Besimi: Financimi i masave për zbutjen e efekteve të krizës aktuale, me ruajtjen e kontureve të konsolidimit fiskal në kushtet e rritjes së çmimeve dhe normave të interesit

Në fund të muajit janar, borxhi shtetëror dhe publik u zvogëlua disa pikë përqindje krahasuar me nivelin e vitit 2020 dhe shënojnë resprektivisht 48.7% dhe 57%. Në procedurë parlamentare është Ligji për buxhetet ku përcaktohet limiti për borxhin publik prej 60%. FMN-ja vlerëson se për vendet e rajonit 70% është niveli i borxhit që nuk do të rrezikojë rritjen ekonomike. Zvogëlimi i deficitit buxhetor në drejtim të stabilizimit të borxhit është politikë që do të zbatohet në periudhë afatmesme, ndërsa në periudhë afatshkurtër politika fiskale do të përqendrohet në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe përkrahjen e standardit të jetesës, shkruan në kolumnën e fundit ministri i Financave, Fatmir Besimi.

– Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ekspertëve nga vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, pragu prej 70% nuk ​​do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike të këtyre ekonomive. Borxhi ynë publik është shumë më poshtë këtyre pragjeve. Sipas të dhënave të fundit për borxhin shtetëror dhe atë publik në vendin tonë, në fund të muajit janar të këtij viti ato shënuan resprektivisht 48.7% dhe 57%. Borxhi i garantuar është 7.95% në raport me fundin e vitit 2020. Kjo paraqet rënie prej 4 pikë përqindje të borxhit publik dhe 3.2 pikë përqindje të borxhit shtetëror. Përndryshe, sipas rregullave fiskale të përcaktuara si kritere të Mastrihtit, të cilat tashmë janë pjesë integrale e Ligjit të propozuar për buxhetet, i cili është në procedurë parlamentare, parashihen pragje prej 60% për borxhin e përgjithshëm dhe 15% për borxhin e garantuar si përqindje e PBB-së, sipas të cilëve borxhi publik kumulativisht mund të arrijë nivelin prej 75% të PBB-së. Sigurisht, propozim ligji i ri për buxhetet përcakton që deficiti buxhetor të mos ta tejkalojë nivelin prej 3% të PBB-së – shkruan ministri i Financave.

Ai thekson se sipas Strategjisë së rishikuar të borxhit publik 2022-2024 (me perspektivë deri në vitin 2026) pritshmëritë ishin që vitin 2021 ta përmbyllim me borxh publik prej 61.2% dhe borxh shtetëror prej 52%. Por, arritjet ishin pak më të ulëta se ky projeksion. Për këtë vit, pritshmëritë për borxhin publik dhe shtetëror sipas strategjisë janë që ato të jenë 63.5% dhe 53.4%, por duhet pasur parasysh edhe bazën më të ulët startuese, si dhe ngjarjet më të fundit në Ukrainë.

Këtë vit, sipas Buxhetit për vitin 2022, nevojiten 894.9 milionë euro për financimin e deficitit të buxhetit dhe detyrimeve që maturojnë për pagesë në tregun e jashtëm dhe të brendshëm (nga të cilat 545.2 milionë euro për mbulimin e deficitit të buxhetit, 186 për pagesën e borxhit të jashtëm dhe borxhit të brendshëm dhe 164 milionë euro për pagesën e interesit). Burimet nga të cilat do të financohen këto nevoja janë letrat shtetërore me vlerë në tregun e brendshëm në vlerë prej 350 milionë euro, eurobondi i cili fillimisht u planifikua në vlerë prej 250 milionë euro, huatë nga institucionet ndërkombëtare për financimin e projekteve në vlerë prej rreth 95 milionë euro dhe shfrytëzimi i depozitave në vlerë prej rreth 203 milionë euro. Prandaj, siç e shpjegoj më tej në tekst, për përkrahjen e ekonomisë dhe për shmangien e stagflacionit të mundshëm, rekomandohet që të përqendrohemi në burimet e jashtme të financimit – thekson Besimi.

Deficiti buxhetor për vitin 2022 është projektuar në 4.3%. Sipas strategjisë fiskale 2022-2024 (me perspektivë deri në vitin 2026), planifikohet ulja e deficitit buxhetor në 3.5% në vitin 2023, 2.9% në vitin 2024, 2.5% në vitin 2025 dhe 2.2% në vitin 2026. Sipas kësaj, pritshmëritë për borxhin publik dhe atë shtetëror janë që deri në vitin 2026 këto shifra të ulen përkatësisht në 56.5% dhe 50%.

-Konsolidimi fiskal është pjesë e strategjisë sonë fiskale. Orientohemi drejt racionalizimit maksimal të shpenzimeve, me rritjen e njëkohësishme të komponentit zhvillimor të buxhetit. Njëkohësisht, ndërmerren aktivitete më sistematike për rritjen e të të hyrave – si masat dhe aktivitetet në luftën kundër ekonomisë gri dhe përmirësimi i kapaciteteve të institucioneve për arkëtimin e detyrimeve – thotë ministri i Financave.

Ai thekson se duhet të merret parasysh edhe situata e krijuar me rritjen e çmimeve të energjensave.

Ashtu si gjatë krizës së Covid-19, nëse nuk reagohet në kohë, do të ketë pasoja të konsiderueshme sociale dhe ekonomike. Reagimi i deritanishëm nënkupton më pak të hyra tatimore dhe shpenzime fiskale shtesë për përkrahjen e qytetarëve dhe kompanive. Prandaj, me rëndësi është që të vazhdohet përkrahja e rimëkëmbjes së ekonomisë, pasi rimëkëmbja ekonomike e ngadalësuar dhe afatgjate mund të kontribuojë gjithashtu në rritjen e borxhit publik si përqindje të PBB-së – thekson ministri i Financave në kolumnë.

Hapat e mëtejshëm mbeten rishikimi (me projeksione të rishikuara makroekonomike dhe fiskale), si dhe mënyra e financimit të masave për zbutjen e efekteve të krizës aktuale, duke ruajtur komponentin e rritjes së ekonomisë dhe njëkohësisht duke ruajtur kornizat e konsolidimit fiskal në periudhë afatmesme në kushtet e rritjes së çmimeve dhe normave të interesit.

Besimi thekson se qeveria është e gatshme që të ndërmarrë masa të reja për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve dhe për ta përkrahur rimëkëmbjen e ekonomisë.

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…