Pas kërcënimeve serioze dhe mesazheve të dhunshme drejtuar deputetëve të BDI-së, të cilat jo vetëm janë kërcënim për anëtarët tanë, por edhe sulm direkt ndaj vlerave dhe institucioneve demokratike të vendit tonë, i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtarë, mediave, shoqërisë civile që të jenë vigjilent ndaj këtij rasti, si sinjal i fillimit të rrënimit të rendit demokratik në vend.
Këto incidente tregojnë shkallën e lartë të intolerancës dhe urrejtjes që përhapet në të gjithë shoqërinë tonë dhe kjo duhet të dënohet nga të gjithë.
VMRO-DPMNE së bashku me vazalët e tyre të tubuar në koalicionin humbës VLEN pasi e vodhën legjitimitetin e shqiptarëve, shkelën votuesin shqiptarë, siç duket nuk u mjafton vetëm ajo dhe kanë vendosur që të tentojnë të mbjellin edhe frikë tek votuesi i Bashkimit Demokratik për Integrim duke sajuar tema e shpifje nga më të ndryshmet të organizuara e menduara mirë. U bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të hetojnë këto incidente dhe të nxjerrin para drejtësisë të gjithë përgjegjësit e kësaj fushate të errët, antidemokratike dhe antiligjore.
Megjithatë, ua bëjmë me dije vazalëve, humbësve të zgjedhjeve, grabitqarëve të legjitimitetit të shqiptarëve, koalicionit VLEN se, BDI së bashku me gjithë anëtarët e saj, nuk ka frikë dhe nuk do të dorëzohet asnjëherë, siç nuk është dorëzuar kurrë nga misioni fisnik për të ruajtur dinjitetin e çdo votuesi shqiptar dhe rendit demokratik në vend.
Neve nuk do të na zmbrapsin as fushatat e juaja të orkestruara me shpifje e me kërcënime, por gjithashtu u paralajmërojmë të bëheni gati të përballeni me skandalet e juaja që nuk kanë të ndalur për 1 muaj qeverisje.