Vendosja e sistemit të integruar informativ për menaxhimin e financave – IFMIS dhe prioritetet në programin e ri katërvjeçar për bashkëpunimin e vendit me Bankën Botërore, ishin temat e takimit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi dhe drejtorit ekzekutiv të Bankës Botërore, Koen Davidse, nënkryetares Anna Bjerde, drejtoreshës rajonale për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu dhe drejtorit të BB për vendin Massimiliano Paolucci.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, në takimet vjeshtore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Washington, theksoi se aktualisht implementimi i Sistemit të integruar informativ për menaxhimin e financave (IFMIS) është projekt prioritar dhe pjesë e reformave të realizuara nga Ministria e Financave në menaxhimin e financave publike. Qëllimi i këtij sistemi është përmirësimi i efikasitetit dhe transparencës në menaxhimin e financave publike, gjë që do të arrihet përmes ndërlidhjes së sistemeve ekzistuese të fragmentuara dhe të pakonektuara në një platformë dixhitale të centralizuar.
– Sistemi i integruar informativ për menaxhimin e financave do të mundësojë vendosjen e kornizës shumëvjeçare të buxhetit, menaxhimin e investimeve publike, mbikëqyrjen e automatiztuar të detyrimeve, menaxhimin e mjeteve fikse, si dhe menaxhimin e borxhit.
IFMIS-ja i referohet përpjekjeve të Qeverisë për GovTech, përkatësisht për implementimin e teknologjive të avancuara gjatë punës”, theksoi ministri Besimi në këto takime, duke aktualizuar çështjen e financimit të implementimit të këtij sistemi, me qëllim që jetë i efektshëm përmes Ligjit të Buxheteve.
Njëherazi, në këtë takim u konfirmua realizimi i mirë i projekteve në kuadër të kornizës katërvjeçare, sidomos në pjesën e efikasitetit energjetik. Projekti i efikasitetit energjetik me vlerë prej 25 milionë eurove implementohet përmes njësisë së MF-së, për zbatimin e projektit lidhur me përmirësimin e shërbimeve komunale me përkrahjen e BB-së. Aktualisht, ka përfunduar procedura e 42 projekteve në 12 komunat që kanë aplikuar dhe për të cilat janë plotësuar kushtet për stabilitet sizmik, ndërsa procedura për efikasitet energjetik ka filluar në 16 objekte shëndetësore.