Domosdoshmëri e integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor para anëtarësimit formal në BE

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij të punës në Bruksel, zhvilloi takim me Nënkryetarin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borell.

Në fokus të bisedimeve ishin aktualitetet lidhur me dosjen europiane, procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe dinamika e brendshme politike në vend.

Osmani theksoi përfundimin e suksesshëm të skriningut, si dhe nevojën për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE, që shërben si motivues dhe forcë shtytëse për reforma. Njëherazi, ai iu referua harmonizimit të plotë të Maqedonisë së Veriut me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke theksuar nevojën për integrim të përshpejtuar me pjesëmarrje në konfigurime të shumta të Këshillit të BE-së, rritje të ndihmës ose hyrje progresive në politikat dhe përfitimet e rezervuara për shtetet anëtare, gjë që përfaqëson në fakt interesin tonë të përbashkët.

“Anëtarësimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në BE nuk ka alternativë. Ajo që na duhet tani është që rajoni të jetë gati për anëtarësim, ndërsa Unioni është për zgjerim, përkatësisht ruajtja e kredibilitetit të procesit përmes integrimit më të madh para anëtarësimit”, theksoi Osmani.

Bashkëbiseduesit iu referuan edhe integrimit në BE në një kontekst më të gjerë rajonal dhe diskutuan për bashkëpunimin dhe trajtimin e pasojave të agresionit ushtarak rus në Ukrainë, situatën në Gaza dhe Lindjen e Mesme, si dhe çështje të tjera aktuale të natyrës së jashtme politike dhe të sigurisë. 

Në Bruksel, Osmani takoi edhe Përfaqësuesin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Related posts

Kryetari Ahmeti priti Presidentin Begaj në selinë e BDI-së

Tetovë, 28.02.2026 Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pati kënaqësinë e veçantë që në selinë e partisë të mirëpresë Presidentin…

Kryetari Ali Ahmeti mirëpriti Presidentin Begaj

Shkup, 26.02.2026 Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, së bashku me bashkëpunëtorë dhe miq, mirëpriti Presidentin e Republikës së Shqipërisë,…

Kryetari Ali Ahmeti takoi ish-Komesarin, z. Johannes Han

Tetovë, 26.02.2026 Kryetari Ali Ahmeti zhvilloi një takim miqësor me z. Johannes Hahn, ish Komisionar Evropian për Buxhet dhe Administratë, si dhe…