BDI: Ligji përfaqësim të drejtë dhe adekuat vetëm ligj për përfaqësim adekuat-etnik nuk mund të quhet

BDI: Ligji përfaqësim të drejtë dhe adekuat vetëm ligj për përfaqësim adekuat-etnik nuk mund të quhet

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i promovuar nga VLEN dhe i hartuar nga Karakamisheva, është një tekst skandaloz, pa garanci juridike dhe pa mekanizma efektivë zbatimi, i cili e varros parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.

Ashtu sikur se edhe vetë përmbajtja e ligjit është skandaloze, edhe përpjekjet e përfaqësuesve zyrtarë të VLEN-it për ta mbrojtur atë në opinion kanë qenë të zbrazëta, të vakëta dhe pa argumente bindëse juridike. Në vend të sqarimeve konkrete, qytetarëve u janë ofruar deklarata politike që nuk mbështeten në dispozitat e vetë ligjit.

Veçanërisht shqetësues është fakti se ligji nuk parashikon kuota etnike, nuk krijon mekanizma institucionalë për garantimin e zbatimit dhe nuk përmban asnjë sanksion ndaj institucioneve apo drejtuesve që zgjedhin të mos e respektojnë atë.

Po aq problematik është ndryshimi i filozofisë së përfaqësimit. Me këtë propozim, meritokracia vendoset si kriter primar, ndërsa përkatësia etnike si kriter dytësor. Në praktikë, kjo nënkupton se konkurrenca zhvillohet fillimisht ndërmjet kandidatëve të etnive të ndryshme, duke krijuar mundësi reale që shqiptarët të përjashtohen dhe diskriminohen nga proceset e punësimit publik. Deri më tani, meritokracia zbatohej brenda kuadrit të përfaqësimit të garantuar për secilin komunitet; tani ky parim përmbyset në dëm të balancës etnike.

Një ligj pa mekanizma zbatimi dhe pa pasoja për moszbatim nuk krijon detyrime reale. Për këtë arsye, pretendimet e përfaqësuesve të VLEN-it se drejtuesit e institucioneve do të shkarkohen nëse nuk e zbatojnë ligjin janë juridikisht të pambështetura dhe politikisht manipuluese. Në një shtet të së drejtës, çdo masë disiplinore, përfshirë shkarkimin, duhet të jetë e parashikuar shprehimisht në ligj. Nuk mund të ketë sanksione të imagjinuara apo të shpallura në konferenca për shtyp.

Në vend që të forcojë garancitë për përfaqësimin e drejtë si parim që buron nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit, ky propozim i dobëson ato dhe e zhvendos mbrojtjen e një parimi kushtetues nga norma detyruese në interpretim administrativ.

BDI mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e një sistemi që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat përmes dispozitave të qarta, mekanizmave të zbatueshëm dhe përgjegjësisë ligjore për çdo shkelje, e jo përmes zgjidhjeve që lënë hapësirë për arbitraritet dhe margjinalizim institucional.

Related posts

BDI: Vlen flet sipas logjikës kriminale të Mexhitit

Akuza e sotme e VLEN-it se BDI paska reaguar për autostradën Shkup-Bllacë për shkak të interesave në toka nuk është vetëm një…

BDI: Afrim Gashi, modeli më i qartë i servilit

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se sjellja politike e Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, është shndërruar në shembullin më të qartë të…

BDI: Dy vjet vonesa, propagandë dhe tentativa për ta devijuar autostradën Shkup- Bllacë, kurse sot lavdërohen me projektin që ne e krijuam dhe e mbrojtëm

Sot po prezantohet fillimi i punimeve në pjesën e mbetur të autostradës Shkup- Bllacë. Është lajm i mirë për qytetarët dhe për…