Bekteshi për Studio10: Do të ketë masa dhe ndëshkime ndaj të gjithë atyre që abuzojnë me situatën me krizën energjetike

“Do të ketë masa dhe ndëshkime ndaj atyre kompanive që abuzojnë me situatën me krizën energjetike. Jemi duke e monitoruar situatën në terren, si me çmimet e energjisë ashtu edhe të produkteve ushqimore bazë. Pas miratimit të ribalancimit të buxhetit në Kuvend, ne si Ministri e Ekonomisë tashmë po punojmë në hartimin e masave mbështetëse që do të synojnë kategoritë e qytetarëve me të ardhura të ulëta”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në emisionin Studio 10 në TV24.
Ministri Bekteshi potencoi se nuk pritet një dimër i vështirë në pjesën e energjisë, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe në rajon, duke shtuar se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet nga të gjitha institucionet për të siguruar sa më shumë sasi nga prodhimi vendor i energjisë elektrike dhe për të pasur furnizim të vazhdueshëm me gaz natyror.
“Ato përgatitje janë duke u bërë, ne jemi duke monitoruar situatën dhe tani me ribalancin e Buxhetit nga Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë kanë filluar të hartohen masat që do t’u drejtohen kategorive të qytetarëve me të ardhura të ulëta. Presim rënie të çmimit të grurit dhe lulediellit në periudhën e ardhshme për shkak të korrjes së re, si dhe çmimet e produkteve që lidhen me këto kultura të ulen me të paktën 20%. Por, nëse vazhdon trendi i uljes së çmimeve të lëndëve të para dhe nuk ka ulje të çmimeve në përpunim dhe tregti, atëherë Qeveria do të duhet të ndërhyjë. Në përputhje me Ligjin për tregtinë, do të propozojmë disa masa, si ngrirja e çmimeve apo marzheve, të gjitha për të shmangur abuzimet në kurriz të qytetarëve. Kompanitë e dinë këtë sepse ne monitorojmë të dhënat në baza ditore”, tha ministri Bekteshi.
Në pjesën për abuzimet me energjinë elektrike dhe modelin e ri tarifor për çmimin e energjisë elektrike, ministri Bekteshi theksoi se tashmë po mendohen masa dhe ndëshkime për kompanitë që abuzojnë me sistemin dhe situatën me krizën energjetike në kurriz të qytetarëve.
“Në koordinim me Komisionin Rregullator për Energjetik kam kërkuar listën e kompanive nga Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe institucionet kompetente sepse është krim. Kemi pasur shembuj të keqpërdorimit të dispozitave të Ligjit për Energji nga komunat, disa kisha dhe xhami dhe këtë e kanë bërë edhe kompanitë e mëdha me mbi 600 punëtorë që kanë zinxhirë tregjesh. Detyrimin për pagesën e energjisë elektrike ia kalojnë një kompanie të sapohapur, e cila ka më pak se 50 punonjës ose ka pasur të ardhura më pak se 2 milionë euro vitin e kaluar”, tha ministri.
Për furnizim me energji termike në Qytetin e Shkupit pasi Komisioni Rregullator për Energjetik ia hoqi licencat BEG-ut, ministri Bekteshi theksoi se në periudhën e ardhshme do të shpallet thirrje publike për përzgjedhjen e një kompanie që do të marrë rolin e prodhimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji termike.
“Qyteti i Shkupit ka themeluar një kompani të tillë, por nga atje kanë bërë të ditur se nuk do të aplikojnë për të marrë obligimin që e kanë sipas ligjit. Nëse nuk paraqitet asnjë kompani, SHA EMV do ta marrë këtë obligim”, tha ministri Bekteshi.

Related posts

Reagim plotësues nga Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me incidentet e fundit

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër edhe aktin e djegies së flamurit shqiptar, që përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj simboleve dhe…

Ali Ahmeti uron 28 nëntorin: Përjetësi Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar kombin shqiptar me rastin e 28 nëntorit duke thënë që liria nuk…

Ali Ahmeti takon shoqatat e shqiptarëve në Kroaci: Mirënjohës Amerikës për jetë të jetëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, ka takuar të gjitha shoqatat e shqiptarëve në…