Besimi – Bjerde: Banka Botërore me përkrahje financiare prej gjysmë miliard dollarëve për projektet aktuale në vend

Korniza katërvjeçare e bashkëpunimit me Bankën Botërore për periudhën 2019-2023, tashëm është realizuar plotësisht përmes zbatimit të projekteve në vend. Portofoli aktual i BB-së në vend përbëhet nga nëntë projekte në vlerë prej rreth 480 milionë dollarëve, prej të cilave shumica janë në fushën e infrastrukturës. Mjetet financiare shtesë në vlerë prej rreth 80 milionë dollarëve, që pritet që të miratohen nga BB-ja, i referohen përkrahjes së sistemit të integruar IFMIS, që është pjesë e Ligjit të ri për Buxhetet.

Për këtë, u diskutua në takimin ndërmjet delegacionit të udhëhequr nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, guvernatorja Anita Angellovska-Bezhovska dhe delegacionit të udhëhequr nga nënkryetarja e Bankës Botërore, Anna Bjerde, drejtoresha e BB-së për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu dhe drejtori ekzekutiv i Konstituencës, Koen Davidse. Takimi u mbajt në kuadër të takimeve vjetore të Konstituencës holandeze të FMN-së dhe BB-së, ku anëtar është edhe vendi ynë. Konstituenca mbahet në Sarajevë – Bosnjë e Hercegovinë.

Në këtë takim, ministri i Financave, Besimi, theksoi se Ligji i ri për Buxhetet, që paraqet ligj sistemik për reformën e financave publike, u miratua nga Kuvendi. Kështu, IFMIS-ja si sistem i integruar për arkëtimin e detyrimeve që është pjesë e ligjit reformues, ka rëndësi të jashtëzakonshme sepse do të monitorojë në tërësi realizimin e buxhetit nga arkëtimi i detyrimeve, deri te shpenzimet e tij. Pritet që BB-ja të miratojë mjete financiare për IFMIS-në që është me rëndësi të jashtëzakonshme për implementimin e Ligjit për Buxhetet.

Gjithashtu, në takimin u diskutua edhe për Projektin e ri për zhvillim të qëndrueshmëm të komunave, që është në fazë hartimi nga Ministria e Financave dhe Banka Botërore, i cili paraqet vazhdim të Projektit për përmirësimin e shërbimeve të komunave – MSIP. Ky projekt është në vlerë prej pothuajse 50 milionë dollarëve dhe tashmë parashikohet në Kornizën aktuale të bashkëpunimit me Bankën Botërore.

Korniza aktuale e bashkëpunimit përndryshe përfundon në mes së vitit të ardhshëm. Në fillim të vitit 2023, do të fillojnë aktivitetet për përgatitjen e kornizës së re të bashkëpunimit me BB-në, me të cilën do të sigurohen mjete financiare për projekte të reja thelbësore në vend. Në këtë takim, u kërkua që të bëhet diagnostikimi i ri sistematik i vendit nga BB-ja, sepse ky dokument paraqet një pasqyrë të shkëlqyer, që mundëson shqyrtim të detajuar se në cilat sfera nevojiten masa sistemike.

Related posts

Kryetari Ahmeti priti Presidentin Begaj në selinë e BDI-së

Tetovë, 28.02.2026 Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pati kënaqësinë e veçantë që në selinë e partisë të mirëpresë Presidentin…

Kryetari Ali Ahmeti mirëpriti Presidentin Begaj

Shkup, 26.02.2026 Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, së bashku me bashkëpunëtorë dhe miq, mirëpriti Presidentin e Republikës së Shqipërisë,…

Kryetari Ali Ahmeti takoi ish-Komesarin, z. Johannes Han

Tetovë, 26.02.2026 Kryetari Ali Ahmeti zhvilloi një takim miqësor me z. Johannes Hahn, ish Komisionar Evropian për Buxhet dhe Administratë, si dhe…