Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dorëzoi marrëveshjet për bashkëfinancim të projekteve për mbështetjen e zejtarisë katër Odave të zejtarëve. Këto janë projekte të Odave të zejtarëve të Shkupit, Shtipit, Kumanovës dhe Manastirit për projekte për zhvillimin dhe promovimin e zejtarisë, vlera totale e të katër granteve është 707,000 denarë. Pas nënshkrimit të marrëveshjeve për grante, Ministri Bekteshi deklaroi se këtë vit Ministria e Ekonomisë, përveç Odave të zejtarisë, përkrahu një numër rekord të zejtarëve, me çka përmes masave të Ministrisë së Ekonomisë, u realizuan 4.4 milion denarë për masën e subvencioneve për zejtarët. “Si Ministri e Ekonomisë edhe një herë dëshmojmë se kujdesemi për zejtarinë, aktivitet I cili është shumë i rëndësishëm në vendin tonë. Gëzon fakti që fondet e siguruara për mbështetjen e zejtarisë në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë janë realizuar plotësisht dhe 43 zejtarë morën subvencione dhe katër Oda të zejtarëve morën grante për mbështetjen dhe zhvillimin e zejtarisë, tha Ministri Bekteshi. Ai informoi se pakoja e katërt e masave të miratuara nga Qeveria siguron fonde shtesë për mbështetje të zejtarëve, ndërsa pas miratimit të rebalancit të buxhetit këto fonde do t’u jenë në dispozicion. Masat nga pakoja e katërt parashikojnë 12 milion denarë shtesë për mbështetje të zejtarëve për blerje të mjeteve dhe pajisjeve, dhe përveç kësaj, zejtarët mund të përdorin edhe masën për mbështetje financiare për pagesën e pagave, si dhe linjën e kreditit pa interes të Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut, ku Ministria bashkëfinancon 60 milion denarë dhe zejtarët mund të aplikojnë për kredi pa interes deri në 5,000 euro për të rritur likuiditetin e tyre,” ceku Bekteshi. Ministri shtoi se po punohet për ndryshime ligjore që do të mundësojnë uljen e TVSH-së në shërbimet artizanale nga 18% në 5% nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Agron Fazliji, Kryetar i Odës së Zejtarëve të Kumanovës dhe njlkohësisht Kryetar i Odës së Zejtarëve të Maqedonisë falënderoi Ministrinë e Ekonomisë për përfshirjen e zejtarëve në krijimin e të gjitha masave të parapara për mbështetje të ekonomisë nga kriza kovid. “Zejtarët morën mbështetje në të tre pakot e masave të miratuara nga Qeveria, tani ne jemi duke pritur që ndryshimet ligjore të fillojnë të zbatojnë masat e pakos së katërt, ku zejtarët mund të aplikojnë për më shumë masa”, tha Fazliji dhe theksoi se mbështetja e shtetit për zejtarët është e nevojshme si një nga sektorët më të prekur nga kriza. Që nga viti 2010, Ministria e Ekonomisë ka mbështetur zejtarinë përmes disa masave. Për dhjetë vite, Ministria e Ekonomisë ka mbështetur gjithsej 163 zejtarë dhe 41 projekte të Odave të zejtarëve me vlerë totale prej 340,000 euro.