Ekonomi e gjelbër dhe konkurruese për cilësi më të mirë jete

Ekonomisti dhe laureati i çmimit Nobel, Joseph Stiglitz thekson se
“Sfida e qëndrueshmërisë është krijimi i ekonomisë së re globale, mënyrë e re e të bërit
biznes, në mënyrë ekologjike, të qëndrueshme, ekonomike dhe efikase, që u ofron të
gjithëve mundësi për një jetë më të mirë”. Javën e kaluar u hodhën dy hapa sistemike
kruciale drejt zhvillimit të ekonomisë së gjelbër në vendin tonë, respektivisht miratimi i ligjit që
mundëson krijimin e Fondit të efikasitetit energjetik dhe emetimi i fletobligacioneve të para të
gjelbra si burim financimi të projekteve të gjelbra.
Ekonomia e gjelbër është sistem, ku si prioritete janë qëndrueshmëria ekologjike, drejtësia
sociale dhe rritja ekonomike. Tranzicioni drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë, bujqësia e
qëndrueshme dhe prodhimi i ushqimit, efikasiteti në menaxhimin e burimeve, rritja inkluzive
përmes barazisë sociale, inovacionit dhe teknologjive ekologjike, financat e gjelbra dhe
investimet në projektet e qëndrueshme, si dhe forcimi i qëndrueshmërisë klimatike, janë qëllimet
e zhvillimit të gjelbër. Më konkretisht, ekonomia e gjelbër është ekonomi rezistente që ofron
kushte më të mira jetësore për të gjithë qytetarët.

Shkurtimisht për Fondin dhe fletobligacionet e gjelbra

Kuvendi, javën e kaluar me propozimin e Ministrisë së Financave dha “dritë jeshile” për krijimin
e Fondit të Efikasitetit Energjetik (FEE). Nëpërmjet këtij Fondi do të përkrahen projektet për
efikasitetin energjetik dhe mbrojtjen e mjedisit në sektorin publik dhe privat nëpërmjet dhënies
së granteve, kredive dhe garancive. Fondi do të funksionojë si njësi organizative në kuadër të
Bankës Zhvillimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është pjesë e harmonizimit me
direktivat e BE-së. Kapitali fillestar është 15 milionë euro, nga të cilat 5 milionë euro janë
nëpërmjet Projektit të efikasitetit energjetik të Bankës Botërore dhe 10 milionë euro janë përmes
emetimit të fletobligacioneve të gjelbra. Në të ardhmen, Fondi do të plotësohet edhe me
emetime të reja të fletobligacioneve të gjelbra dhe burime të tjera (si grantet zhvillimore, huatë
dhe shumëfishimi i kapitalit themelues). Krijimi i Fondit është planifikuar për vitin e ardhshëm,
ndërsa në vitin 2025 pritet të zgjerohet edhe në sektorin rezident. Efektet e pritshme të
projekteve, të përkrahura nga FEE-ja janë: rezistenca më e madhe ndaj rritjes së çmimeve të
energjisë, siguria dhe vazhdimësia e furnizimit me energji për amvisëritë dhe kompanitë,
përmirësimi i kushteve të jetesës, rritja e kostove energjetike, reduktimi i emetimeve dhe
mbrojtja e shëndetit publik, duke ndikuar kështu pozitivisht ndaj mjedisit jetësor.
Gjatë javës u mbajt ankandi i parë i fletobligacioneve të gjelbra. Bëhet fjalë për letra shtetërore
me vlerë, qëllimi i të cilave është përkrahja e projekteve të gjelbra në vend. Afatizimi i
fletobligacioneve është dy vjet, ndërsa interesi i kuponit është 4.75%. Në ankand morën pjesë
bankat, institucionet financiare, por edhe personat fizikë, ndërsa interesimi për fletobligacionet e
gjelbra ishte pothuajse tre herë më i lartë se vlera e ofruar dhe e emetuar prej 600 milionë
denarëve. Siç e theksova, këto mjete do të destinohen në Fondin e efikasitetit energjetik.
Qëllimi i tyre është që përmes financimit të projekteve të efikasitetit energjetik dhe mjedisit

jetësor, të përshpejtohet rritja e gjelbër, si dhe zhvillimi i tregut të kapitalit në vend, nëpërmjet
diversifikimit të ofertës me instrumente të reja.
Financat janë sistemi i qarkullimit të ekonomisë, andaj krijimi i mekanizmave institucionalë për
mobilizimin e mjeteve dhe financimin e projekteve të gjelbra kanë kontribut sinjifikativ në
zhvillimin e sistemit të gjelbër. Gjithashtu, kjo është vetëm një pjesë e spektrit të masave dhe
politikave që ndërmerren dhe që do të ndërmerren në vendin tonë për gjelbërimin e ekonomisë.
Rritja e gjelbër është pjesë e reformave strukturore, respektivisht reformave që planifikohen për
përforcimin e ekonomisë sonë dhe rritjen e potencialit të saj, si pjesë e procesit të integrimit dhe
zhvillimit evropian. Investimet e gjelbra, rregullativa dhe financat janë pjesë e disa strategjive
shtetërore dhe natyrisht, nuk duhet harruar roli i institucioneve financiare ndërkombëtare,
partnerëve bilateralë të vendit, si dhe sektorit privat.

