“Ekonomia nuk është shkencë ekzakte, ajo është ndërthurje e elementeve shkencore dhe artit”, ka thënë babai i ekonomisë moderne, nobelisti amerikan, Paul Samuelson, duke potencuar se “leksioni i parë dhe i fundit që duhet të mësohet për ekonominë është se qëllimi i saj nuk është t’i përafrohet ekzaktësisë, por përmirësimit të bazave të të dhënave dhe mënyrës së arsyetimit sipas tyre.” Do të shtoj se qëllimi përfundimtar i çdo politike ekonomike duhet të motivohet gjithmonë nga ofrimi i kushteve më të mira dhe prosperiteti për qytetarët. Makroekonomistët udhëhiqen nga logjika e interesit më të mirë të numrit më të madh të njerëzve, respektivisht nga politikat që rrisin të mirën e përbashkët për të gjithë, e njohur në teorinë ekonomike si “Pareto Optimum”.
Javën e kaluar e publikuam pakon e re, pakon e nëntë qeveritare të masave antikrizë. Qytetarët dhe kompanitë i prisnin këto masa. Masat u hartuan me kujdes, sipas nevojave konkrete të ekonomisë sonë dhe të targetuara drejt atyre kategorive që realisht kanë nevojë për përkrahje. Pakoja e re e masave antikrizë është voluminoze, përfshin 23 masa me vlerë të përgjithshme prej 662.4 milionë eurove, nga të cilat 123.7 milionë euro kanë implikime fiskale direkte, ndërsa pjesa tjetër janë indirekte, me ç’rast janë përcaktuar gjatë dy viteve fiskale, duke i kushtuar vëmendje qëndrueshmërisë fiskale. Përveç kësaj, tre masa sistemike paraprake të miratuara, ose thënë më saktë politika, i kushtuan buxhetit mjete shtesë prej 516.3 milionë eurove në vitin 2023 dhe 2024.
Në rrethana të pasigurisë globale, kushteve të shtrënguara financiare dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike, politikën fiskale, si dhe pakon e masave antikrizë e orientuam në përkrahje të zhvillimit ekonomik dhe në përkrahje të kategorive të ndjeshme të qytetarëve. Personalisht u befasova nga disa deklarata pas bërjes publike të pakos, se motivi pas saj është marketingu politik, se inflacioni do të jetë i vrullshëm sepse do të përkrahen kategoritë më të ndjeshme, respektivisht studentët përmes përkrahjes së transportit publik, studentët nga familjet me të ardhura të ulëta, do të përkrahen pensionistët me pensione të ulëta përmes shtesës apo kompanitë, kryesisht kompanitë e vogla dhe të mesme, me injeksione likuiditeti. Duhet të kemi parasysh se, megjithatë, aktiviteti ekonomik global po ngadalësohet, duke përfshirë edhe partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë, me ç’rast ka edhe pritshmëri për ulje të kërkesës. Në këtë drejtim, në këtë tekst desha të bëj analizë të shkurtër, me një prezantim të detajuar rreth masave, në mënyrë që qytetarët të kenë pasqyrë të plotë për qëllimin dhe përfitimet e masave nga aspekti social dhe ekonomik. Në ekonomi duhet ta shikojmë gjithmonë tablonë e përgjithshme, respektivisht tablonë e madhe, sepse të dhënat e caktuara mund të manipulohen shumë lehtë.
Konsekuenca e politikave për konsolidim fiskal
Së pari, do t’i referohem karakterit të politikës fiskale. Rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe ekspertëve janë se, ndërkohë që inflacioni është në nivele të larta, duhet pasur kujdes që të mos ketë politikë fiskale ekspansive. Për hir të së vërtetës, që nga pandemia, në vendin tone, deficiti ynë buxhetor ka ardhur duke u ngushtuar vazhdimisht, sipas kahjes së projektuar të konsolidimit fiskal, madje edhe më shpejt (nga viti 2020, prej rreth 8%, deficiti i këtij viti është përgjysmuar pothuajse në 4.6%, dhe tashmë viti i ardhshëm projektohet në 3.4%, me pritshmëri për ulje të mëtejshme në periudhën afatmesme).
