionale e fillon në vitin 2004, kur punësohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Me përkushtim dhe profesionalizëm, në vitin 2008 avancohet në detyrë si komandant stacioni. Përvoja e tij në administratë dhe në menaxhimin e strukturave institucionale i hapi rrugën angazhimeve të mëtejme publike. Në periudhën 2017–2021 ushtron detyrën e Kryetarit të Komunës së Dollnenit, ndërsa nga viti 2021 deri në vitin 2024 shërben si Drejtor i Agjencisë për Mbështetje në Bujqësi, duke kontribuar në zhvillimin dhe avancimin e politikave mbështetëse për sektorin rural dhe bujqësor.
Angazhimi i tij politik fillon që nga themelimi i Bashkimit Demokratik për Integrim, në vitin 2002. Në vitin 2010 zgjidhet Kryetar i Degës së BDI-së në Komunën e Dollnenit, detyrë të cilën e ushtron deri në vitin 2018. Në vitin 2021 rizgjidhet sërish Kryetar Dege, si dhe anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm. Në Kongresin e fundit të partisë, ai është rizgjedhur edhe një herë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke konfirmuar mbështetjen dhe besimin e strukturave partiake ndaj angazhimit dhe kontributit të tij.