Rënie deri në 30% e PBB-së globale si rezultat i ndryshimeve klimatike

Përforcimi i ndërgjegjësimit të gjelbër, si fillim i axhendës së gjelbër dhe pikësynimet e zhvillimit
të qëndrueshëm të kombeve të bashkuara, fillon diku në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit
të kaluar, me konferencën e OKB-së në Stokholm, më tej me samitin e OKB-së në Rio de
Janeiro dhe Protokollin e Kiotos në vitet e njëzet deri në Marrëveshjen e Parisit në vitin 2015.
Që atëherë, popullsia e botës është dyfishuar (nga 3.7 miliardë banorë në vitet e ’70-ta në mbi 8
miliardë banorë në vitin 2020), përkatësisht, bota është bërë më e vogël, më e ndotur, me
burime të shteruara dhe efekte më të theksuara të ndryshimeve klimatike.
Fjalim mjaft interesant para disa vitesh mbajti drejtoresha aktuale e FMN-së, Kristalina
Georgieva, e cila theksoi lidhur me pasojat e shumta të ndryshimeve klimatike në dekadat e
fundit, nëse nuk ndërmerren masa. Ajo mori si shembull mbesën e saj nëntëvjeçare dhe vuri në
dukje se ndryshimet klimatike janë aq intensive, sa që në kohën kur vajza të arrijë moshën 20
vjeçare, ndryshimet klimatike do të fusin në varfëri në botë 100 milionë njerëz, deri në momentin
që ajo të mbushë 40 vjeç – 140 milionë njerëz do të migrojnë për shkak të përkeqësimit të
kushteve klimatike, ndërsa nëse jeton deri në moshën 90-vjeçare, temperatura e planetit do të
jetë 3-4 gradë celsius më e ngrohtë, me ç’rast kushtet e jetesës do të jenë pothuajse të
padurueshme. Ky është shqyrtim ilustrues mjaft i mirë, lidhur me faktin se çfarë do të vazhdojë
të ndodhë në një të ardhme jo shumë të largët, me fëmijët dhe nipërit tanë, nëse tani nuk
ndërmarrim hapa vendimtare.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se çdo vit fatkeqësitë klimatike shkaktojnë dëme të larta
ekonomike dhe ekologjike, ndërsa vetëm në dekadën e fundit këto dëme janë vlerësuar në 1.3
trilion dollarë (ose rreth 0.2% e PBB-së globale në nivel vjetor). Studime të ndryshme të
organizatave, agjencive, think-tank-eve përkatëse botërore japin parashikime kataklizmike për
efektet e ndryshimeve klimatike në ekonominë globale. Forumi ekonomik dhe botëror në vitin
2020 e karakterizoi ndryshimin klimatik si kërcënimin më të madh për ekonominë dhe
shoqërinë. Një studim i Oksfordit tre vite më parë tregon se me emisionet e larta të karbonit,
rritja e temperaturës deri në vitin 2050 do të ishte 2 gradë celsius, ndërsa PBB-ja globale do të
zvogëlohet me 2,5-7,5% dhe deri në vitin 2100 me 4 gradë dhe PBB-ja globale do të zvogëlohet

për 30% në skenarin më të keq. Analizat empirike tregojnë efektet e ndryshimeve klimatike mbi
inflacionin dhe rritjen ekonomike nëpërmjet kanaleve të shumta si ulja e prodhimit bujqësor dhe
rritja e çmimeve të ushqimeve, ulja e produktivitetit të punës, reduktimi i konsumit dhe
investimeve, transportit etj. Njëkohësisht, intensiteti i efekteve do të varet kryesisht nga
struktura dhe zhvillimi i ekonomisë.