Së dyti, FMN-ja thekson qartë se masat fiskale duhet të jenë të targetuara, respektivisht orientohen drejt kategorive të caktuara, ku është e nevojshme të sigurohet mbrojtja sociale, por edhe përkrahja e aktivitetit ekonomik. Masat që miratuam janë qartësisht të targetuara – drejt kategorive të ndjeshme, për përkrahjen e kompanive (kryesisht sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme), si dhe masat sistemike për përballimin e krizës. Shumica e masave kanë karakter të kufizuar kohor për sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale.
Masat antikrizë kontribuan për rezultate dy herë më të mira ekonomike në kohë krize
Para se ta filloj elaborimin e masave të pakos së fundit, do t’i kthehem pakove paraprake për t’iu përgjigjur pyetjes shumë të rëndësishme – A kanë dhënë rezultat deri tani masat qeveritare?”. Përgjigja është “PO” dhe do ta vërtetoj kët me të dhëna dhe argumente.
Në këtë drejtim do të bëj një digresion të vogël drejt ngjarjeve të viteve të fundit. Pas përshpejtimit të rritjes së ekonomisë në vitin 2019, katër vitet në vijim, si pasojë e goditjeve të jashtme, ekonomia jonë u përball me disa kriza të njëpasnjëshme. Në vitin 2020, ekonomia u godit fuqishëm nga pandemia Covid-19, ndaj së cilës Qeveria reagoi menjëherë me një seri prej gjashtë pakosh të masave antikrizë në vitin 2020 dhe 2021. Fokusi ishte ruajtja e vendeve të punës, likuiditeti i kompanive, sigurimet sociale, por edhe rimëkëmbja e ekonomisë vendase dhe krijimi i bazës për rritje të përshpejtuar ekonomike në periudhë afatgjate.
Nën ndikimin e pandemisë globale, aktiviteti ekonomik u ul për 4.7% në vitin 2020, por vlerësimet e institucioneve vendase dhe të atyre ndërkombëtare janë se nëse do mungonte reagimi i shpejtë dhe i fuqishëm i politikës fiskale, rënia e PBB-së në vitin 2020 do të ishte më shumë se 8%.
Pas lehtësimit të efekteve të pandemisë, ekonomia kishte rikuperim solid në vitin 2021 prej 4.5% në bazë vjetore, pavarësisht ndikimit të vazhdueshëm të Covid-19. Në fillim të vitit 2021 vazhduam me miratimin e pakos së re të masave, me ç’rast vazhdoi përkrahja e pakove paraprake përmes përkrahjes financiare shtetërore të pagave të të punësuarve në tremujorin e parë, kredive pa interes për kompanitë nga veprimtaritë e prekura, përkrahjes financiare për radiodifuzerët dhe lirimin nga kompensimi për frekuencë multiplekse, përkrahjes financiare për qytetarët përmes vazhdimit të masës për proongimin e pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale, përkrahjes financiare për transportuesit ndërkombëtarë, skemën e garancisë së kredive, përkrahjes për klubet sportive, heqjen e normave doganore për një pjesë të lëndëve të para, përkrahjes për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe për institucionet private shëndetësore, fshirjen e interesit të qytetarëve ndaj institucioneve dhe ndërmarrjeve publike etj.
