Këshilli i Përgjithshëm

Anëtare e zgjedhur e Këshillit të Përgjithshëm

Besiana Mehmedi

Prof. ord. Besiana Mehmedi ka lindur më 19 gusht 1982. Arsimin fillor e kreu në Prishtinë, duke u shpallur nxënësja më e mirë e gjeneratës. Shkollën e mesme të muzikës, në drejtimin piano dhe solokëndim, e përfundoi për vetëm tre vite – një mundësi e rezervuar për nxënësit superiorë të shkollave profesionale. Studimet universitare i përfundoi në vitin 2003 në Tiranë, me notë mesatare 10.0. Ka përfunduar dy studime pasuniversitare (magjistratura): një në drejtimin solokëndim në Universitetin e Prishtinës dhe një në drejtimin muzikologji në Universitetin e Tetovës, të dyja me notë mesatare 10.0. Gjatë studimeve, ishte ndër të rrallat absolvente që iu besua performanca në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, ku interpretoi me sukses të jashtëzakonshëm rolin e Inesit në operën moderne shqiptare “Dhoma” të Ermir Dergjinit, me regji të Nikolin Gurakuqit.

Në vitin 2010 mbajti koncert solistik me orkestrën e Teatrit të Operës së Maqedonisë në Sallën Universale në Shkup. Ka performuar gjithashtu me orkestrën e Operës së Tiranës, orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar dhe me dirigjentë të njohur si Eno Koço, Jetmir Barbullushi, Sasho Tatarçevski, Zhani Ciko dhe Edmond Doko.

Besiana Mehmedi është një nga mezosopranot e rralla në hapësirën shqiptare, me një karrierë të pasur akademike, artistike dhe organizative. Ajo ka përfaqësuar kulturën shqiptare nga Maqedonia e Veriut në skenën ndërkombëtare, me koncerte solistike në Qendrën Informative Kulturore të RMV-së në New York, Stamboll dhe Sofje, si dhe ka performuar në qytete si Paris, Bruksel, Zagreb, Shtutgart, Cyrih, Chicago dhe Boston. Ka marrë pjesë në festivalin “Vera e Ohrit” me shfaqjen “Rrëmbimi i Junice Williams” të P. Kimber.

Që nga viti 2006 është e punësuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Fakultetin e Arteve,ku ligjëron Histori muzike, Solokëndim dhe Teknikë vokale në drejtimin muzikor dhe Teknikë zëri në drejtimin dramatik! Ka botuar një sërë punimesh shkencore, ndër të cilat “Roli i Televizionit të Maqedonisë në muzikën shqipe”, “Polifonia në trevat shqiptare të Maqedonisë së Veriut” dhe “Lashtësia e muzikës arbëreshe”, të publikuara në revista prestigjioze shkencore. Është gjithashtu autore e monografisë “Arifikmet Xhemaili – pioner i dirigjimit koral në RMV”, pjesë e botimeve të Universitetit të Tetovës që dokumentojnë trashëgiminë profesionale që nga viti 1994.

Ka realizuar deri tani shtatë role operistike në opera të kompozitorëve të huaj dhe shqiptarë të shfaqura në Tiranë, Prishtinë, Shkup si dhe ka realizuar veprën vokalo- orkestrale “Stabat mater” e shfaqur në Teatrin e Prishtinës, Filharmoninë e Shkupit, Pallatin e Kulturës- Tetovë! Së fundmi, shkëlqeu me rolin e Plakës – Nënës shqiptare në operën “Goca e Kaçanikut” të Rauf Dhomit, një premierë historike e Operës së Kosovës, e shfaqur në Prishtinë dhe Tiranë në nëntor 2025, si dhe në Shkup, në shkurt 2026.

Vetëm gjatë periudhës 2025–2026, me formacionin “Besiana & të mirët e kombit” (i krijuar dhe i udhëhequr artistikisht nga Shkodran Tolaj), realizoi rreth 30 koncerte klasike në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë Lindore e Mal të Zi të dedikuara përvjetorëve dhe figurave historike.

Në vitin 2025 është shpallur Ambasadore e Paqes nga Federata për Paqe Universale, me seli në Tiranë.

Ka marrë pjesë në dhjetra festivale  kombëtare ku veçohen ato në Festivalin e këngës në Radiotelevizionin shqiptar (2006,2009,2012,2015)! Nga viti 1999 numëron çmim të parë në “Nota Fest” (2001), Polifest“(2000), Zambaku i Prizrenit”, (2001, 2006, 2019), “Flaka e janarit”(2013). Është nderuar me çmimin “Nexhmije Pagarusha” në festivalin “Kënga ime” në Tiranë (2014)!

Është organizatore e shumë manifestimeve kulturore, ndër të cilat veçohet “Gratë në kulturë”, një aktivitet që ka shënuar jubileun e pestë dhe që synon fuqizimin e grave përmes promovimit të rrugëtimit dhe sfidave të tyre në jetën publike.

Paralelisht me artin, ka qenë e angazhuar për një kohë të gjatë në gazetari, profesion i trashëguar nga babai i saj, gazetari i njohur Qani Mehmedi. Që nga viti 1998 ka qenë bashkëpunëtore për kulturë në revistat “Rilindja” dhe “Zëri”, si dhe redaktore në revistën për të rinj “Ritmi”. Në periudhën 2009–2011 ishte autore dhe prezantuese e emisionit “Gjurmë në pentagram” në RTVM, ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2024 ka qenë korrespodente e rregullt nga Maqedonia e Veriut për Radion Shtetërore Australiane, programi në gjuhën shqipe.

Në aspektin politik, është anëtare e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që nga viti 2006, ku ka kontribuar vazhdimisht në proceset partiake, me theks të veçantë në institucionalizimin e jetës kulturore. Ka qenë anëtare e Komisionit për Muzikë pranë Ministrisë së Kulturës në periudhën 2013–2016, si dhe anëtare e Sekretariatit për Kulturë pranë BDI-së në periudhën 2023–2025. Ajo është gjithashtu përpiluese e dokumentacionit për themelimin e Institucionit Nacional – Ansambli Muzikor, i inauguruar në maj 2024.

Në vitin 2014 ka themeluar shkollën e parë private të muzikës në Kërçovë e cila ka funksionuar deri në vitin 2020 duke kontribuar në zbulimin dhe ngritjen e muzikantëve të brezit të ri, si dhe bashkë me prof.Shkodran Tolaj themeluan festivalin e parë mbarëkombëtarë të këngës “Dita jonë” që numëron tashmë 12 edicione!

Është e martuar me artistin e njohur Shkodran Tolaj dhe është nënë e një vajze, Uskana.

Kontakt:

besiana.mehmedi@unite.edu.mk

Related posts

Këshilli i Përgjithshëm

Anëtare e zgjedhur e Këshillit të Përgjithshëm Shqipdona Mazari Shqipdona Mazari është lindur në Strugë. Ajo është një studente e përkushtuar dhe…

Këshilli i Përgjithshëm

Anëtar i zgjedhur i Këshillit të Përgjithshëm Gazmend Mehmedi Gazmend Memedi, i lindur më 19 qershor 1982 në Gostivar, rrjedh nga fshati…

Këshilli i Përgjithshëm

Anëtar i zgjedhur i Këshillit të Përgjithshëm Sadush Arifi Sadush Arifi, i lindur në vitin 1979 në fshatin Radushë, Komuna e Sarajit,…