Teoria ekonomike: zhvillim më i ulët – ndërgjegjësim më i ulët për riskun klimatik
Teoria ekonomike është e interesuar për efektet e ekologjisë ndaj ekonomisë dhe rritjes. Përveç
kësaj, do t’i referohem disa teorive, si kurba ekologjike e Kuznets, e cila tregon raportin e të
hyrave dhe mjedisit jetësor në formën e shkronjës “U” të përmbysur, përkatësisht në fazat e
hershme të zhvillimit ekonomik të në një ekonomie, ku degradimi i mjedisit jetësor rritet, por të
hyrat vazhdojnë të rriten, shoqëritë bëhen më të ndërgjegjshme për mjedisin jetësor, me ç’rast
politikat dhe teknologjitë përmirësohen ashtu si mjedisi jetësor. Koncepti i zhvillimit të
qëndrueshëm, nga ana tjetër, thekson nevojën për balancimin e rritjes ekonomike, mirëqenien
sociale dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor, respektivisht, rritja ekonomike që do t’i plotësojë nevojat
e gjeneratave të tashme pa rrezikuar gjeneratat e ardhshme konsiderohet si e qëndrueshme.
Teoria e rritjes së gjelbër bazohet në arritjen e rritjes ekonomike duke minimizuar efektet ndaj
mjedisit jetësor, përmes investimeve në teknologjitë “e pastra”, efikasitetin energjetik dhe
praktikat e qëndrueshme. Ekonomia ekologjike, si fushë ndërdisiplinore, përcakton parimet
ekologjike në modelet ekonomike tradicionale, ndërsa metodat për vlerësimin e mjedisit jetësor
nëpërmjet analizës kosto-përfitim (cost – benefit) u ndihmojnë politikëbërëve t’i llogarisin
përfitimet dhe kursimet e mbrojtjes së mjedisit. Teoritë e tranzicionit të qëndrueshëm dhe rritjes
së gjelbër inkluzive, nga ana tjetër, i dedikohen rolit të inovacioneve, politikave dhe investimeve
në tranzicion drejt qëndrueshmërisë sociale dhe ekologjike.
Rritja e gjelbër, e njohur edhe si rritja e qëndrueshme ose inkluzive është model i zhvillimit
ekonomik që tenton ta harmonizojë prosperitetin ekonomik me qëndrueshmërinë e mjedisit
jetësor, respektivisht, ideja është që rritja ekonomike nuk duhet të rezultojë në dobi të cilësisë
së mjedisit jetësor dhe mirëqenies sociale. Rritja e gjelbër është gjithashtu reagim ndaj sfidave
globale, përkatësisht, ndryshimeve klimatike, ruajtjes së biodiversitetit, përforcimit të rezistencës
së ekonomisë globale dhe krijimit të vendeve të punës.

Tranzicioni i gjelbër i ekonomisë vendase

Tranzicioni i gjelbër i ekonomisë vendase është një nga reformat që adresohen në Programin e
reformave ekonomike të vendit, i cili është dokument sistemik që është pjesë e procesit tonë të
integrimit evropian. Komisioni Evropian në vlerësimin e tij për PRE 2022-2024 thekson se jemi
ekonomi intensive energjetike ku duhet të punojmë drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë
dhe përmirësimit të efikasitetit energjetik, me ç’rast u përforcua edhe rregullativa përmes ligjeve
të reja për energjetikën dhe efikasitetin energjetik, të cilat përfshijnë masa për lehtësimin e
ndryshimeve klimatike që lidhen kryesisht me sektorin e energjetikës.

Si vend nënshkrues i protokolleve dhe rezolutave botërore, vendi ynë ndërmerr aktivitete të
rregullta për reduktimin e emisioneve të gazrave serrë dhe kufizimin e ngrohjes globale, ku
është arritur progres më domethënës në harmonizimin e legjislacionit të vendit me legjislacionin
e BE-së, veçanërisht në vendosjen e mekanizmave dhe mbikëqyrjes së raportimit në lidhje me
gazrat serrë. Disa nga këndvështrimet e tjera në lidhje me mjedisin jetësor janë se është arritur
progres i pjesshëm në ekonominë qarkore, respektivisht sa i përket pjesës së riciklimit
(Republika e Maqedonisë së Veriut aktualisht prodhon 456 kg mbetje komunale për banor, që
është më pak se mesatarja e BE-së prej 492 kg për banor, por vërehet rritje e caktuar në
dekadën e fundit).
Cilësia e ajrit ka qenë lëndë diskutimi për një kohë të gjatë dhe megjithëse është përmirësuar
gjatë dekadës së fundit, ekonomia ende ka një nga nivelet më të larta të ndotjes së ajrit në
Evropë, veçanërisht në muajt e dimrit. Për adresimin e këtij problemi, u miratua Plani i ajrit të
pastër për vitin 2019 dhe 2020, qëllimet kryesore të të cilit janë rritja e ndërgjegjësimit të
publikut për nevojën e përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe reduktimit të emisioneve të grimcave
PM, kryesisht përmes vendosjes së masave për efikasitetin energjetik për amvisëritë dhe
institucionet publike. Një problem tjetër është sistemi i furnizimit me ujë dhe nevoja për
ndërtimin e impianteve të reja filtruese, përfshirë edhe kryeqytetin.
Masat për energji të ripërtëritshme dhe efikasitet, ekonomi qarkore (circular economy),