Megjithatë, në fund të vitit 2021, ekonomia e brendshme pati goditje të reja globale me krizën energjetike, e cila eskaloi në fillim të vitit 2022 me efektet e konfliktit ruso-ukrainas. Zhvillimet e pafavorshme në tregjet e energjensave dhe invazioni rus i Ukrainës ndikuan në rritjen e fuqishme të inflacionit global, nëpërmjet rritjes së çmimeve të energjensave dhe ushqimeve. Qeveria reagoi sërish shpejt dhe në kohë përmes pakove të reja të masave antikrizë. Masat fillimisht kishin për qëllim lehtësimin e goditjes së çmimeve nga rritja e çmimeve të energjensave tek popullata dhe kompanitë, nëpërmjet subvencionimit të çmimit të energjisë elektrike përmes përkrahjes direkte financiare të EMV-së, si dhe përmes normës preferenciale të TVSH-së për energjinë elektrike dhe më tej lehtësimin e pasojave të çmimeve të larta të ushqimeve, masat për fiksimin e çmimeve, rritjen e pagës minimale, pensionet, pagat në sektorin publik, si dhe shtesat/pagesat financiare të njëhershme për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, respektivisht përfituesit e ndihmës sociale dhe pensionistët me pensione të ulëta.
Qëllimi ishte ruajtja e fuqisë blerëse të popullsisë dhe likuiditetit të kompanive, duke targetuar gradualisht kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve dhe njëkohësisht duke përkrahur investimet. Masat mundësuan ngadalësimin e efektit transferues të inflacionit të importuar, sigurimin e furnizimit stabil me energji elektrike dhe parandalimin e goditjeve të çmimeve. Falë masave që orientohen drejt kufizimit të rritjes së çmimeve, inflacioni ishte në rënie të vazhdueshme për 12 muaj radhazi dhe arriti në 3.1% në muajin nëntor 2023, pasi arriti kulmin në 19.8% në muajin tetor 2022.
Në këtë periudhë katërvjeçare me disa kriza të ndërthurura, për të reaguar ndaj efekteve në ekonomi dhe standardin e jetesës së qytetarëve, hartuam nëntë pako të masave antikrizë, krahas përshtatjeve aktuale me “/masat ad hoc”, politikave dhe zgjidhjeve të tjera sistemike. Gjatë pandemisë COVID-19, u ndërmorën masa për mbrojtjen e jetesës dhe shëndetit të qytetarëve, mbrojtjen e vendeve të punës, si dhe përkrahjen e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve, por gjithashtu përkrahjen e fuqishme financiare për ekonominë, e cila hibernoi për shkak të kufizimeve administrative, sipas rekomandimeve shëndetësore për mbrojtje nga pandemia. Kjo i kushtoi buxhetit rreth 1.2 miliardë euro.
Para përfundimit të tërësishëm të pandemisë, për shkak të ndërprerjes së zinxhirëve të prodhimit, si dhe kërkesës së lartë, u krijua presioni i çmimeve. Nevoja për intensifikimin e aktivitetit ekonomik në periudhën e paspandemisë rriti kërkesën për energjensa dhe në këtë mënyrë shkaktoi rritje të çmimeve të tyre, me ç’rast u bë presion shtesë për çmimet e inputeve në prodhimin e ushqimeve, si dhe të produkteve të tjera. Në rrethana të tilla të çmimeve të vrullshme në tregje, veçanërisht në BE, si partnerja jonë më e rëndësishme ekonomike dhe në kushtet e regjimit fiks devizor me euron, goditja e çmimeve u transmetua plotësisht në ekonominë tonë. Situata u ndërlikua edhe më shumë me agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, si eksportuesja më e madhe e produkteve ushqimore bazë. Por edhe varësia energjetike e BE-së nga Rusia shkaktoi krizë edhe më të thellë, që kërkonte qasje të koordinuar në disa sfera: masa afatshkurtra në anën e kërkesës, masa afatmesme për reduktimin e varësisë energjetike nga Rusia dhe në periudhë afatgjate masa që do të krijojnë kushte për tranzicion të gjelbër dhe zhvillim të qëndrueshëm. Gjithashtu, pushtetet monetare dërguan mesazhe të qarta për luftën kundër inflacionit, që u reflektua në tregjet financiare ndërkombëtare me norma më të larta interesi. Kjo ndikoi në ngadalësimin e rritjes ekonomike në vitin 2022 dhe 2023 në krahasim me projeksionet fillestare të rritjes. Pakot antikrizë, si reagim ndaj krizës energjetike dhe të çmimeve u orientuan në mbrojtjen e kategorive më të ndjeshme të shoqërisë, si dhe përkrahjen e ekonomisë me qëllim të uljes së kostove dhe sigurimit të likuiditetit të nevojshëm. Implikimet fiskale të këtyre pakove të masave për mbrojtjen nga kriza energjetike dhe e çmimeve arritën në 760 milionë euro.
