Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut zhvillon politika konsistente në drejtim të vendosjes së trendit të financave dhe bazave të qëndrueshme për rritje në periudhë afatmesme, ndërsa politikat e tilla i ofrojnë vendit dhe Qeverisë mundësinë për të zgjedhur instrumentet për financimin e politikave me mjete më të favorshme, në vend të mjeteve të kushtueshme në tregjet financiare ndërkombëtare. Kjo u identifikua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar vitin e kaluar dhe i mundësoi vendit qasje në mjete të favorshme nga programi PLL.
Këtë e theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi në konferencën e përbashkët për shtyp me shefin e Misionit të FMN-së Zhak Minian, pas përfundimit të skriningut të politikave ekonomike dhe monetare në vend në përputhje me programin PLL dhe misionin e rregullt të FMN-së për nenin 4.
“Në kushtet e krizës së Covid-it, energjetikës, luftërave inflacioniste dhe gjeostrategjike, si dhe sfidave të tjera, ishim përballë sfidës së përzgjedhjes së mënyrave të financimit të rritjes, të masave antikrizë për përballimin e kësaj goditjeje.
Kishim mundësinë që të dilnim në tregjet ndërkombëtare, fakt ky që do të kushtonte shumë më tepër për ne dhe brezat e ardhshëm, por kishim zgjedhje dhe iu drejtuam Fondit Monetar Ndërkombëtar për përmirësimin e vlerësimit tonë kreditor dhe krijimin e kushteve për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe bazave të qëndrueshme për rritjen ekonomike, tha ministri Besimi dhe shtoi se me këtë zgjedhje bëhen kursime prej 30 milionë eurove në nivel vjetor ose në 10 vite, me ç’rast maturimi i këtyre huave është 300 milionë euro.
Sipas ministrit, mirëmenaxhimi i financave publike nuk është identifikuar vetëm nga FMN-ja, por një menaxhim i tillë lë hapësirë edhe për realizimin e shumë projekteve në shëndetësi, arsim, infrastrukturë.
“Rëndësi ka që pas këtij Misioni të kryer nga FMN-ja, RMV-ja ka marrë konfirmimin lidhur me politikat që po zbaton, të cilat kanë për qëllim uljen e deficitit buxhetor dhe krijimin e bazës për rritje në periudhë afatmesme, si dhe mundësinë e qasjes edhe në 200 milionë euro në kuadër të programit PLL.
Gjatë konferencës për shtyp u theksua se politika fiskale e zhvilluar nga Qeveria është adekuate dhe se ajo orientohet në drejtimin e duhur. Rritja pritet të përshpejtohet vitin e ardhshëm, ndërsa inflacioni të ulet.