Anëtar i zgjedhur i Këshillit të Përgjithshëm
Nexhbudin Nuredini

Nexhbudin Nuredini, i lindur më 6 shkurt 1989 në Kërçovë, është një profesionist me përvojë të konsoliduar në menaxhimin e kompanive vendore dhe ndërkombëtare, veçanërisht në sektorin energjetik dhe atë shëndetësor, si dhe një figurë e angazhuar në jetën publike.
Arsimin fillor e përfundoi në Shkollën Fillore “Milto Gurra” në Garanë, ndërsa arsimin e mesëm në SHMK “Mirko Mileski” në Kërçovë. Studimet universitare i kreu në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë, duke ndërtuar një bazë të fortë akademike në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit ekonomik.
Karrierën profesionale e ka zhvilluar si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. Në periudhën 2016–2018 ishte i angazhuar në kompaninë vendore “Liti Farm”, ndërsa nga viti 2018 deri në vitin 2021 ushtroi detyrën e Drejtorit të Zyrës Përfaqësuese të kompanisë farmaceutike ndërkombëtare “Trepharm” në Maqedoninë e Veriut, ku kontribuoi në zhvillimin dhe menaxhimin e operacioneve në tregun vendas. Në korrik të vitit 2021 u emërua drejtor në Shoqërinë Aksionare në pronësi shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut (SHA EMV)” – Filiali “KXE Osllomej”, një nga segmentet kyçe të sektorit energjetik në vend, funksion të cilin e ushtroi deri më 20 shtator 2024, duke kontribuar në menaxhimin dhe funksionimin e kapaciteteve energjetike.
Paralelisht me angazhimin profesional, Nuredini ka qenë aktiv edhe në jetën politike. Angazhimin e tij e filloi në kuadër të Forumit Rinor të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ku fillimisht ishte anëtar i Kryesisë dhe më pas ushtrues detyre i kryetarit të Forumit Rinor në Kërçovë. Në vitin 2019 u zgjodh nënkryetar i Forumit Rinor Qendror të BDI-së, duke udhëhequr gjithashtu Departamentin për Marrëdhënie me Publikun në këtë strukturë. Në nivel lokal, në periudhën 2019–2023 ka ushtruar detyrën e kryetarit të Këshillit Vendor në Garanë, ndërsa në strukturat e degës së BDI-së në Kërçovë është zgjedhur anëtar në vitin 2019 dhe është rizgjedhur në këtë funksion edhe në zgjedhjet brendapartiake të vitit 2023.
Angazhimi i tij politik u kurorëzua më tej në Kongresin e V të BDI-së, të mbajtur më 20 dhjetor 2025, ku u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, ndërsa më 18 shkurt 2026 mori detyrën e kryetarit të nëndegës së BDI-së në Garanë.
Ai zotëron gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze. Nexhbudin Nuredini është i martuar dhe baba i një vajze.