Kështu që, tetë pakot paraprake të masave antikrizë arritën në nivel prej rreth 1.96 miliardë euro. Kjo uli rënien ekonomike në vitin 2020, e cila u kompensua në rritjen në vitin 2021, në mënyrë që rritja në vitin 2022, 2023, si dhe rritja e projektuar në vitin 2024 të shënojë dinamikë të përshpejtuar në rritje.
Përkrahje për 600.000 amvisëri dhe 70.000 kompani
Në drejtim të përkrahjes së targetuar për kategoritë më të ndjeshme të amvisërive dhe kompanive në vitin 2023, pakoja e re e masave destinohet në përkrahjen e të rinjve (nxënësit dhe studentët) nga kategoritë më të ndjeshme të familjeve, kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve (pensionistët me pensione të ulëta, personat dhe fëmijët me nevoja të veçanta, prindërit e vetëm që marrin NMG, etj.), bujqit për stimulimin e prodhimit të ushqimit, si dhe përkrahjen e kompanive në procesin e tranzicionit të gjelbër (vendet që konsiderojnë se ndryshimi klimatik është një nga faktorët që mund të ndikojë në presionet e çmimeve në të ardhmen). Nëse analizojmë më në detaje, secila prej këtyre masave ka për qëlim sigurimin e qëndrueshmërisë sociale dhe ekonomike.
Masat e pakos së nëntë përfshijnë 120.000 të rinj, rreth 74.000 kategori e ndjeshme sociale e qytetarëve, rreth 187.000 pensionistë, 40.000 bujq, 540.000 shfrytëzues të aplikacionit TVSH-ja Ime, 600.000 amvisëri, si dhe 70.000 kompani. Nëse merren parasysh masat sistemike, bëhet fjalë për 338 mijë pensionistë dhe 106.000 të punësuar në sektorin publik. Njëkohësisht, hapësira fiskale do të ruhet përmes politikës prudente dhe do të sigurohet ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe fiskal.
Pakoja e re e masave destinohet për këto kategori: 1) Masa për përkrahje të qytetarëve dhe amvisërive (përkrahje për studentët nga familjet me të ardhura të ulëta, përkrahje për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, pensionistët dhe amvisëritë me të ardhura më të ulëta, përkrahje për bujqit); 2) Masa për përkrahje të ekonomisë (kredi më të favorshme për likuiditet dhe investime, subvencionim të kontributeve për paga më të larta); 3) Masa për përkrahje të sektorit publik (komunat dhe ndërmarrjet publike); dhe 4) Masa sistemike që kontribuojnë në lehtësimin e efekteve të krizës së çmimeve dhe asaj energjetike.
Ndihmë financiare për nxënësit nga familjet me të ardhura të ulëta dhe studentët
Në pakon e nëntë të masave siguruam mjete për përkrahjen e nxënësve nga shkollat fillore dhe të mesme, familjet e të cilëve kanë të ardhura të ulëta (deri në dy paga minimale, deri në 50.000 denarë të hyra të përgjithshme mujore). Parashihet të paguhet përkrahje financiare prej 1.200 denarëve në muaj, për periudhë 6 mujore, për 70.000 nxënës të shkollave fillore nga gjithsej 185.000 nxënës të klasave 1-9, të cilët i plotësojnë këto kushte. Pasi nevojat e nxënësve në arsimin e mesëm janë më të mëdha, parashikuam përkrahje financiare prej 1.800 denarëve në muaj, për periudhë 6 mujore, për 35.000 nxënës nga shkolla e mesme. Përkrahje financiare për studentët parashikuam edhe përmes ndarjes së vauçerëve për transport, për 15.000 studentë që jetojnë jashtë nga vendi ku studiojnë, në vlerë prej 600 denarëve deri në 1.200 denarë për student, varësisht nga vendbanimi dhe vendi i studimit.
