Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer, prezantuan sot prioritetet e Maqedonisë së Veriut me kryesimin e Marrëveshjen e Evropës Qendrore tëTregtisë së Lirë – CEFTA në vitin 2021. Në fjalimin e tij Ministri deklaroi se qarkullimi i lirë i mallrave, tregtia e lirë e shërbimeve, mënjanimi i pengesave për tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, Protokolli plotësues 7 për zgjidhjen e kontesteve, si dhe zhvillimi institucional i strukturave të CEFTA do të jenë prioritetet e kryesisë së Maqedonisë së Veriut me CEFTA-n këtë vit. Ai shtoi se zbatimi i marrëveshjes CEFTA dhe aktivitetet e parashikuara në Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2021-2024, do të jenë bazë për kryesimin tonë. “Shtylla kryesore e kryesimit tonë është tregtia. Kjo shtyllë ka për qëllim lehtësimin e qarkullimit të lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve mes vendeve të CEFTA-s në mënyrë që të mundësohet prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët. Aktiviteti që e imponoi pandemia është vazhdimi i funksionimit të Korridoreve të gjelbra me qëllim të transitimit sa më të lehtë të mallrave nëpër rajon, si dhe të zgjerimit të këtyre korridoreve drejt vendeve fqinje anëtare të BE-së. Aktivitetet tona do të jenë të orientuara drejt ndjekjes së përparimit të evidentuar në secilën palë të CEFTA-s lidhur me mënjanimin e barrierave të paraqitura jotarifore, përgatitjen e listës unike me të gjitha taksat dhe detyrimet për importin ose eksportin e mallrave, përgatitjen e Dokumentit të veprimit për implementimin e infrastrukturës për cilësi, zbatimin e programeve për njohjen e ndërsjellë të Operatorëve të Autorizuar Ekonomik, etj..” ceku ministri Bekteshi në fjalimin e tij. Ministri po ashtu potencoi se mes aktiviteteteve të ekryesimit tonë të sivjemë do të përfshihen edhe identifikimi i dobësive kryesore në dërgesën rajonale të dërgesave në shërbimet postare, marrja e vendimit për vendosjen e sistemit të përgjithshëm të njohjes së kualifikimeve profesionale për një profesion të caktuar me zgjerimin gradual të profesioneve të tjera, miratimi i kornizës për njohje të ndërsjellë të nënshkrimeve elektronike, si dhe forma të tjera të identifikimit elektronik. „ Duke marrë parasysh faktin se në vitet e kaluara ishim dëshmitarë të barrierave të caktuara jotarifore, në vitin 2021 do të përqendrohemi edhe në përgatitjen e raportit të parë të barrierave jotarifore në mënyrë që të identifikohen pengesat tregtare me të cilat përballet biznesi në rajon. Një nga prioritetet e kryesimit janë edhe bisedimet dhe vedosja e Protokollit plotësues 7 për zgjidhjen e kontesteve me të cilin do të krijohet kornizë juridike për zgjidhjen dhe mënjanimin e barrierave tregtare mes anëtareve të CEFTA-s për çka tashmë është mbajtur një rund i bisedimeve në vend “, tha ministri duke nënvizuar se do të punohet në përmirësimin organizativ dhe funksional të punës së Sekretariatit të CEFTA-s. Ambasadori i BE-së David Geer tha se kryesimi i Maqedonisë së Veriut me CEFTA-n ofron një mundësi për përparim të rëndësishëm në shumë fusha. “Plani Ekonomik i investimeve dhe CEFTA ndajnë një qëllim të përbashkët: të integrojnë më mirë vendet e Ballkanit Perëndimor ekonomikisht, midis tyre dhe me BE-në . Plani gjithashtu vendos një theks të fortë në ndërtimin e një tregu të përbashkët rajonal si një mënyrë për të rritur aftësinë konkurruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor,” deklaroi Ambasadori Geer në fjalimin e tij.