Mbështetja financiare nga pakoja e gjashtë e masave është reale dhe siguron mbështetje për ato aktivitete që janë mbyllur me vendim të Qeverisë, pra ato të cilat janë më të prekura nga pandemia. Këto masa janë vazhdim i masave të mëparshme, dhe pjesa më e madhe e mbështetjes i dedikohet sektorit të turizmit dhe hotelierik, deklaroi Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në emisionin “Magazina Ekonomike” në TV Alsat. Në emision, Ministri sqaroi se si është planifikuar të paguhet mbështetja financiare në sektorët që janë mbyllur plotësisht, si dhe ata që janë mbyllur me vendimin e fundit të Qeverisë prej tre javësh. “Modeli është i kombinuar. Ne parashikojmë që të gjitha objektet e regjistruara të hotelierisë të ndajmë ndihmë financiare sipas të ardhurave të tyre ose xhiros që kishin në vitin 2019 kombinuar me vitin 2020, do të merret mesatarja e muajit dhe për periudhën në të cilën ishin mbyllur, 30% e këtij qarkullimi do të alokohen për objektet hotelierike. Përveç furnizuesve të ushqimit, kjo masë është në të njëjtën formë dhe është menduar për vendpushimet private të fëmijëve, klubet e natës, këndet e lojërave, restorantet për dasma, event ngjarjet, qendrat e fitnesit, fotografët dhe studiot e fotografisë si dhe për agjencitë turistike. Modeli do të jetë i ngjashëm me atë që kemi realizuar në tremujorin e katërt të vitit 2020 ku do të shkojmë me ndihmë të drejtpërdrejtë si një grant, në varësi të kategorizimit. Parashikohet gjithashtu mbështetje për pagesën e pagës për punonjës. Për shembull, për një kompani me 10 të punësuar, do të shpërndahen 152,000 denarë për pagimin e pagave për punonjësit,” tha Ministri. Ai sqaroi se sipas të dhënave nga DAP dhe Regjistri Qendror, nëse bëjmë një krahasim në sektorin e hotelierisë dhe turizmit në përgjithësi, nëse bëjmë një krahasim nga viti 2020 dhe çfarë raportohet këtë vit dhe krahasuar me vitin 2019, do të konkludojmë se ka një rënie prej 30% të të ardhurave në këtë aktivitet në nivel shtetëror, që do të thotë se për ata që janë mbyllur gjatë gjithë vitit me vendim të Qeverisë ata do të marrin 30 përqind të të ardhurave mujore për çdo muaj individualisht. “Kur jemi tek restorantet për dasma dhe ahengje, t’i informojmë saktë pronarët e restoranteve për dasma. Pra, në vitin 2019 mesatarja e raportuar nga këto kompani ishte 35,000 euro, nëse ndahet në 12 muaj, ajo është 3,000 euro dhe nga 3,000 euro ata do të marrin 30%. Kjo është ndihma që me modelin e kthimit të përqindjes do t’u jepet restoranteve që organizojnë dasma dhe ahengje dhe plus duhet të shtojmë se për secilin punonjës do të marrin edhe 15.200 denarë shtesë ” tha Ministri dhe kujtoi se vitin e kaluar këto restorante morën grante direkte deri në 10 mijë euro dhe ndërkohë u kategorizuan në gjithsej 140 objekte të tilla. Lidhur me ato objekte hotelierike që janë mbyllur për dy javët e fundit dhe do të mbyllen për një javë tjetër, siç shpjegoi Ministri, mesatarja e vitit 2019, 2020 do të merret nga dita kur filloi pandemia deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2021 dhe bazuar në ato të dhëna do të ndahet në 12 muaj dhe shuma që është për një muaj, do të merret 75% sepse ndalesa është 21 ditë dhe nga 75% do të marrin 30%. “Mbështetje financiare për pagesën e pagës prej 15.200 denarëve, sipas kësaj mase do t’u jepet të gjithë atyre punonjësve nëpër objekte hotelierike të cilët ishin të regjistruar si të punësuar më 6 prill 2021 kur edhe u mor vendimi për mbyllje, pra për të pranuar vizitorë,” ceku Ministri. Ministri gjithashtu informoi se muajin e ardhshëm Ministria e Ekonomisë do të shpallë thirrjen publike për vauçera turistikë dhe të njëjtën do ti marrin të gjithë punonjësit me të ardhura të ulëta që do të kenë të drejtë të aplikojnë. Është planifikuar të përfshihen rreth 1.000 qytetarë.