Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër dhunën e ushtruar në seancën e Komisionit për Çështje Europiane në Kuvend nga ana e deputetëve të VMRO DPMNE-së bashku me deputetët e Aleancës për Shqiptarët.
Gjithmonë kur temë e diskutimit dhe në rend dite në Kuvend është vendosja e drejtësisë në vend, VMRO DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët provokojnë dhunë verbale dhe fizike me qëllim që të mbrojnë krimin dhe gjithnjë shfaqen kundër funksionimit të mirëfilltë të sistemit gjyqësor.
Sot në seancën e Komisionit për Çështje Europiane edhe njëherë u dëshmua se VMRO DPMNE dhe partitë tjera opozitare ushtruan dhunë për të bllokuar punimet e Komisionit dhe pikërisht deputetët të cilët janë nën hetime, nxitën incident dhe ndaluan seancën.
Bashkimi Demokratik për Integrim informon qytetarët dhe mbarë opinionin se Kuvendi do të vazhdojë të funksionojë në frymën pro perendimore-euroamerikane dhe do ta mbështesë agjendën reformuese në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.