ujë dhe ajër cilësor
 

Masat që identifikuam si të nevojshme për zbatimin e tranzicionit të gjelbër në Programin e
reformave ekonomike 2023-2025 janë diversifikimi i burimeve të furnizimit me energji, duke
rritur kështu pjesëmarrjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe duke përshpejtuar
masat për përmirësimin e efikasitetit energjetik. Gjithashtu, parashihet përcaktimi i platformës
për përfshirjen e të gjitha subjekteve të lidhura në zhvillimin e ekonomisë qarkore, përmirësimi i
koordinimit ndërmjet njësive të vetëqeverisjes lokale dhe pushtetit qendror, si dhe përforcimi i
bashkëpunimit ndërsektorial për zbatimin e masave shtesë për rritjen e cilësisë së ajrit dhe
menaxhimin e mbetjeve. Gjithashtu janë planifikuar masa në drejtim të përmirësimit të sistemit
të grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të zeza nëpërmjet të rritjes së numrit të
stacioneve filtruese dhe nëpërmjet zbatimit të parimeve të përgjegjësisë së shfrytëzuesve dhe
ndotësve të ujit. Secila prej këtyre masave përfshin një numër të madh projektesh që janë
paraparë për këto tre vite. Kështu, për shembull, në kuadër të masës për përmirësimin e
efikasitetit energjetik, parashihet krijimi i Fondit të efikasitetit energjetik, si dhe një sërë
projektesh të tjera, siç është përgatitja e Inventarit të karakteristikave energjetike të objekteve
publike dhe Strategjia e rikonstruimit të ndërtesave deri në vitin 2030, etj.

Tatimimi i gjelbër smart

Është gjithashtu interesante fakti që në ekonominë klimatike theksohet justifikimi ekonomik për
arkëtimin (inkasimin) e tatimeve mbi emisionet e karbonit për lehtësimin e ndryshimeve
klimatike. Përkatësisht, krahas masave stimuluese për tranzicionin e gjelbër përmes

investimeve dhe subvencioneve, edhe masat kufizuese janë dëshmuar si mekanizëm i
rëndësishëm në arritjen e këtyre qëllimeve.
Një nga prioritetet në Strategjinë e reformës tatimore është tatimimi i gjelbër, me qëllim të
stimulimit të obliguesve tatimorë për reduktimin e sjelljes së tyre dhe aktiviteteve që
kontribuojnë drejt ndotjes. Pikësynimi kryesor sa i përket këtij prioriteti nuk është rritja e të
hyrave fiskale, por që tatimimi i gjelbër të jetë tatimim “smart”, me kalim nga puna në tatimim
sipas ndotjes, duke përftuar kështu benefite ekologjike, sociale dhe ekonomike. Por, për shkak
të kushteve ekonomike aktuale në vend dhe jashtë,  kjo masë është prolonguar prej disa
kohësh.
Tema është mjaft e gjerë dhe mund të depërtojmë në shumë segmente, si sektori financiar,
stabiliteti i bankave dhe fondeve, aspekti social, roli i teknologjive dhe inovacioneve të gjelbra,
integrimet nga aspekti i zgjidhjes së problemeve klimatike etj. Gjithsesi, kjo është temë që
kërkon qasje holistike për arritjen e rezultateve të synuara.

Gjenerata e fundit që mund të ndërmarrë veprime…

Do të theksoj se “botën nuk na e kanë lënë baballarët, përkundrazi, atë na huazuan fëmijët
tanë…” dhe kështu duhet ta trajtojmë atë. Zhvillimi i ekonomisë së gjelbër dhe arritja e zhvillimit
të gjelbër nuk ka të bëjë vetëm me arritjen e shifrave në letër, por me përmirësimin e dukshëm
të kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët. Të gjithë thithim ajrin e njëjtë, pijmë ujin e njëjtë
dhe ushqehemi nga toka e njëjtë dhe siç tha kryetarja Lagarde, “ne jemi gjenerata e parë që
ndjejmë efektet e ndryshimeve klimatike dhe gjenerata e fundit që mud të bëjë diçka në këtë
drejtim.”

Related posts

Ali Ahmeti nga Zvicra: Të hiqen kufinjtë midis nesh siç i hoqi Europa dhe të bëhemi bashkë në BE

Salla përplot në Cyrih të Zvicrës mirëpriti liderin e shqiptarëve, Ali Ahmeti, i cili u rikthye në Zvicër pas 12 viteve. Lideri…

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…