Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive z.Artan Grubi sot në kabinetin e tij priti Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z.Gent Cakaj.Në takim, të dy bashkëbiseduesit z.Grubi dhe z.Cakaj shkëmbyen mendime për temat politike aktuale në vend dhe rajon. Të dy bashkë kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin midis Shkupit dhe Tiranës i cili është i shkëlqyeshëm.Zëvendëskryeministri i parë Grubi theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është angazhuar me shumë përkushtim në përmbushjen e reformave dhe detyrave të domosdoshme me qëllim çeljen sa më të shpejtë të negociatave me Bashkimin Evropian.Nga ana e tij ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë z.Gent Cakaj ka uruar zëvendëskryeministrin e parë Grubi për realizimin e suksesshëm të politikave kyçe të cilat janë në favor të të gjithëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.Cakaj gjithashtu i ka thënë Grubit se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një vend fqinj, por dhe një shtet mik edhe partner strategjik me të cilin marrëdhëniet i kemi ndërtuar përmes dialogut dhe bashkëpunimit të mirë. Anëtarësimi i plotfuqishëm i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe rruga e përbashkët drejt Bashkimit Evropian janë vlerë e shtuar për zhvillimin e rajonit dhe në veçanti për paqen dhe stabilitetin.Në fund të takimit Grubi dhe Cakaj biseduan edhe për mënyrën e liberalizimit të lëvizjes së qytetarëve, përkatësisht kthimit në normalitet të vendkalimeve kufitare duke marrë si shembull lëvizjen e lirë mes Republikës së Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë. Grubi i tha Cakajt se së shpejti pret që lëvizja e lirë dhe pa kushte të nis të zbatohet edhe me Republikën e Kosovës dhe shtetet tjera fqinje.