Fjalimi i Ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani, me rastin e 2 Gushtit- Ilindenit

Të dashur miq, të nderuar qytetarë dhe bashkëqytetarë: maqedonas dhe shqiptarë; turq, vlleh, romë, serbë dhe boshnjakë. Sot është 2 gushti – Dita e Ilindenit; ditë e rëndësishme në kontekst historik për vendin tonë; festë e rëndësishme përmes së cilës e kultivojmë rëndësinë e vlerave të Manifestit të Krushevës dhe përfundimet e mbledhjes së KAÇKJ-së, të cilat së bashku me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit i vlerësojmë si shtylla të ndërtimit të shtetit tonë të përbashkët. Në kontekstin bashkëkohor, kjo është një festë e cila ndërton ura lidhëse, të brendshme dhe të jashtme. Jemi rritur me idenë se Ilindeni paraqet monument të popujve që kanë jetuar në këto hapësira; prandaj sot, me të drejtë presim që Ilindeni të shndërrohet në një datë, përmes së cilës do t’i shënojmë vlerat  historike të përbashkëta. Sot ndodhemi përballë sfidave të tjera. Interesat tona strategjikë, që nga pavarësia e vendit, janë shkrirë në ambicien tonë për anëtarësim të plotë në Aleancën Veri-Atlantike dhe në Bashkimin Evropian.  Suksesi për t’u bërë vendi anëtar i 30-të i NATO-s, vetëm sa e konfirmon rrugën tonë të drejtë për të ndërtuar unitet dhe integrim, duke i ndjekur vlerat që i simbolizon edhe festa e sotme. Ashtu siç, përmes Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e forcuam integrimin tonë të brendshëm, ashtu siç i tejkaluam mosmarrëveshjet me fqinjin tonë Greqinë përmes Marrëveshjes së Prespës, ngjashëm, edhe përmes implementimit të Marrëveshjes për miqësi, do t’i tejkalojmë dallimet me fqinjin tonë Bullgarinë. Ilindeni është ditë e rëndësishme edhe për fqinjët tanë në Republikën e Bullgarisë. Për fat të keq, në të kaluarën, e jo rrallë edhe sot, kjo më së shpeshti ka qenë shkak për përçarje dhe mosmarrëveshje, në vend që të jetë pikë e cila do të na bashkojë dhe afrojë. Në kontestin e sotëm bashkëkohor, obligimi ynë është që Ilindenin ta bëjmë pikërisht pikën e cila do të na lidhë, festë e cila do të na bashkojë; ngjarje historike përmes shënimit të së cilës do të tregojmë respekt dhe njohje të ndërsjellë. Duke shprehur respekt ndaj të ndryshmes, ndaj pikëpamjeve të ndryshme të rrjedhave historike, sot marrim përsipër detyrimin për të krijuar  rrjedha shoqërore bashkëkohore, që do të mundësojnë të ardhme të përbashkët të qytetarëve të të dy vendeve. Përmes bashkëpunimit të shtuar sektorial, u mundësojmë qytetarëve, bizneseve, artistëve dhe të gjithë aktorëve të tjerë socialë, t’i ndërtojnë lidhjet e tyre, pavarësisht dallimeve politike. Paralelisht, përmes punës së komisionit të përzier  të ekspertëve, ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë pikat bashkuese, duke i eliminuar  dallimet që na largojnë nga njëri-tjetri. Dhe jo vetëm si sfidë për marrëdhëniet bilaterale me Bullgarinë, po si vend në të cilin të drejtat individuale paraqesin bazë të përfitimeve kolektive, ne shprehim vullnet të qartë – në kuptimin shoqëror, ligjor dhe madje kushtetues – për t’i siguruar të gjithë ata qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët veten e ndjejnë si pjesë të popullit bullgar, lirshëm ta shprehin këtë vullnet, duke respektuar madje edhe pikëpamjet e tyre të ndryshme ndaj historisë së përbashkët. Por kjo, assesi nuk duhet dhe nuk mund të shndërrohet në imponim të kësaj pikëpamjeje ndaj qytetarëve tanë, që kanë një perspektivë tjetër për historinë e përbashkët.  Veçantia e popullit maqedonas dhe e gjuhës maqedonase paraqesin realitet në çdo kuptim; e maqedonasit, si dhe të gjithë popujt e tjerë, kanë të drejtën e ndjenjave të tyre, të bindjeve dhe pikëpamjeve për ngjarje dhe konteste historike –   sado që këto të jenë të përbashkëta. Prandaj Ilindeni është i rëndësishëm edhe sot. Për arsye se, duke i shënuar ngjarjet historike që na bashkojnë, ne shprehim respekt ndaj veçantive bashkëkohore.Urime festën!

Related posts

Ali Ahmeti priti ambasadorin italian Silvestri: Ndërhyrja ndaj gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Ohrit rëndon situatën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot  në Tetovë,  priti ambasadorin e Italisë në vendin tonë z. Andrea Silvestri. …

30 vjetori i UÇK-së, Ahmeti: Tre shkronjat e arta sollën kthesën historike në fatin e kombit shqiptar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka qëndruar në Prishtinë së bashku me veprimtarë të çështjes kombëtare e atdhetarë kanë…

Gjuha shqipe është vija që nuk duhet dhe nuk guxon të kapërcehet!

Teksa afrohet dita e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) paralajmëron edhe një…