Tiranë, 22 qershor – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali
Ahmeti, thotë se jo që e beson, por është i sigurt se kryeministri
shqiptar do bëhet. Komentet në fjalë Ahmeti i bëri në emisionin
“Opinion” të Blendi Fevziut në TV Klan, ndërsa ka thënë se ideja për
ndarjen e detyrave të larta shtetërore është hedhur që në vitin 2009,
para 11 vitesh.
“Ka plot raste që numra nuk ka pasur, por kryeministër ka pasur. Dikur
thoshin se nuk mund të ketë ministër të Mbrojtjes shqiptarë, ashtu
sikurse që thoshin se edhe ministër të Punëve të Brendshëm nuk mund të
ketë shqiptarë. Apo edhe për kryeparlamentarin. Të gjitha këto i kemi
pasur dhe i kemi. Edhe Federatën e Futbollit të Maqedonisë e udhëheq
shqiptarë. Dhe, ideja për postet e larta shtetërore është hedhur që në
2009, para 11 vitesh. Për pozitat e lartat – gjykata supreme, ministri i
Mbrojtjes, ai i Policisë, kryeparlamentari, guvernatori…
kryeministri”, thotë Ahmeti, ndërsa sqaroi se kryeministri zgjidhet me
marrëveshje politike, ndryshe nga presidenti me vota direkte nga
qytetarët.
“Ne e bëmë Zoran Zaevin kryeministër, me votat tona. Kështu që e lëmë a
bëhet apo nuk bëhet. Me rëndësi është që në Maqedoninë e Veriut të
hiqen paragjykimet se shqiptarët nuk mund të drejtojnë dikastere të
ndjeshme. Ka ndryshime, por akoma ka paragjykime. Në nuk kemi kuadër të
drejtojmë navigacionet, por për Punën e Brendshme, për Parlamentin,
sigurimin e shtetit, Mbrojtjen, kemi sa të duash. Unë jo që besoj, por
do bëhet kryeministri shqiptar. Me këtë do të vetëdijësohen edhe partitë
politike maqedonase, sepse jemi dalëzotës edhe ne. Mbase subjekti që i
del zot kësaj ideje, ka merita historike për ekzistimin e këtij vendi.
Po dal nga modestia – nëse unë pajtohesha për ndarjen e vendit në 2001,
ky vend do të ndahej. Megjithatë, unë e kam parë që një ndarje do të
ishte e dhimbshme për të dyja palët, edhe për maqedonasit. Ky ka qenë
vendimi më i vështirë i Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së se s’ka ndarje
të Maqedonisë”, tha Ahmeti.
Ai ka thënë se një shqiptar në post të lartë, sikurse që ishte Talat
Xhaferi në krye të Parlamentit, ka qenë kryetari më i mirë i
Parlamentit. “Apo ministri i Punëve të Brendshme që udhëhoqi Policinë si
më mirë në një gjendje të jashtëzakonshme , apo Ministrinë e
Mbrojtjes…”, tha Ahmeti.