Anëtar i zgjedhur i Këshillit të Përgjithshëm
Bekim Adili

Bekim Adili (lindur më 19 qershor 1971, Sërbicë, Kërçovë) është gazetar, studiues dhe autor shqiptar. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në gjimnazin “Ivo Llolla Ribar” në Prishtinë. Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Filologjik në Tiranë, në drejtimin e gazetarisë, ndërsa studimet pasuniversitare dhe doktoraturën i realizoi në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.
Karrierën në gazetari e nisi në fillim të viteve ’90 në gazetën “Republika” në Tiranë, për të vijuar më pas në TV Klan dhe si korrespondent për gazetën “Fakti”. Për mbi dy dekada ka drejtuar Televizionin “Gurra” në Kërçovë si kryeredaktor dhe bashkëpronar, duke zhvilluar një veprimtari të gjerë mediatike dhe kulturore.
Gjatë konfliktit të vitit 2001, ka vepruar si korrespondent për Radion “Jeta”, me seli në Chicago, SHBA. Aktiviteti i tij profesional dhe shoqëror është shtrirë edhe në bashkëpunimin me diasporën shqiptare, duke kontribuar në themelimin e manifestimit “Sofra kërçovare” në SHBA, si dhe të shoqatave kulturore “Kërçova” në Zvicër dhe Paris. Po ashtu, ka qenë bashkëorganizator i një takimi (“mini-samit”) të organizuar në Vjenë me përfaqësues të diasporës shqiptare në vendet perëndimore.
Gjatë karrierës së tij, ka bashkëpunuar me një sërë mediash, përfshirë MTV2, Alsat dhe TV21 në Shkup, si dhe ka qenë pjesëmarrës në debate dhe emisione në media si TV Klan, Top Channel, News24, A2 CNN, Ora News dhe Euronews. Është themelues dhe drejtues i revistës “Votra”.
Është autor i disa veprave, ndër të cilat: “Vendlindja ime”, “Kërçova, fortesë e kështjellës shqiptare”, “Gjurmë jete” dhe “Konflikti i vitit 2001 në fokusin mediatik” (2021).
Aktualisht është punonjës shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
