Shqiptarët janë të fuqizuar dhe po tregojnë që mund të menaxhojnë çdo pozitë në shtet pa asnjë pengesë dhe problem. Përfshirja e shoqërisë civile i bënë politikat shumë më afatgjate dhe të pranueshme për popullin, kështu u shpreh zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi në emisionin ARGUMENT me Fatos Musliun në TVM2.“Kur për herë të parë zgjidhej kryetari i kuvendit Talat Xhaferi, e dini se si u përcoll ajo zgjedhje, gati sa nuk erdhi deri tek një luftë civile. Tre vite më pas po i njëjti njeri u rizgjodh përsëri dhe mezi që u bë lajm, pasi që rizgjedhja erdhi në mënyrë të natyrshme, njëjtë siç ndodhi edhe me emërimin e Agim Nuhiut në pozitën e Ministrit të Punëve të Brendshme. Nuk i ndodhi asgjë e keqe Maqedonisë së Veriut nga 25 mijë administratorët shqiptarë që gjithandej menaxhojnë situata të ndryshme në mbarë vendin. Dallimi është si nata me ditën, nëse e krahasojmë gjendjen e tanishme të shqiptarëve me të kaluarën kur BDI nuk ka qenë në pushtet”, deklaroi Grubi.