Mbështetja për platformën e Kryeministrit të parë shqiptar po zgjerohet
edhe te komunitetet tjera
Konferencë për shtyp e kandidatëve të BDI-së për deputetë: Meri
Nikollova-Buxhaku, Dr. Seat Zejnel, Ismail Jahoski si dhe Rafet
Muminoviç.
Fjalimi i Bartësit së listës së BDI-së në njësinë e katërt zgjedhore
Sead Zejnel:
Të nderuar kolegë, të nderuara media, qytetarë të nderuar
Unë jam Sead Zejnel, anëtar i bashkësisë etnike turke në vend. Me
profesion jam mjek – internist specialist në Klinikën e Pulmologjisë, që
profesionalisht ma mundëson çdo ditë të takoj një numër të madh të
qytetarëve nga të gjitha bashkësitë etnike, pjesëtarë të të gjitha
religjioneve – njerëz që kanë të njëjtat derte dhe probleme që i sjellin
me vete në zyrën time. Ne mjekët, kemi një avantazh shoqëror: jemi
vërtet të vetëdijshëm se sa të barabartë janë njerëzit nga natyra, ose
më saktë, se sa të ndjeshëm dhe të brishtë janë ata – të barabartë para
sfidave të sëmundjeve dhe shëndetit.
Por në shoqëri, veçanërisht në politikë – nuk është gjithnjë ashtu. Nëse
vërtet duam një demokraci funksionale multietnike, atëherë duhet të
punojmë vazhdimisht për të promovuar të drejtat e bashkësive etnike
jo-shumicë. Platforma për kryeministrin e parë -shqiptar – nuk është
përfitim vetëm për shqiptarët – por një sinjal i qartë për të gjitha
komunitetet etnike, se, në këtë vend ka hapësirë për të gjithë,
inkurajim për të gjithë anëtarët e rinj dhe për komunitetin etnik turk,
por edhe të gjitha komuniteteve jo-shumicë, se të gjithë kanë mundësi të
barabartë për të garuar për çdo pozicion në shoqëri, edhe në shëndetësi,
edhe në biznes, por edhe në politikë.
Pikërisht për këtë, unë Sead Zejnel, e mbështes plotësisht këtë ide, dhe
dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që besojnë në një shoqëri
multietnike, të qëndrojnë së bashku me ne.
Ju faleminderit
Fjalimi i kandidates për deputete Meri Nikollova Buxhaku:
Të nderuar kolegë, të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar
qytetarë,
Unë jam Meri Nikolova Buxhaku, dhe ndoshta shumica prej jush më njohin
si aktiviste, si folëse e zëshme për ata që janë trajtuar padrejtësisht,
atyre që u është e nevojshme mbështetje dhe ndihmë. Por, unë jam
gjithashtu aktive edhe politikisht, duke u munduar të kontribuoj në
ndërtimin e një shoqërie me të cilën do të zvogëlohen ndryshimet midis
qytetarëve, një shoqërie në të cilën do të korrigjohen padrejtësitë, një
shoqëri në të cilën të gjithë do të kenë mundësi të drejtë për të garuar
për sukses.
Opsioni im politik është Bashkimi Demokratik për Integrim, sepse kjo
është partia që më së shumti kontribuon në avancimin shoqëror pikërisht
aty ku qëndron edhe interesi im – të drejtat e qytetarëve. BDI është
parti e cila, krahas asaj që e tërheq kryesisht bazën e saj të
mbështetësve midis shqiptarëve në vend, megjithatë krijon një platformë
të fuqishme në të cilën ka vend për të gjithë ne, angazhimi politik i të
cilëve është promovimi i të drejtave individuale të qytetarëve.
Pikërisht në këtë drejtim shoh edhe idenë e kryeministrit të parë –
shqiptar, si një platformë që do të shkatërrojë stereotipet politike në
vend se kujt çfarë roli i takon në shoqëri. Unë fuqishëm e mbështes këtë
ide, dhe mendoj se Kryeministri i parë – Shqiptar do të paraqet motivim
dhe inkurajim mbi të gjithë qytetarët për ta planifikuar të ardhmen e
tyre këtu në Maqedoninë e Veriut, por më e rëndësishmja – do të
nënkuptojë edhe përforcim të lojalitetit dhe ndjenjës së tyre autentike
të përkatësisë ndaj këtij vendi – që do të dakordoheni se është interes
i të gjithë qytetarëve.
Padyshim që kjo do të thotë avancim i marrëdhënieve të të gjitha
bashkësive etnike, do të nënkuptojë një besim të shtuar midis kombeve,
do të thotë një kontribut i fuqishëm ndaj përforcimit të shoqërisë
multietnike, që është përfitimi jonë më i madh civilizues.
Ju faleminderit.
