I nderuar Koordinator i përhershëm i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), z. Grigorijan,
Të nderuar nënkryetarë të Kuvendit,
Të nderuar kolegë deputetë,
E nderuar sekretare e përgjithshme e Kuvendit,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni t’ju përshëndes dhe uroj mirëseardhje të ngrohtë në dhomën ligjvënëse që bashkë të marrim pjesë në këtë eveniment të organizuar me nismë të përfaqësive të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Kombeve të Bashkuara (UN) në Shkup, të cilët janë bartës të Strategjisë Zhvillimore Nacionale 2024-2044 dhe me mbështetje të ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Sllovakisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Përmes Prezantimit të sotëm të Strategjisë para nënkryetarëve të Kuvendit, koordinatorëve të Grupeve parlamentare, kryetarëve të komisioneve, sekretares së përgjithshme të Kuvendit dhe të Shërbimit, praktikisht ne e sigurojmë përfshirjen e institucionit tonë në krijimin e mëtejshëm të Strategjisë. Kuvendi përpiqet që përmes të gjitha mënyrave të jetë institucion transparent ku gjithmonë mund të debatohet në nivele të ndryshme për të gjitha çështjet e rëndësishme shtetërore dhe shoqërore dhe ky është përcaktimi ynë që nga vetë fillimi i konstituimit të përbërjeve të fundit parlamentare. Mundem në emër të gjithë të pranishmëve t’ju vërtetoj se dhoma ligjvënëse edhe më tej do të mbetet e hapur për të gjitha nismat për të cilat do të vlerësojmë se do të kontribuojnë për informimin më të mirë dhe për mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Rrjedhimisht, si Kryetar i Kuvendit, jap mbështetje të padyshimtë për përpilimin e këtij dokumenti shumë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit tonë në 2 dekadat e ardhshme, dhe besoj se të gjithë të pranishmit e ndajnë mendimin tim dhe do e japin kontributin e vet personal në elaborimin e mëtejmë të të njëjtit.
Përfshirja e Kuvendit do të realizohet përmes inkuadrimit në aktivitetet programore dhe projektuese të Strategjisë në aspekt të rolit të tij si kreator i politikave dhe bartës i vendimeve, në njërën anë por edhe bashkë, në sinergji me të gjithë faktorët tjerë politikë por edhe shoqërorë si bashkësia akademike, shoqëria civile, organizatat joqeveritare, sektori i biznesit, të rinjtë, njësitë e qeverisjes lokale dhe opinioni më i gjerë, respektivisht qytetarët, përmes sigurimit të kontributit konkret në ndërtimin e kësaj Strategjie.
Të nderuar të pranishëm,
Në aspekt të konceptit, është veçanërisht me rëndësi ajo që Strategjia nuk duhet të reflektojë qëndrimet rigide politike për çështje të caktuara, por më shumë është konceptuar si një dokument i cili do të japë opinione, vizione dhe ide të deputetëve, si përfaqësues të qytetarëve, për atë se cilat fusha tematike do të analizohen dhe në të cilat çështje me interes dhe nevojë të qytetarëve duhet të përqendrohet Strategjia. Qëllimi përfundimtar gjithsesi është shtet i zhvilluar dhe bashkëkohor me qytetarë të kënaqur.
Apeloj te ju kolegë të nderuar që në fazat kur definohen temat, kryetarët, zëvendës-kryetarët e komisioneve parlamentare në kompetencë të të cilave është tema konkrete, si edhe përfaqësuesit tjerë në Kuvend, të pranoni me seriozitet të plotë obligimin dhe të shkoni nëpër forumet dhe ti shpalosni idetë, vizionet, propozimet tuaja në emër të qytetarëve që i përfaqësoni, por gjithsesi edhe në emrin tuaj. Vetëm kështu, Strategjia do të ketë vizion gjithëpërfshirës dhe karakter civil, që është edhe qëllimi i saj themelor, ndërsa Kuvendi do të shndërrohet në njëfarë mënyrë edhe promotori i saj kryesor. Sinqerisht, më gëzon interesimi i kolegëve deputetë për Strategjinë. Disa prej tyre tani më janë të inkuadruar edhe në aktivitetet paraprake për Strategjinë.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe tani urdhëroni me Prezantimin: