I nderuari kryetar i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, z. Talevski,
Të nderuar shef, anëtarë dhe zëvendësanëtarë të Delegacionit të Kuvendit të AP të NATO-s,
I nderuari Gjeneral-kolonel z. Nilsen,
Të nderuar kolonelë, nënkolonelë, oficerë të Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s,
Të nderuar kolegë deputetë,
Zonja dhe zotërinj,
Në emër të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal Ju dëshiroj mirëseardhje të ngrohtë në shtëpinë tonë ligjvënëse dhe ju dëshiroj vizitë të suksesshme studimore. Ju jeni pjesë e institucionit më të lartë akademik të aleancës së NATO-s që kontribuon ndjeshëm në zhvillimin e arsimimit të oficerëve dhe zyrtarëve të saj të lartë, me ç‘rast Kolegji jep investim cilësor në krijimin dhe operacionalizimin e politikave aktuale dhe të ardhshme të NATO-s.
Duke pasur parasysh përvojën time të pasur dhe angazhimin e gjatë politik – në një mandat parlamentar si shef i Delegacionit të Kuvendit në AP të NATO-s, pastaj si ministër i Mbrojtjes dhe si zëvendësministër i Mbrojtjes, mund të ndaj shumë përvoja nga puna me NATO-n në kontekste dhe nivele të ndryshme, me ç’rast do të nënvizoj se e vetmja aleancë stabile e mbrojtjes që i bashkon vendet në mbarë botën dhe që ekziston gati 75 vjet është aleanca e NATO-s. Gjatë gjithë këtyre dekadave të fundit, Aleanca ka treguar se qëndrueshmëria e partneritetit ndërmjet vendeve anëtare, vendeve aspiruese dhe vendeve partnere, është vendosur gjithmonë në vendin më të lartë. Ndërtimi i hapësirës së qëndrueshme, rezistuese ndaj sfidave të sigurisë dhe hapësirës paqësore gjeopolitike është imperativ i NATO-s, ndërsa roli i aleatëve në këtë, ku veprojnë “të gjithë për një”, është përfitimi më i vlefshëm i Kartës Veri-Atlantike.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si organ përfaqësues i qytetarëve, merr pjesë në mënyrë të barabartë me parlamentet e tjera aleate në dimensionin parlamentar të NATO-s, përkatësisht Asamblenë Parlamentare. Ne kishim statusin e anëtarit të asociuar në AP të NATO-s 25 vjet, duke llogaritur deri në pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në anëtarësimin e plotë në NATO, periudhë gjatë së cilës, përmes punës së delegacioneve të saj parlamentare, u shqua si Kuvend shumë aktiv dhe participues.
Së bashku me Asamblenë Parlamentare të NATO-s, organizuam 7 seminare Ros-Rot, me një numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve nga AP e NATO-s, por edhe përfaqësues të lartë të NATO-s, instituteve eminente të mbrojtjes dhe nga kasta akademike. Nëpërmjet seminareve Ros-Rot, ndahen përvoja të rëndësishme dhe praktike dhe shteteve partnere të NATO-s nga rajoni i Evropës Qendrore dhe Lindore u jepet mundësia për të arritur nivel solid të gatishmërisë sociale dhe demokratike. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet mbajtjes së këtij numri mbresëlënës të seminareve Ros-Rot, ka treguar dhe dëshmuar kapacitetin e tij për të kontribuar në mënyrë cilësore dhe përmbajtjesore në punën e kësaj asambleje parlamentare shumëpalëshe.
Si Kuvend, ishim nikoqirë të vizitave të punës dhe zyrtare të delegacioneve të shumta dhe përfaqësuesve të lartë të Aleancës së NATO-s, në mesin e të cilëve dy sekretarë të përgjithshëm, nga të cilët ky aktual na ka vizituar katër herë për periudhë prej 5 vitesh (2018, 2019 dhe 2023). Gjatë njërës prej këtyre vizitave, Republika e Maqedonisë së Veriut ishte mikpritës edhe i takimit të Këshillit Veri-Atlantik në Shkup (2019).
Kuvendi realizon bashkëpunim shumëvjeçar edhe me Qendrën e Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë (DCAF), me të cilën kemi kryer trajnime të shumta, seminare edukative dhe projekte, ndër të cilat i fundit është ndërtimi i një “dhome të shurdhër” sipas standardeve të NATO-s.
Republika e Maqedonisë së Veriut dëshmoi se Aleanca ka aleat të besueshëm, i cili, si deri më tani, do të kontribuojë në mënyrë efektive në sigurimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe globale. Kontributi i vendit në misionet e udhëhequra nga NATO gjatë dy dekadave të fundit (ISAF, Përkrahja vendimtare, Altea) është përshëndetur pothuajse në çdo eveniment të NATO-s, në nivel qeveritar dhe parlamentar. Republika e Maqedonisë së Veriut është një nga kontribuesit më të mëdhenj per capita (mbi 3000 trupa në misione ndërkombëtare), duke demonstruar përkushtim të fortë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe në sigurimin e paqes dhe stabilitetit global. Kuvendi i miraton numrin më të madh të vendimeve për dërgimin e ushtarëve tanë në misionet e huaja paqeruajtëse të NATO-s dhe me këtë e tregon gatishmërinë për të marrë pjesë aktive në politikat mbrojtëse të shtetit dhe në përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s.
