Besimi: Me reformën e madhe fiskale vendosim buxhetim të bazuar në performancë

Projektimi dhe buxhetimi afatmesëm, sistemi i integruar informativ për menaxhim financiar (IFMIS), themelimi i Këshillit Fiskal, si dhe vendosja e rregullave dhe parimeve fiskale janë reformat kryesore të parapara në Ligjin e ri reformues për buxhete, i cili kaloi në lexim të dytë në kuvend dhe pritet të shqyrtohet së shpejti në seancë plenare. Ligji i ri për buxhete është shtylla e sistemit SMART të financave publike, shkruan në kolumnën e tij, ministri i Financave, Fatmir Besimi.

– Me këtë ligj vendoset edhe buxhetimi i bazuar në performancë, nëpërmjet vendosjes dhe monitorimit të treguesve të performancës (KPI – key performance indicators), me qëllim të përmirësimit të efikasitetit dhe efektivitetit të shpenzimeve publike përmes lidhjes së kostove në sektorin publik me rezultatet. Buxhetimi i bazuar në rezultate ka për qëllim që vendimmarrësit kryesorë dhe hartuesit e politikave t’i marrin në konsideratë sistematikisht rezultatet që duhet të arrihen me realizimin e shpenzimeve. Në këtë mënyrë arrihet qëllimi i përcaktimit të prioriteteve dhe politikave në buxhet sipas konceptit të ashtuquajtur, vlera e parasë (value for money), që do të thotë se mjetet në buxhet do të akordohen aty ku japin efekte më të mëdha në arritjen e qëllimeve për standard më të lartë dhe cilësi më të mirë të jetesës së qytetarëve – shkruan Besimi.

Ligji i ri për buxhete ka gjithashtu mekanizma për planifikim dhe zbatim më të mirë të projekteve kapitale. Shfrytëzuesit e buxhetit, si pjesë të procesit të përgatitjes së buxhetit, do duhet të parshtrojnë në Ministrinë e Financave studim fizibiliteti paraprak ose studim fizibiliteti për të gjitha propozimet e reja për investimet e mëdha, ku do të themelohet Njësia organizative për vlerësimin e investimeve (PIMA – public investment management assessment).

Ligji i ri për buxhete përcakton rregullat fiskale, deficiti buxhetor është përcaktuar në nivel deri në 3% të produktit të brendshëm bruto, ndërsa borxhi publik në nivel prej 60%, që në fakt sipas metodologjisë së re konsiderohet borxhi i qeverisë së përgjithshme (pushteti qendror dhe lokal), ndërkohë që borxhi i garantuar për ndërmarrjet publike dhe institucionet e tjera të sektorit publik që nuk janë shfrytëzues të buxhetit, kufizohet deri në 15% të produktit të brendshëm bruto. Gjithashtu rregullohet edhe themelimi i Këshillit Fiskal.

Këshilli Fiskal ka për qëllim të vlerësojë në mënyrë të mëvetësishme politikën fiskale, strategjitë dhe zbatimin e tyre, si dhe projeksionet makroekonomike dhe buxhetore. Këshilli do të përbëhet nga 3 anëtarë – ekspertë të fushës së financave publike, makroekonomisë apo ekonomisë, të propozuar nga ASHAM-i, Enti Shtetëror i Revizionit dhe Banka Popullore dhe do të përzgjedhen nga kuvendi – thekson ministri Besimi.

Një ndër reformat më të rëndësishme që sjell Ligji i ri për buxhete është Sistemi bashkëkohor informativ i menaxhimit të financave (IFMIS). Qëllimi kryesor i IFMIS është përmirësimi i efikasitetit dhe transparencës së punës nëpërmjet lidhjes së sistemeve aktuale të fragmentuara, në platformë të centralizuar të bazuar në ueb, përmes benefiteve të teknologjive më të fundit dixhitale.

-IFMIS do sigurojë monitorim të integruar të të hyrave dhe shpenzimeve nga planifikimi deri në realizimin e tërësishëm, që do të ndikojë në përmirësimin e buxhetimit dhe realizimin e buxhetit. Sistemi do të vendosë kornizë buxhetore shumëvjeçare, do të mundësojë vendosjen e funksionit të menaxhimit të investimeve publike në lidhje me sistemin e ardhshëm të investimeve publiko – private, sistem i automatizuar për mbikëqyrjen e detyrimeve, duke përfshirë detyrimet shumëvjeçare dhe të dhënat e centralizuara për ndërmarrjen e detyrimeve, menaxhimin me mjetet fikse dhe menaxhimin me borxhin – shkruan ministri i Financave.

Ligji i ri për buxhete parashihet që të hyjë në fuqi nga fillimi i vitit 2023, me përjashtim të disa dispozitave që i referohen Këshillit Fiskal, planifikimit strategjik, projeksioneve makroekonomike, strategjisë fiskale, kontrollit të brendshëm financiar dhe njësisë organizative të IFMIS për reformën e Ligjit për buxhete, që do të zbatohen me hyrjen në fuqi të ligjit në fjalë.

Related posts

Pastrimi etnik në institucione: Shqiptarët nën sulmin e qeverisë pa legjitimitet

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon fuqimisht fushatën në vazhdim të diskriminimit etnik dhe “pastrimit institucional” që po vihet në zbatim ndaj…

Ali Ahmeti priti ambasadorin europian Rokas: Bashkimi Europian është alternativa jonë e vetme 

Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Kryetari i BDIsë Ali Ahmeti, priti ambasadorin e Bashkimit Europian z. Mihalis Rokas. …

Ali Ahmeti takoi ambasadorin turk Fatih Ulusoy

Në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Kryetari i BDIsë Ali Ahmeti, priti ambasadorin turk z. Fatih Ulusoy. Kryetari Ahmeti…