Në total, mbështetje financiare do të jepet për gjithsej 120 mijë shfrytëzues – të rinj, nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm, familjet e të cilëve kanë të ardhura të ulëta, si dhe studentë nga universitetet shtetërore, në vlerë të përgjithshme prej 16.4 milionë euro.
Përkrahje për mbi 200.000 persona nga kategoritë e ndjeshme dhe pensionistë me pensione të ulëta
Në kushtet e inflacionit të lartë, rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare janë që përmes politikës fiskale të mbrohen kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, andaj edhe në pakon e nëntë kemi parashikuar më shumë masa.
Parashikuam masë për përkrahjen e qytetarëve që shfrytëzojnë të drejtën e kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar (10.103 shfrytëzues), prindërit e vetëm – shfrytëzues të ndihmës minimale të garantuar (610 shfrytëzues), prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në 26 vjeç, që shfrytëzojnë shtesë të posaçme (6.028 shfrytëzues), të cilët do të marrin mjete financiare prej 2.000 denarëve në nivel mujor, për periudhë 5 mujore, me qëllim të tejkalimit të vështirësive në kushtet e rritjes së shpenzimeve të jetesës. Mjetet e përgjithshme për këtë qëllim janë vlerësuar në 2.7 milionë euro.
Për përkrahjen e pensionistëve që kanë pension më të ulët (deri në 19.000 denarë) hartuam masën për tejkalimin e vështirësive në kushtet e efekteve të vazhdueshme të krizës energjetike dhe për stabilizimin e krizës së çmimeve. Shfrytëzuesit e pensionit deri në 14.000 denarë do të marrin përkrahje financiare prej 3.000 denarëve në muaj për periudhë 5 mujore (rreth 92.200 shfrytëzues të pensionit). Pensionistët me pension prej 14.001 denarëve deri në 16.000 denarë do të marrin përkrahje financiare prej 2.000 denarëve në muaj për periudhë 5 mujore (42.253 shfrytëzues të pensionit). Pensionistët me pension prej 16.001 denarëve deri në 19.000 denarë do të marrin përkrahje financiare prej 1.500 denarë në muaj për periudhë 5 mujore (52.798 shfrytëzues të pensionit). Implikimet e përgjithshme fiskale për përkrahjen e kësaj kategorie të ndjeshme prej 187263 personash do të arrijnë në 35.8 milionë euro.
Vazhdon gjithashtu masa për përkrahjen direkte financiare për kategorinë e ndjeshme të konsumatorëve të energjisë elektrike, subvencionet e energjisë elektrike për amvisëritë me të ardhura të ulëta, siç janë shfrytëzuesit e NMG-së dhe pensioneve sociale. Masa për përkrahjen e amvisërive për stimulimin e efikasitetit energjetik dhe burimeve të ripërtëritshme (për instalimin e paneleve fotovoltaike, për instalimin e sistemeve diellore dhe për instalimin e PVC) po vazhdon gjithashtu.
Me anë të këtyre masave kemi paraparë edhe pagesën e avancit të subvencioneve për prodhimtarinë bujqësore bimore, hortikulturore, vreshta, pemëtari dhe blegtori (gjedhë, dele, dhi). Përkrahja financiare që realizohet përmes programeve ekzistuese të IPARD-it është dedikuar për rreth 40.000 bujq.
Përkrahja e konkurrencës së kompanive, tranzicionit të gjelbër dhe sipërmarrësisë së femrave
Segmenti i dytë i masave nga pakoja e nëntë i referohet përkrahjes së sektorit privat, në radhë të parë përkrahjes së konkurrencës (kryesisht sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme – NVM), tranzicionit të gjelbër dhe përkrahjes së sipërmarrësisë së femrave. Përkrahja e përgjithshme vlerësohet në rreth 492 milionë euro, të cilat kryesisht sigurohen përmes linjave të favorshme kreditore nga institucionet ndërkombëtare.
