Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi ka marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të themelimit të Agjencisë për Siguri Kombëtare.
“Sot jam krenar që i përkas brezit të deputetëve në Kuvendin tonë që ka marrë shumë vendime të rëndësishme dhe të rënda, duke përfshirë këtu edhe hapin e fundit në reformimin e Sektorit të sigurisë me fillimin e punës së Agjencisë me të cilën Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit, e cila në periudhën e kaluar ishte abuzuar për interesa personale dhe grupore, tashmë ka shkuar në histori. Procesi i reformës së sistemit të sigurisë dhe kundërzbulimit nuk është vetëm miratimi i ligjeve apo zgjedhja e drejtuesve, por është i nevojshëm një mentalitet krejtësisht i ndryshuar i mendimit dhe veprimit”, ka thënë Grubi para të pranishmëve.
Në vazhdim ju përcjellim fjalimin e plotë të Zëvendës kryetarit të parë të Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi:
Të nderuar kolegë ministra,
I nderuar drejtor,
Të nderuar të pranishëm,
Ju faleminderit për ftesën që sëbashku të shënojmë përvjetorin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në emër të Qeverisë sonë.
Sot jam krenar që i përkas brezit të deputetëve në Kuvendin tonë që ka marrë shumë vendime të rëndësishme, duke përfshirë këtu edhe hapin e fundit në reformimin e Sektorit të sigurisë me fillimin e punës së Agjencisë me të cilën Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit, e cila në periudhën e kaluar ishte abuzuar për interesa personale dhe grupore, tashmë ka shkuar në histori.
Të nderuar,
Me reformat e qeverisë në sistemin e shërbimeve të sigurisë, ne po përpiqemi të rrisim besimin e qytetarëve në kredibilitetin e institucioneve në këto kohëra sfiduese të së vërtetave dhe realiteteve alternative.
Procesi i reformës së sistemit të sigurisë dhe kundërzbulimit nuk është vetëm miratimi i ligjeve apo përzgjedhja e drejtuesve, por është i nevojshëm një mentalitet krejtësisht i ndryshuar i mendimit dhe veprimit.
Tash e disa vite më në fund kemi një institucion që punon në përputhje me Kushtetutën, aktet ligjore dhe nënligjore, siç i ka hije një shërbimi sigurie të një vendi anëtar të NATO-s dhe lirisht mund të themi si një shërbim me koncept të zhvilluar për avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të sistemit të sigurisë, i cili mund të përballet me kërcënimet dhe rreziqet bashkëkohore për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Prandaj edhe në këtë drejtim Agjencia do të ketë mbështetje të fuqishme dhe të vazhdueshme nga Qeveria, por edhe nga institucionet tjera shtetërore.
Të nderuar të pranishëm,
Ne kemi një sfidë tjetër të madhe përpara nesh, ajo është lufta e përbashkët kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Korrupsioni është një rrezik sigurie. Nuk e kam fjalën vetëm për korrupsionin në politikë dhe institucione, por edhe në media, në gjyqësor, në sektorin joqeveritar.
Pikërisht për këtë arsye, na duhet vetingu social dhe jo gjueti e shtrigave dhe propagandë partiake.
Fjala përqindje nuk guxon t’i referohet provizionit, por realizimit të luftës kundër korrupsionit.
Ngjarjet si kjo e sotmja nuk janë vetëm për t’u uruar, por edhe për dërgimin e porosive.
Ne jemi një vend anëtar i NATO-s dhe një vend që po negocion për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nuk ka vend për improvizim. Nuk ka vend për tolerancë.
Prandaj nevojitet një fushatë sociale e të gjithë protagonistëve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në fund, më lejoni t’u uroj të gjithë punonjësve të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare shumë suksese dhe me guxim të vazhdojnë të punojnë për ndërtimin e një shërbimi bashkëkohor të sigurisë, i cili do të jetë plotësisht në funksion të mbrojtjes së interesave të sigurisë së vendit dhe qytetarëve të tij.