Shkup, 30 qershor – Lideri i BDI-së, Ahmeti Ahmeti ka përsëritur se
kryeministri shqiptar do të zgjidhet ashtu sikurse u zgjedh edhe
kryetari i Parlamentit, Avokati i Popullit, ministri i Policisë, kryetar
i Gjykatës Supreme…
“Ne e kemi hedh idenë për kryeministrin shqiptarë që në 2009, në
Kongresin e partisë, këtu në Shkup. Që atëherë kemi theksuar se pronarë
të njëanshëm nuk ka. Pronarë jemi bashkë, dhe unë nuk mund të jetojë
qiraxhi në shtëpinë time. A dolëm me idenë për president konsensual? Kur
u zgjodh Ivanovi, atëkohë nuk kishte gatishmëri. Kam folur edhe me
Gruevskin dhe Zaevin, asnjëri nuk ishte i gatshëm për president
konsensual. Madje, për t’ia hequr dyshimet Zoranit, i kam përmendur dhe
emër kandidati. Por, nuk u arrit kandidati konsensual. Pastaj, kur u
propozua kandidati konsensual në zgjedhjet e fundit, u zgjodh i njëjti
(Pendarovski) sepse e mbështetëm dhe ne. Dhe kurrë nuk i kemi ra pishman
për këtë marrëveshje”, informoi Ahmeti në emisionin 200 në Alsat-M.
“Qeveritë janë politike. Arrihet dakordësi për programet që i paraqesin.
Bëhet ndarja e përgjegjësive për në ekzekutiv. Ne e vendosim në tavolinë
kryeministrin. Dhe kjo çështje negociatash është pas zgjedhjeve, pasi
nuk mund të paragjykoj se si do të përfundojnë zgjedhjet. Por, dua t’ju
them se hipokrizi nuk bëj me këtë ide, siç akuzojnë se Ali Ahmeti ka
dalë me këtë ide për të fituar zgjedhjet. Jo, këtë nuk e bëj. Më 16
korrik do të kemi tabelën e qartë se çfarë do të ndodhë. Ne kemi hyrë me
zgjedh kryeministrin shqiptar”, tha Ahmeti, ndërsa ka thënë se beson se
kjo do të ndodhë.
“Dikur e pabesueshme ishte të jetë ministri shqiptar i Policisë, ai i
Mbrojtjes, i Gjykatës Supreme, ishte e pabesueshme që Avokati i Popullit
të jetë shqiptar, kryetari i Parlamentit… Çfarë i ndodhi Maqedonisë me
këto kuadro shqiptare? Asgjë e keqe, përkundrazi shkoi në drejtim të
duhur drejt reformave dhe anëtarësimin në NATO dhe BE”, u shpreh Ahmeti.