Në këtë kontekst, dëshiroj të nënvizoj se Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e Koalicionit Global për Luftë Kundër Terrorizmit e udhëhequr nga SHBA që nga themelimi i tij dhe ndan përgjegjësi të përbashkëta me vendet anëtare të NATO-s.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte e përfshirë në mënyrë aktive në negociatat aderuese me NATO, në kuadër të Programit për Vazhdimin e Reformave (PVR) i cili zgjati 18 vjet të plota, ndërsa ishte përgatitur në përputhje me kërkesat e përfshira në Planin për Zbatimin e Procesit të Aderimit në NATO. Si institucion, i jemi qasur seriozisht përgatitjes së Programit edhe në zbatimin e reformave të domosdoshme nga ana jonë, për të cilat morëm vlerësime shumë pozitive nga Aleanca.
Të nderuar,
Rruga drejt NATO-së nuk ishte aspak e lehtë, dhe as e shkurtër. Përmes tejkalimit të çështjeve të hapura me Republikën e Greqisë, me prononcimin në referendum dhe me marrjen e vendimeve sensitive dhe të vështira, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 11 janar 2018 miratoi amendamentet e Kushtetutës, me të cilat u ndryshua emri i shtetit dhe u hap rruga drejt anëtarësimit të plotë të vendit në NATO. Republika e Maqedonisë së Veriut, me deponimin e instrumentit për ratifikim në Uashington, më 27 mars 2020 u bë anëtare e plotfuqishme e 30-të e NATO-s.
Kuvendi në sistemin tonë politik është organi shtetëror, në kompetencën ekskluzive të të cilit janë ratifikimet e marrëveshjeve ndërkombëtare. Gjatë ratifikimit të Protokollit tonë Aderues në NATO nga parlamentet e vendeve-anëtare të NATO-s, Kuvendi i RMV-së ishte parlamenti i fundit i cili në vitin 2019 e ratifikoi Marrëveshjen e Uashingtonit. Si anëtare e plotfuqishme e NATO-s, vitin e kaluar ishim ndër parlamentet e para që ratifikuam protokollet aderuese të Finlandës dhe Suedisë, duke mundësuar kështu zgjerimin dhe përforcimin e mëtejshëm të aleancës së NATO-s me Finlandën. Shpresojmë që edhe Suedia deri në fund të vitit do t’i bashkohet NATO-s.
Vlen të përmendet edhe viti 2020, viti i cili ishte jashtëzakonisht i vështirë për të gjithë ne për shkak të pandemisë me COVID-19 kur kushtet e punës na u ndryshuan rrënjësisht, me ç’rast të gjithë bëmë përpjekje maksimale për t’u përshtatur me to, duke u kujdesur për shëndetin personal, familjar dhe kolektiv. Ai vit tregoi edhe dimensionin tjetër të aleancës së NATO-s dhe dimensionin e saj parlamentar, AP e NATO-s, ndërsa ky është – solidariteti i NATO-s, kujdesi për secilin aleat dhe marrëdhënia proaktive për t’i ndihmuar gjithkujt në gjendje krize, me ç’rast secili aleat u tregua në vepër dhe në format real, nëpërmjet dorëzimit dhe pranimit të kontingjenteve të rëndësishme të pajisjeve të nevojshme sanitare.
Dëshiroj t’ju informoj edhe për ngjarjet aktuale në planin e integrimit tonë evropian. Si shtet, mbetemi të përkushtuar në integrimin në familjen evropiane dhe në Procesin e Berlinit, për arsye se ai në bazën e bashkëpunimit e vendos pajtimin e vendeve të rajonit dhe lënien e të kaluarës së përbashkët në histori, aty ku edhe realisht bën pjesë. Në kuadër të procesit, si vend së bashku me vendet e tjera të rajonit, treguam angazhime të fuqishme për rezultate reale që do të kenë efekte pozitive afatgjata. Për procesin e skriningut të përfunduar me sukses, morëm vlerësime më të larta dhe besojmë se së shpejti do ta hapim Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
Të nderuar oficerë,
Besoni në arsimin e mirë, që e fitoni në këtë Kolegj me renome. Përfitimet nga kjo do t’i keni si investim afatgjatë në punën dhe karrierën tuaj profesionale të mëtejshme.
Ju uroj suksese të mëtejshme në angazhimet tuaja të ardhshme arsimore dhe profesionale, por edhe në planin personal dhe familjar.
Faleminderit për vëmendjen!