Ministria e Ekonomisë ka dorëzuar në Qeveri një propozim-vendim për ndalimin e shitjeve aksionale dhe promocionale nga të gjitha rrjetet tregtare në vendin tonë, i cili do të jetë i vlefshëm deri më 30 nëntor. Kurse, në seancën e ardhshme të Qeverisë do të propozojmë edhe vendim për ngrirjen e çmimeve të të gjitha produkteve ushqimore, tha Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në një konferencë për media pas takimit të sotëm të punës me drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski dhe udhëheqësit e njëhsive rajonale të ISHT-së.
Ngrirja e çmimeve, siç paralajmëroi ministri Bekteshi, do të jetë me ulje të paktën 10% të çmimeve të të gjitha produkteve ushqimore. “Ministria e Ekonomisë nga sot ka filluar sjelljen e masave, propozim-vendimeve në pjesën e ruajtjes së standartit të qytetarëve. Analizat e Ministrisë së Ekonomisë, Bankës Popullore dhe Ministrisë së Financave në pjesën e lëvizjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë tregojnë se nuk ka bazë për rritje të çmimeve të produkteve ushqimore si nga ana e tregtarëve ashtu edhe nga ana e prodhuesve. Të dhënat tregojnë ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë në mbarë botën, të cilat kanë një diferencë të madhe me çmimet në vendin tonë, përfshirë çmimet e importit të produkteve, por edhe të lëndëve të para për prodhimin e produkteve ushqimore bazë. Për këtë arsye mendojmë se ka hapësirë për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në vendin tonë”, tha ministri Bekteshi.
Ministri shtoi se të gjitha llogaritë përfundimtare, veçanërisht të rrjeteve të mëdha të supermarketeve, tregojnë se nuk ka rënie të të ardhurave të tyre, përkundrazi, kanë rritje të të ardhurave nga viti i kaluar, që ishte viti më i vështirë për sa i përket çmimeve.
“Disa zinxhirë supermarketesh bëjnë një mashtrim me mundësitë për të shitur produkte në aksion, ulje apo fushata. Për t’u bërë të qartë konsumatorëve se cili është çmimi real, tregjet nuk do ta kenë këtë mundësi deri më 30 nëntor dhe do të dihet saktësisht se cili është çmimi i një produkti të caktuar për të mos mashtruar qytetarët. Me propozim vendim do të dihen çmimet reale dhe sa do të jetë ulja”, tha ministri dhe shtoi se në periudhën e ardhshme do të ketë ndryshime dhe plotësime shtesë në Ligjin për Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe do të përgatitet Ligji i ri për praktikat e padrejta të tregtisë, ku përveç gjobave për supermarketet për tregtarët të ketë mundësi mbylljeje dhe ndalimi të veprimtarisë. Një mundësi të tillë e kemi në Ligjin tonë për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe në Ligjin e Tregtisë, theksoi Bekteshi.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, tha se inspektorët do të vazhdojnë të merren me të gjitha subjektet në periudhën e ardhshme pa seleksionime dhe pa compromise, sikurse edhe më parë.
“Inspektorati i tregut vazhdon të punojë me kontrolle të forta në terren, të gjitha me synimin për të mbrojtur standardin e qytetarëve. Inkurajoj të gjithë qytetarët që konstatojnë parregullsi të lajmërohen menjëherë në inspektoratin e tregut.Vërej se që nga emërimi im si drejtor i këtij institucioni, në periudhën nga 1 janari deri më 31 qershor të këtij viti, janë kryer 16400 kontrolle e më shumë. Janë lëshuar 3700 urdhëresa në vlerë prej 140 milionë denarë, tha drejtori Trajkovski.
Në takimin e punës u diskutua për gjendjen aktuale në inspektoratin e tregut, strategjinë për përmirësimin e punës së inspektoratit dhe aktivitetet e radhës që do të prezantohen në institucion.