Deklarata e ministres së Arsimit, Vesna Janevska, përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj njërës prej shtyllave të Marrëveshjes së Ohrit.
Janevska e quan Badenterin “mjet”. Kërkon që ai të mos zbatohet aty ku ajo dhe Qeveria mendojnë se “nuk duhet”.
Kushtetuta nuk ia jep këtë të drejtë.
Amendamenti X kërkon shumicë të dyfishtë për ligjet që prekin arsimin. Zbatimi i Badenterit nuk varet nga vlerësimi personal i Janevskës nëse një ligj i caktuar i prek shqiptarët.
Edhe më poshtëruese është se, në kontekstin e bllokadës nga deputetët shqiptarë, ministrja flet për shqiptarët si për një “komunitet të vogël”.
Shqiptarët janë popull shtetformues dhe pjesë thelbësore e rendit kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit.
Badenteri është garanci kushtetuese që shumica numerike të mos vendosë e vetme për gjuhën, arsimin dhe identitetin e shqiptarëve. Kërkesa për zbatimin e tij selektiv synon zhvlerësimin e plotë të këtij mekanizmi.
Kjo është pasojë e mungesës së legjitimitetit dhe paaftësisë së s’Vlen-it. Prania e tyre në Qeveri nuk i mbron shqiptarët. Heshtja e tyre u mundëson ministrave t’i poshtërojnë publikisht shqiptarët pa dhënë asnjë përgjegjësi.
Kërkojmë që Janevska të kërkojë menjëherë falje publike dhe ta tërheqë deklaratën.
Ligjet për arsimin duhet të miratohen në përputhje me Kushtetutën dhe me shumicën e nevojshme të Badenterit.
Badenteri nuk është në dispozicion të Qeverisë. Ai është detyrim kushtetues.

