Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi sot ka marrë pjesë në evenimentin “Festat e Nëntorit” nën organizim të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon të udhëhequr nga znj. Adriola Kambo, ku të pranishëm ishin ish presidentja e Kosovës znj. Atifete Jajaga, ministrja për Europë dhe Punë të Jashtme znj. Olta Xhaçka, kryetari i Prishtinës z. Përparim Rama dhe shumë të ftuar të tjerë.
“Kënaqësi që jemi sonte këtu në Tiranë bashkarisht në vigjilje të festës së madhe kombëtare të 28 Nëntori. As ky eveniment e as ndonjë eveniment tjetër nuk i bashkon më së shumti shqiptarët se sa Nëntori, Nëntori jonë i festave. E aq më tepër kur na bashkon Tirana e Erjonit. Më bëhet qejfi që një qytetar i Shkupit sot më shumë i njeh projektet e Tiranës se sa të Shkupit. Njohin Stadiumin, Qarkoren, Toptanin e gjitha projektet tjera. Kjo e bën bashkimin, kur një qytetar i Shkupit, ja si unë sonte e ndjen veten në Tiranë si në shtëpi të vet. Faleminderit Erion dhe të uroj për punët që i bën. Uroj ta bësh Tiranën shtëpi për të gjjthë ne, qoftë për ata që vijnë nga Prishtina, nga Shkupi,Tetova, Gostivari e nga gjitha qytetet tjera nga Kosova e Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi”, ka thënë Grubi në fjalimin e tij para të pranishmëve.
Sipas Grubit, mandatet vijnë e shkojnë, ndërsa punë e atyre që zgjidhen është të ndërtojnë rrugë, hekurudha, të afrojnë rininë përmes projekteve të përbashkëta.
“Jam vërtetë i lumtur që gjindem pranë jush dhe dua të lë një porosi për të gjithë ata që i prijnë institucioneve shtetërore, se mandatet vijnë e shkojnë sa hap e mbyll sytë, ajo që do ngelet prapa nesh janë veprat tona, ndaj punoni që me këto vepra t’i afrojmë shqiptarët, ashtu siç e do Nëntori, flamuri dhe çdo qytetar i joni. Ndërtoni rrugët, ndërtoni hekurudhat, bëni projekte të përbashkëta, afroni rininë dhe bëni që trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup vërtetë një”, ka theksuar mes tjerave në fjalimin e tij, Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë, z. Artan Grubi.