Bashkimi Demokratik për Integrim sot para qytetarëve ka prezantuar programin zgjedhor me projekte konkrete për komunën e Bogovinës. Kandidati i BDI-së për kryetar të Komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu, në konferencën për shtyp ka prezantuar programin e projektuar katërvjeçar për zhvillimin e Komunës së Bogovinës. Emshiu i ftoi qytetarët që me 17 Tetor të votojnë numrin 3 dhe të rreshtohen në përkrahje të tij dhe të BDI-së dhe listës së kandidatëve për këshilltarë komunal. Në vazhdim po ua përcjellim fjalimin e plotë nga konferenca e sotme për shtyp: Të nderuar qytetar, Të nderuar përfaqësues të mediave, Mirë se erdhët në konferencën e sotme për shtyp në të cilën do të prezantojmë Programin e Bashkimit Demokratik për Integrim për Komunën e Bogovinës. Ky Program parasheh projekte në sfera të ndryshme, si në sferën e infrastrukturës, arsimit, mjedisit jetësor, shëndetësisë, në sferën e kulturës dhe në sfera tjera. Të dashur qytetar, Do të ndërtojmë komunë moderne e të zhvilluar, transparente e të përgjegjshme, si dhe vendbanime me zhvillim të barabartë. Bashkimi Demokratik për Integrim do të angazhohet për përmirësimin e klimës së biznesit, gjë për të cilen siguron mbrojtje të investitorëve, zbatim të përpiktë të marrëveshjeve, lehtësimin e procedurave të marrjes së lejeve, regjistrimit dhe kushteve të volitshme për biznes. Programa jonë zgjedhore bazohet mbi këto shtylla kryesore: – Mjedis të pastër jetësor/krijimi i hapësirave të gjelbërta, – Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, – Arsim cilësor, – Zhvillimi ekonomik lokal/mbështetja e sektorit privat, – Përmirësimi i shërbimeve komunale, – Planifikim të mirë urbanistik – Përmirësimin e mirëqenies sociale – Zhvillimi i turizmit rural dhe – Përkrahje të zejtarisë. Ne do të vazhdojmë me projektet jetike siç janë projektet për kanalizim për të gjitha vendbanimet e komunës, projektet për ujë për pije, shtimin e sasisë së ujit për pije në të gjitha vendbanimet e komunës , përmirësimin e infrastrukturës rrugore , rregullimin e shtretërve të lumejve dhe në veçanti rregullimin e shtratit të lumit në Bogovinë prej te ura deri ne magjistralen M-4. Fokusi ynë gjatë katër viteve të ardhshme do të jetë edhe zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë me çka do të ndërtojmë kanalet e ujitjes si dhe mirëmbajtjen dhe hapjen e rrugëve deri te stanet me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të blegtorëve. Në këto katër vite nuk do të mungojë përkushtimi im për arsim cilësor, kushte të mira pune për arsimtarët dhe nxënësit. Do të bëjmë shtimin e hapësirave shkollore , do të ndërtojmë kabinete shkollore, hapjen e çerdhes në Kamjan dhe disperzimin e saj edhe në vendbanimet tjera më të mëdha. Nga viti i ardhshëm do të ndërtojmë sallën shkollore sportive në Bogovinë, më pas në Pirok dhe Pallçisht. Ndërtimin e këndeve të lojërave për fëmijë dhe ndërtimin e tereneve të hapura sportive. Komuna e Bogovinës ka potencial të lartë të zhvillimit të turizmit dhe ne do të mundohemi që të ndërtojmë edhe shtigjet malore për ecje deri te liqenet. Riaktivizimi i shoqërive kulturore-artistike, po ashtu është pjesë e programit tonë katërvjeçare me çka ne do të kultivojmë traditën tonë shumë vjeçare. Përveç këtyre projekteve të lartpërmendura, ne do të angazhohemi edhe për bashkëpunim të mirë me komunat fqinje dhe realizimin e projekteve ndërkufitare me Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë. Koncepti i derës së hapur në kuadër të agjendës së gjelbër, është koncepti që unë sot para jush zotohem që do t’a zbatoj pa hezitim dhe ju garantoj që të gjithë ju qytetarë të nderuar do të keni derën e hapur për nevojat dhe kërkesat tuaja dhe se administrata komunale do të jetë në shërbimin tuaj. Të nderuar qytetarë, këto ishin vetëm disa nga zotimet tona si kryetar komune për jetë më te mire dhe standard me te larte per banoret e komunës së Bogovinës. Zgjidh jetë, voto blertë! Rrethoni numrin 3. Ju faleminderit.