Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot në Tiranë, Shqipëri, mori pjesë dhe iu drejtua Forumit të Ministrave të Ekonomisë me temë “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt një tregu të vetëm të BE-së”, i cili mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ministri Bekteshi në fjalimin e tij në forumin e biznesit me titull “Sfidat dhe potencialet e tregut të përbashkët rajonal – rruga drejt një tregu të vetëm përmes integrimit të përshpejtuar” theksoi se Maqedonia e Veriut është plotësisht e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal duke hequr të gjitha barrierat, duke miratuar të gjitha protokollet dhe zbatimin e tyre bazuar në standardet dhe rregulloret që kërkuan dhe vendosën vendet e BE-së.
Ministrat e Ekonomisë nga Procesi i Berlinit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe partnerë të tjerë nga Procesi i Berlinit do të marrin pjesë në forum me fokus në promovimin e tregut të përbashkët rajonal, për të inkurajuar rritjen ekonomike në rajon dhe afrimin e tij me BE-në.
“Kur dëgjojmë fjalime emocionale nga ata që udhëheqin sektorin e biznesit dhe që kthehen në të kaluarën, mendoj se jemi në rrugën e gabuar. Duhet të ecim përpara për të ngritur standardin e jetesës së qytetarëve, për të pasur rritje ekonomike dhe në këtë mënyrë të krijojmë mundësi për prosperitetin e të rinjve”, tha ministri Bekteshi në Forumin e Biznesit të vendeve të Procesit të Berlinit, ku morën pjesë mbi 180 kompani nga rajoni dhe nga Evropa.
Sa i përket rolit të BE-së, ministri theksoi se duhet të jetë një derë e hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke qenë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë tashmë në proces skriningu. “Nëse duam të kemi rritje, një plan rritjeje që do të zbatohet brenda Ballkanit Perëndimor, duhet të punojmë së bashku dhe të mos shikojmë vetëm ekonomitë tona të brendshme”, tha ministri Bekteshi.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut është plotësisht e përkushtuar dhe mbështet iniciativa të tilla, veçanërisht në ngjarje të tilla për t’u bashkuar, për ta lënë pas të kaluarën sepse e kaluara na krijon probleme të vështira.
“Të rinjtë janë në kërkim të mundësive të reja, brenda BE-së, dhe ne jemi pjesë e kontinentit europian, ndaj pse të mos e kemi atë prosperitet edhe në vendet tona”- tha Bekteshi.
Gjithashtu, ministri theksoi se Maqedonia e Veriut mbështet plotësisht protokollin e CEFTA-s dhe nismat e BE-së. “Por ne po kërkojmë më shumë se kaq, sepse mendoj se BE-ja ka potencialin të kushtojë më shumë vëmendje jo vetëm me fjalë por edhe me vepra për vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe sa i përket problemeve të brendshme që kemi, është detyrimi ynë, të flasim hapur por edhe të reflektojmë”- tha ministri Kreshnik Bekteshi.