Një nga masat i referohet përforcimit të linjës kreditore për përkrahjen e sektorit të NVM-së për efikasitetin energjetik dhe tranzicionin e gjelbër, nëpërmjet emetimit të fletobligacionit të gjelbër (Ministria e Financave emetoi fletobligacionin e parë të gjelbër në vlerë prej 600 milionë denarëve në vitin 2023). Kjo masë mundëson kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për t’i inkurajuar ato që të investojnë në projekte për efikasitet energjetik dhe burime të ripërtëritshme të energjisë përmes Fondit të Efikasitetit Energjetik dhe bankave komerciale me kushte të favorshme.
Zgjerimi fushëveprimit të kompanive që janë shfrytëzuese të skemës së garancisë nga Fondi i Garancisë së Bankës Zhvillimore planifikohet duke lehtësuar kriteret e aplikimit. Skema e garancisë së kredisë është instrument në kuadër të Bankës Zhvillimore, nëpërmjet të cilit emetohen garanci si sigurim për një pjesë të kolateralit të kredive, të aprovuara nga bankat komerciale dhe shtëpitë e kursimit, të cilat u jepen kompanive që kanë mungesë kolaterali për sigurimin e huasë.
Tjetër masë që do të sjellë likuiditet të theksuar për kompanitë është Linja e shtatë kreditore për tranzicionin e gjelbër të BEI-së, me vlerë prej 100 milionë eurove, e cila do t’i përkrahë investimet e kompanive në efikasitetin energjetik dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë. Linja e re kreditore nga BEI-ja do të realizohet përmes bankave komerciale, me kushte të favorshme kreditimi për kompanitë për investime në efikasitetin energjetik dhe burimet e ripërtëritshme, nga të cilat pjesët e barabarta të kredisë do të sigurohen nga bankat komerciale dhe BZHMV-ja. Linja kreditore do të mbulojë 30% të investimeve në projekte lidhur me efikasitetin energjetik dhe burimet e ripërtëritshme dhe 70% për qëllime të tjera.
Linja kreditore me kredi të favorshme u sigurua për kompanitë me vlerë prej 50 milionë eurove përmes Agjencisë Franceze të Zhvillimit për përkrahjen e investimeve, përkrahjen e projekteve me kontribut pozitiv ndaj mjedisit jetësor dhe projektet për reduktimin e efekteve negative të ndryshimeve klimatike, adaptimin dhe përkrahjen e sipërmarrësisë së femrave dhe financimin e proceseve të dixhitalizimit. Sipërmarrësia e femrave dhe investimet e gjelbra do të stimulohen edhe nëpërmjet linjës kreditore nga Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës (CEB) për financimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për krijimin dhe ruajtjen e vendeve të punës në vlerë pre 50 milionë eurove. Përmes Instrumentit të Financimit të Gjelbër (në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, respektivisht Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe bankat tregtare) do të sigurohet qasja në “financimin e gjelbër” për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe individët dhe amvisëritë për investime në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe zgjidhje inovative për efikasitetin energjetik në vlerë prej 40 milionë eurove.
Një masë e rëndësishme për kompanitë, por edhe për të punësuarit në sektorin privat është lirimi nga pagesa e kontributeve për të punësuarit ekzistues për shkak të rritjes së pagave të tyre nga 3.000 denarë në 9.000 denarë (sipas pagës së fundit të paguar, për të punësuarit me paga deri në nivelin e pagës mesatare mujore në nivel nacional). Baza për krahasim është mesatarja e 3 pagave të fundit mujore të paguara. Punëdhënësi do të paguajë tatimin mbi të ardhurat personale dhe do të lirohet nga pagesa e sigurimit shëndetësor dhe pensional për pjesën e rritjes, për periudhë 12 mujore. Masa ka për qëllim reduktimin e evazionit tatimor dhe ekonomisë gri, si dhe përkrahjen e sektorit privat për pagesën e pagave më të larta.
