Mbi 400 kompani që kanë investuar ose do të investojnë në rritjen e konkurrencës gjatë periudhës covid dhe post-covid do të marrin mbështetje financiare nga shteti, deklaroi Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në emisionin Top Tema në televizionin Telma. Për mbështetetje të biznesit përmes kësaj mase, e cila ishte pjesë e Pakos së tretë të masave të Qeverisë, siç tha Ministri, do të ndahen nga 17 në 18 milion euro në varësi të ciklit të investimeve të kompanive.  “Sot pata mundësinë të marr edhe raportin nga Komisioni i cili ka punuar në Thirrjen Publike për mbështetje financiare të konkurrencës së kompanive gjatë periudhës covid dhe post-covid dhe dua të informoj se do të mbështeten mbi 400 kompani që investojnë ose do të investojnë gjatë vitit 2021, që do të thotë krijimin e vendeve të reja të punës. Duhet të merret vendim mbi këtë masë, që do të thotë se 17 deri në 18 milion euro do t’u shpërndahen kompanive për ciklin e tyre të investimeve.