“Buxheti për vitin 2023 u realizua sipas planit dhe dallohet për realizimin historik më të lartë të investimeve kapitale, si në vlerë, po ashtu edhe në përqindje të realizimit të planit. Janë realizuar 707 milionë euro investime kapitale ose realizim prej 97% në raport me planin. Deficiti buxhetor prej 4.67% të PBB-së që është më i ulët se projeksioni (4.8%) si dhe borxhi publik prej 59.3% që është më i ulët se plani, po ashtu edhe se rregullat fiskale.
Këtë e deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi, sot, në takimin me gazetarët, ku potencoi se ky vit është viti i parë fiskal, pas 12 viteve, në të cilin buxheti nuk u rishikua.
“Realizimi i të hyrave të përgjithshme është në nivel prej 98.3%, i shpenzimeve prej 98.1%. Realizimi i shpenzimeve kapitale ose investimeve është 43.5 miliardë denarëve ose 707 milionë euro, që paraqet realizim prej 97% në krahasim me planin, 4.9% të PBB-së dhe 52% më shumë se në vitin 2022”, potencoi ministri Besimi dhe shtoi se ky realizim është realizim rekond i shpenzimeve kapitale sa i përket planit, në dhjetë vitet e fundit.
Siç theksoi ai, ka rëndësi fakti që shpenzimet kapitale zënë një vend kyç në strukturën e buxhetit dhe përveç kësaj, në vitin 2023 është realizuar e gjithë ajo që ishte potencuar, në fakt, të gjitha shpenzimet kapitale janë realizuar në nivel më të lartë se deficiti buxhetor i cili është në nivel prej 41.423 miliardë denarëve.
“Kjo nënkupton se huamarrjet janë bërë vetëm për investime, ndërkohë që u vijua edhe me konsolidimin fiskal. Respektivisht, deficiti buxhetor është në nivelin prej 4.67% të PBB-së, që është më i ulët sesa ishte projektuar (4.8% e PBB-së). Ky trend vazhdon që nga viti 2020. Deficiti buxhetor në vitin 2020 është realizuar me 8% të PBB-së, ndërsa ishte projektuar 8.4%, në vitin 2021 është realizuar me 5.4%, ndërsa ishte projektuar 6.1%, në vitin 2022 është realizuar 4.5%, ndërsa ishte projektuar 5.4% të PBB-së.
Që ky trend të vazhdojë edhe në vitin 2024, është parashikuar në nivelin 3.4%, që është në përputhje me rregullat fiskale, nëse merret parasysh se 0.4% e deficitit është për zbatimin e masave antikrizë”, sqaroi ministri Besimi.
Ai theksoi se përveç rritjes së mjeteve për investime, janë ndarë më shumë mjete për përkrahjen e ekonomisë dhe qytetarëve, përkatësisht 5.2 miliardë denarë për kompanitë, 8.8 miliardë denarë për subvencione në bujqësi, 1.97 miliardë denarë për subvencione në arsim, 874 milionë denarë subvencione në kulturë dhe 185 milionë denarë subvencione në sport. Më shumë mjete janë transferuar edhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale, përkatësisht në vlerë prej 27.7 miliardë denarëve.
Ministri theksoi edhe përkrahjen që është realizuar për ballafaqimin me krizën dhe përkrahjen e ekonomisë dhe qytetarëve në vlerë prej 5.5 miliardë denarëve.
“Aspekti kryesor është arritur. Buxheti është në suaza të planit, arritjet janë të balancuara në nivel të të hyrave dhe shpenzimeve, financimi është siguruar me shpenzime më të ulëta, shpenzimet kapitale janë në nivel më të ulët se deficiti” – theksoi ministri duke shtuar se, ky realizim paraqet bazë solide për periudhën e ardhshme të zhvillimit ekonomik.