Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive z.Artan Grubi sot në kabinetin e tij priti në takim lamtumirës znj.Keiko Haneda, ambasadore e Japonisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut me rastin e përfundimit të misionit diplomatik. Zëvendëskryeministri i parë, z.Grubi gjatë takimit i ka thënë ambasadores Haneda se Japonia dhe populli i saj simbolizojnë miqësinë dhe suksesin dhe në këtë drejtim është në interes të Maqedonisë së Veriut që përvojat më të mira t’i zbatojmë dhe tek ne. Diskutuam edhe mbi zhvillimin e shpejtë që për çdo ditë shënon Japonia në ekonomi. Grubi njoftoi ambasadoren japoneze se në rolin e tij si koordinator i politikave të resorëve do të garantojë kohezion brenda koalicionit qeveritar dhe do të kryej koordinimin dhe rrjedhmërinë e proceseve dhe zbatimin e programit. Grubi gjithashtu tha se kohezioni i partnerëve qeveritar tashmë duket se po reflekton edhe në opinion. Zëvendëskryeministri i parë gjatë këtij takimi i tha ambasadores së Japonisë se rruga e drejtësisë joselektive dhe sundimi i ligjit do të arrihen vetëm me transparencë të plotë dhe përmes vetingut të bartësve të funksioneve publike, gjykatësve dhe prokurorëve. Nga ana e saj ambasadorja japoneze, znj.Haneda i ka thënë Grubit se Japonia do të vazhdojë të përkrahë Maqedoninë e Veriut. Sipas saj përkrahja japoneze është dëshmuar përmes bashkëpunimit ekonomik, granteve në shëndetësi, arsim dhe në kontributin për zhvillimin e bashkëqeverisjes lokale. Në emër të Qeverisë, zëvendëskryeministri i parë Grubi i shprehu mirënjohje ambasadores japoneze, znj.Keiko Haneda për marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve si dhe për ndihmën që Japonia u ofron qytetarëve të Maqedonisë së Veriut përmes donacioneve në sistemin shëndetësor.