Fjalim i kandidatit për deputet Ismail Jahoski
Të nderuar kolegë, të nderuar miq, media, të nderuar qytetarë,
Unë jam Ismail Jahoski, kryetari i Komunës së Pllasnicës, komunë e cila
është shembull i vërtetë i një shoqërie multietnike në vend. Ne të
gjithë e konsiderojmë veten se i përkasim bashkësisë etnike turke, edhe
pse të gjithë flasim rrjedhshëm maqedonisht. Ne jemi qytetarë besnik të
këtij vendi, dhe e konsiderojmë atë si vend amë, dhe prandaj në këtë
vend e shohim të ardhmen tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë.
Ne jemi të vetëdijshëm që jemi anëtarë të një komuniteti më të vogël
etnik në vend, por gjithmonë e kemi parë realizimin e të drejtave tona
kolektive si progres të përgjithshëm të të drejtave të bashkësive etnike
jo-shumicë – kryesisht përmes realizimit të të drejtave të shqiptarëve
si komuniteti më i madh jo-shumicë në vend. Unë e konsideroj platformën
për Kryeministër të parë – Shqiptar, si jashtëzakonisht pozitive, sepse
me këtë do të lirohen më tej, do të inkurajohen të gjithë qytetarët në
vend, se të gjithë kanë shans dhe mundësi të barabartë për të kërkuar
lumturinë e tyre në këtë vend. Të gjithë ne, që kemi arritur ndonjë
sukses – shoku Zejnel i cili është mjek, Muminoviçi që është biznesmen i
suksesshëm, ja dhe unë që krijova biznes dhe të cilin tani fëmijët e mi
e udhëheqin, dhe tani që jam Kryetar i Komunës – ne të gjithë jemi një
shembull që në këtë vend, nëse punon, mund të kesh sukses. Kështu duhet
të jetë edhe në politikë, duhet të inkurajohen, motivohen të rinjtë – që
ky vend është i barabartë për të gjithë.
Prandaj unë, Ismail Jahoski, qëndroj fuqishëm pas kësaj oferte politike,
dhe u bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve, pavarësisht përkatësisë
etnike dhe fesë, të qëndrojnë pas platformës për Kryeministër të parë –
Shqiptar, sepse është një ide fisnike që do të sjellë përparim për të
gjithë në vend.
Ju faleminderit.
Fjalim i kandidatit për deputet Rafet Muminoviç
Të dashur kolegë, miq, të nderuar qytetarë,
Unë jam Rafet Muminoviq, dhe unë i përkas bashkësisë më të vogël etnike
në Republikën e Maqedonisë së Veriut – asaj boshnjake. Ashtu si kolegët
e mi më parë, dua të theksoj se ne, komunitetet më të vogla etnike, kemi
pritje dhe i realizojmë të drejtat tona të pakicave, përmes parimeve dhe
politikave të siguruara nga komuniteti më i madh jo-shumicë në vend –
shqiptarët.
Të jemi të sinqertë, as ne boshnjakët, e besoj që as turqit, romët,
vllehët dhe asnjëra nga bashkësitë e tjera etnike, nuk do mundeshim t’i
fitojmë as edhe të drejtat e sotme, po të mos ishte forca kolektive
politike që e realizojmë së bashku me shqiptarët në vend. Askush prej
nesh nuk ka iluzionin se, ne vetë, do të ishim në gjendje t’i arrijmë
përfitimet nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, nga Ligji për Përdorimin e
Gjuhëve dhe, gjithsesi, përfaqësimin e drejtë në politikë, në
administratë dhe në përgjithësi në shoqëri.
Është e qartë që, ne të drejtat tona i realizojmë vetëm kur jemi të
bashkuar, kur veprojmë së bashku, dhe këtë na e siguron Bashkimi
Demokratik për Integrim, që po shndërrohet në një platformë për të
ushtruar të drejtat dhe mundësitë e të gjitha bashkësive etnike në vend.
Dhe kjo, të gjithë do të pajtohemi se asnjëherë nuk ishte në dëm të
komunitetit shumicë, bashkëqytetarëve tanë – maqedonasve. Përkundrazi,
krijimi i një shteti të përbashkët, ndërtimi i besimit midis bashkësive
etnike, krijimi i një shteti të qytetarëve besnik, është një përfitim
për të gjithë ne.
Ndaj, ta pranojmë të gjithë së bashku, dhe të qëndrojmë pas kësaj ideje
të re, kësaj platforme që unifikon, dhe të realizojmë idenë e
kryeministrit të parë – shqiptar. Kjo, është një ide e mirë, është një
ide e guximshme, kjo para së gjithash është një ide ambicioze dhe me të
vërtetë ia vlen që njeriu të përkushtohet në zbatimin e saj në praktikë.
Unë qëndroj pas kësaj ideje dhe u bëj thirrje boshnjakëve të mi, por
edhe të gjitha komuniteteve të tjera, të qëndrojnë së bashku pas kësaj
platforme.
Ju faleminderit.