Një nga masat e pakos në fjalë orientohet për përballimin e një krize të mundshme të qumështit, nëpërmjet lejimit të shfrytëzimit të qumështit të dehidratuar si bazë për prodhimin e qumështit dhe produkteve të qumështit, për shkak të uljes së çmimit të tyre.
Sistemi dhe qëndrueshmëria
Segmenti i tretë dhe i katërt i pakos së nëntë të masave i referohen qëndrueshmërisë në sektorin publik, si dhe masave sistemike për lehtësimin e efekteve të krizës së çmimeve dhe asaj energjetike.
Në kuadër të masave të orientuara drejt qëndrueshmërisë, parashihet vazhdimi i masës për kreditë lidhur me efikasitetin energjetik në sektorin publik, përmes Bankës Botërore. Po ashtu, do të operacionalizohet edhe Fondi i Efikasitetit Energjetik në Bankën Zhvillimore, me përkrahjen e Bankës Botërore, përmes të cilit do të financohen projektet lidhur me efikasitetin energjetik dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë për qasje më të lehtë në kapital të subjekteve publike.
Masat sistemike orientohen drejt sigurimit të reagimit sistemor ndaj nevojave të qytetarëve, të ardhurat e të cilëve janë të lidhura me buxhetin, në përputhje me zhvillimet makroekonomike dhe sërish në drejtim të qëndrueshmërisë fiskale. Këto politika sistemike për mbrojtjen e standardit të pensionistëve dhe të punësuarve në sektorin publik të cilët duhet të “rikthejnë” efikasitet më të madh të shërbimeve publike dhe profesionalizëm më të lartë në administratë në vitin 2023, i kushtojnë buxhetit 189 milionë euro dhe në vitin 2024 shpenzimet buxhetore për këto politikat do të arrijnë në rreth 327.3 milionë euro. Këtu do ta përmend rritjen e pagave në sektorin publik, nëpërmjet harmonizimit me rritjen e pagës mesatare, si dhe ripërcaktimit të sistemit të pagave në sektorin publik përmes krijimit të zgjidhjes sistemike. Kjo masë duhet të fillojë vitin e ardhshëm dhe të krijojë strukturë më adekuate pagash në sektorin publik, me ç’rast ky aspekt nuk ka qenë më parë dhe do të mundësojë jetesë të denjë, drejtësi dhe motivim më të madh te të punësuarit. Kjo zgjidhje do të ndërlidhet në sistemin që tashmë e kemi krijuar për rritjen e pensioneve, me ç’rast në muajin mars do të ketë sërish harmonizim të ri pensionesh me rritjen e pagës mesatare dhe kostove të jetesës sipas parimit 50%-50%.
Nuk ka recetë të vetme për rimëkëmbje – por përshtatje dhe përmirësim të vazhdueshëm të politikave
Në fund, dua të theksoj se efektet e këtyre masave do të shihen më së miri kur të fillojë zbatimi i tyre dhe kur të fillojmë t’i analizojmë më tej të dhënat makroekonomike, siç është bërë tani për pakot paraprake. Më tej, për pakon e masave në fjalë, institucionet financiare ndërkombëtare dhe ekonomistët do të mund të diskutojnë lidhur me performacën e suksesshme të tyre. Qytetarët dhe kompanitë që do t’i shfrytëzojnë masat do të mund të gjykojnë për efektet shumë më herët.
Në fund, do të theksoj se nuk ka recetë universale për rimëkëmbje më të shpejtë dhe përshpejtim të rritjes, ky do të jetë proces i vazhdueshëm i përshtatjes dhe përmirësimit. Modeli duhet të përshtatet sipas strukturës ekonomike, mjedisit dhe pritshmërive, me ç’rast gjatë hartimit të strategjisë duhet të merret parasysh tabloja e përgjithshme dhe mirëqenia e qytetarëve duhet të jetë gjithmonë pika e parë dhe e fundit. Kjo është formula ekonomike që do të japë sukses.